'Mësues me 15 vite eksperiencë detyrohen të bëjnë sërish licencën', Zhupa: Absurde, po ju cënohet karriera

12:39, 23/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një vendim që detyron rreth 2000 mësues me përvojë shumëvjeçare, përfshirë ata me titullin "Mjeshtër", që të rikthehen në provimin e licencës, ka shkaktuar debate të ashpra. Nga foltorja e Kuvendit, deputetja Ina Zhupa e cilësoi si një absurditet logjik dhe një skemë e mirëfilltë financiare që cënon sigurinë juridike të arsimtarëve.

Sipas saj, mësuesit të cilët kanë ndjekur me përpikëri të gjitha shkallët e karrierës duke u kualifikuar pas 3 vitesh, duke u bërë specialistë pas 6 vitesh dhe duke arritur titullin "Mjeshtër" pas 15 vitesh pune, tani po përballen me kërkesën e pakuptimtë për t'u kthyer në pikën zero dhe për të dhënë provimin e licencimit.

Sipas deputetes së opozitës, po ngatërrohen qëllimisht kriteret e punësimit me ato të kualifikimit.

Licenca është një kriter i detyrueshëm për mësuesit e rinj që hyjnë sot në sistem, por nuk ka qenë një kërkesë e tillë në kohën kur mësuesit me përvojë janë punësuar.

Deputetja tha se ligji aktual tashmë i përcakton qartë kriteret dhe dosjen për kualifikimin në çdo stad të karrierës, një proces që këta mësues e kanë kaluar me sukses pa pasur nevojë për licencë.

Kjo lëvizje lidhet me një tjetër propozim për privatizimin e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, institucioni që menaxhon procesin e licencimit.

Sipas Zhupës, kjo është një skemë e orkestruar për të transferuar fonde publike drejt një subjekti privat, duke përdorur parimin "njëra dorë lan tjetrën, të dyja pasurohen", në dëm të mijëra arsimtarëve veteranë.

Deklarata e plotë:

Të nderuar qytetarë, po ju jap një skemë shumë të thjeshtë që ta kuptoni se çfarë i bëjnë mësuesve. Je student, mbaron shkollën, futesh, bën licencën, mbasi bën licencën, për tre vite ke të drejtë të kualifikohesh mësues i kualifikuar.

Mbas gjashtë vitesh, ke të drejtë të kualifikohesh mësues specialist dhe mbas 15 vitesh, ke të drejtë të kualifikohesh mësues mjeshtër. Dhe këta që janë këtu për mësues mjeshtër janë rreth moshës 40-45 vjeçare që kanë rreth 15 vite karrierë.

Kur vijnë këtu për t'u bërë mësues mjeshtër, këta i thonë, nga këtu, e di ç'ke ti? Shko prapë këtu, jep një licencë. Jep një provim përsëri, se je i pakualifikuar për të qenë mësues. Kur këta jo vetëm janë mësues, po një pjesë e tyre kanë bërë dhe këtë shkollën e famshme të drejtorëve. Janë edhe drejtorë. Po duhet të japin prapë licencën për të qenë mësues.

Me këtë logjikë i bie që dhe këta nxënësit që qenkan nxënësit e këtyre dhe kanë mbaruar shkollën me mësues të palicencuar, a t'i kthejmë dhe njëherë dhe këtyre t'ju bëjmë provimet? Se e kanë marrë me mësues të palicencuar, pa leje. Çfarë ka ndodhur? Domethënë, këto janë absurditete.

 Apo si ne këtu, të nderuar kolegë, kemi mbaruar shumica besoj, ë, shkollat pa maturën shtetërore, se matura shtetërore është futur shumë më vonë dhe duhet të jesh shumë më i vogël, dhe të na thonë kur jemi për t'u kualifikuar për titullin profesori i asociuar, na thotë, o po ti s'ke bërë maturën shtetërore.

Shko, kthehu, bëj dhe njëherë maturën shtetërore, zonja Kumbaro dhe unë, të dyja bashkë, meqënëse të dyja nuk kemi bërë maturë shtetërore.

Dhe tani ligji e ka të bëjmë maturë shtetërore. Këto janë absurditete, të cilat ju i bëni me qëllim, duke ngatërruar qëllimisht kriteret e punësimit me kriteret e kualifikimit. Kriteret e punësimit sot për t'u bërë mësues e kanë të detyrueshme licencën.

Në kohën kur këta mësues janë punësuar, nuk ka qenë e detyrueshme licenca. Kanë marrë një diplomë e cila e kishte vetvetiu titullin mësues.

Dhe mbasi u fut sistemi i Bolonjës, nuk kishte më titullin mësues, por kishte mbaruar për mësuesi. Pra kur janë punësuar nuk ka qenë e nevojshme për ta pasur licencën dhe licenca është kriter punësimi.

Ndërsa kriter kualifikimi, ligji i ka të përcaktuara çfarë përmban dosja dhe si janë kualifikuar ata nga një stad, zonja Kumbaro, te stadi tjetër pa qenë të licensuar, sepse ata janë kualifikuar, kanë kaluar mësues i kualifikuar, ka kaluar mësues specialist pa licensuar.

Erdhe ti tani dhe shpike rrotën, që këta duhet të jenë të licensuar se kështu ta lexojnë ata juristët e paaftë që ke në ministri, apo ato drejtoreshat që ke në ministri që i ke të kërkuara, rresh pije, çfarë i ke atë Arta Dollanin atje, që e merr ministri më ministri dhe të bëjnë këto lloj udhëzimesh? Është totalisht shëmbje e sistemit juridik".

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco