Nga foltorja e Kuvendit, deputeti demokrat Klevis Balliu u shpreh se kompania shtetërore KAYO është kthyer në qendër të një skeme të dyshuar korruptive, ku sipas tij përfshihet drejtpërdrejt edhe biznesmeni izraelit Ron Yeffet, mik i kryeministrit Edi Rama.
Balliu deklaroi se Yeffet ka përfituar 49% të aksioneve të një kompanie me vlerë të madhe për vetëm 450 euro dhe më pas është bërë pjesë e një strukture që ka përfituar tendera miliona euro nga buxheti i shtetit.
Deputeti i PD-së theksoi se këto zhvillime tregojnë lidhje të dyshimta mes interesave private dhe qeverisë, duke e vendosur në qendër të përgjegjësisë politike kryeministrin Rama dhe mënyrën se si po menaxhohen fondet publike përmes kompanive shtetërore.
Fjala e plotë:
Përshëndetje të nderuar qytetarë. Këtë interpelancë e kam kërkuar sepse ka të bëjë me interesin kombëtar, i cili sot po cënohet vetëm për interesa korruptive dhe afera korruptive, tanimë jo nëpërmjet një kompanie apo një tjetër, por nëpërmjet krijimit të një kompanie shtetërore e cila bashkëpunon me kompani të tjera private për të ndërtuar afera korruptive. Kjo është kompania KAYO.
Kjo interpelancë bëhet për të kërkuar sqarime mbi një çështje që prek drejtpërdrejt sigurinë kombëtare të Shqipërisë, paratë e çdo taksapaguesi shqiptar dhe reputacionin e vendit tonë brenda NATO-s. Çdo qytetar shqiptar ka të drejtë të kuptojë se çfarë po ndodh me paratë dhe sigurinë e tij.
Në vitin 2024, Kuvendi miratoi një ligj për krijimin e një kompanie shtetërore, e quajtur KAYO, e cila drejtohet nga Ardi Veliu. Qëllimi i deklaruar ishte të krijohej një instrument shtetëror për prodhimin dhe tregtimin e pajisjeve ushtarake. Një ide e arsyeshme në vetvete, por ajo që ndodhi pas miratimit të ligjit nuk ka të bëjë me mbrojtjen e vendit, por ka të bëjë me afera të mirëfillta korruptive në cenim të sigurisë kombëtare të vendit.
Për shembull, kompania KAYO ka bashkëpunuar me kompaninë Timak SHPK të zonjës Arjeta Puca, një zonjë kjo e cila është promovuar shumë më përpara nga vetë kryeministri, madje e thirrur edhe në podkastin e tij, dhe me këtë kompani KAYO SHPK vendos të bashkëpunojë për të krijuar një kompani tjetër, e cila do të quhej Timak Defense.
Po çfarë ndodh me këtë kompani që deklaronte dhjetëra miliona euro xhiro? 49% e kësaj kompanie i shitet një personi që quhet Ron Yeffet. Ron Yeffet, miku i Edi Ramës, një njeri ky që ka ardhur dhe ka kërkuar edhe të blejë borxhin e Shqipërisë, një njeri ky që bashkëpunon edhe me biznesmenë të niveleve më të larta ruse, një njeri ky i cili është në hetim për afera korruptive të majme jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën, një njeri i cili gjithashtu është i përfshirë dhe ka përgjegjësi direkte për humbjen e vendimit të gjykatës në gjykatat ndërkombëtare të Shqipërisë me biznesmenin amerikan. Një njeri ky i cili vetëm hijet e tij e faktojnë përfundimisht lidhjen me korrupsionin dhe lidhjen me Edi Ramën.
Ky njeri blen këtë 49% të kësaj kompanie për vetëm 450 euro. 450 euro kushtoi kompania që bënte xhiro me miliona e miliona euro. Dhe çfarë ndodh? Pas katër muajsh që Ron Yeffet blen 49% të Timak, atëherë krijohet bashkë me Kauonn Timak Defense, e cila tre muaj më vonë merr 10.5 milionë euro tender në Ministrinë e Mbrojtjes. Të investosh 450 euro për 49% të një kompanie dhe për katër muaj të marrësh 10.5 milionë euro tendera. Dhe këtë e bën miku i Edi Ramës me kompanitë që krijon Edi Rama, Ron Yeffet.
Më 1 gusht 2025, Kayo bashkëthemelon me kompaninë MSC, kompaninë MKD Myslim Keta Defense, ku 80% i takon MSC-së dhe 20% i takon Kayos. Përsëri edhe kjo me një kapital qesharak prej 35,000 eurosh, njësoj siç ishte dhe Timak Defense. Për 35,000 euro. Po këto dy kompani, një shtetërore dhe një private, krijojnë një tjetër kompani që quhej Gun Tactical, ku 51% i takojnë Kayos dhe 49% i takojnë MSC-së, sërish me kapitalin qesharak prej 35,000 eurosh.
Duhet të kuptojmë, të nderuar miq, që kur është krijuar Kayos, ka pasur disa kritere të cilat i ka firmosur askush tjetër, si gjithmonë, Belinda Balluku si zëvendëskryeministre, e cila kërkonte që kriteret duhet të ishin të shkruara dhe duhet të ndiqeshin të gjitha një më një. Dhe çfarë thoshin kriteret? Duhet 15 milionë euro buxhet. Por ju keni 35,000 euro. Duhet që të kishit të paktën 400 punonjës. Ju s’keni asnjë, se me atë buxhet kë do punësoni.
Jo vetëm kaq, por Kayo SHPK e nisi me një vrull të jashtëzakonshëm. Çfarë ndodh? Me të krijuar këtë kompani, fillon sulmi ndaj mediave, përkatësisht News 24, të cilës i sulen për t’i marrë godinat, për t’i përvetësuar godinat për interesat dhe zyrat e tyre dhe bizneset e tyre, në një kohë që ky televizion po denonconte Kayon.
Por ky nuk është rasti i izoluar. Aktualisht, Kayo gjithashtu po kërkon t’i marrë pronën edhe familjes Dervishi në Babrru Kodër. Kjo familje e ka këtë pronë edhe me vendim gjykate të formës së prerë. Ky është, zoti ministër, vendimi i gjykatës së formës së prerë. Gjithashtu, ka vërtetimin edhe nga ASHK-ja që janë pronarë. Ky është dokumenti dhe do t’ua jap juve të gjitha t’i keni sot me vete.
Familja Dervishi ka edhe vërtetimin hipotekor. Familja Dervishi ka edhe vërtetimin nga gjykata për kthimin e pronës. Ka çdo dokument të mundshëm. Por ju nuk pyesni. Keni shkuar atje, ja keni marrë pronën, i keni dhunuar dhe i keni larguar nga prona e tyre dhe sot i keni bllokuar edhe rrugën për të shkuar në shtëpi. Dhe jo vetëm kaq, por po i merrni inertet dhe ia hidhni mu ndërmjet shtëpisë kësaj familjeje.
Dhe këta janë një familje që nuk janë kundër që qeveria të bëjë detyrën dhe të marrë një pronë në qoftë se i duhet për sigurinë kombëtare, por ata kërkojnë që të paguhen, t’u jepet qiraja, të bëhet një marrëveshje siç ndodh në çdo vend të botës, por jo të bëhet me dhunë.
Gjithashtu, Kayo është përgjegjëse sepse kjo kompani po bashkëpunon, por ato do t’i shkojmë në detaje në pjesën e dytë të kësaj interpelance, po bashkëpunon me kompani që janë aktualisht nën hetim nga NATO, ku të gjithë aleatët tanë, shtetet aleate, ia kanë pezulluar veprimtarinë për shkak se janë nën hetim për korrupsion, kurse këtu ajo vazhdon punën, vazhdon biznesin, vazhdon marrëveshjet, sepse këtu Kayo nuk është as për sigurinë kombëtare, as për sigurinë e qytetarëve, por është për të financuar dhe për të bashkëpunuar në vjedhjen e qeverisë shqiptare.
© SYRI.net