'Kthyet Shqipërinë në qendër të pastrimit të parave', Këlliçi: 'Jet bank' një nga arsyet pse shtyhen negociatat

'Kthyet Shqipërinë në qendër të pastrimit të parave', Këlliçi: 'Jet bank' një nga arsyet pse shtyhen negociatat

11:16, 23/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, gjatë fjalës së tij në seancën e sotme plenare tha se mazhoranca po shmang debatet parlamentare dhe po refuzon të japë llogari për çështje të rëndësishme që prekin qytetarët dhe institucionet e vendit.

Gjatë diskutimit në Kuvend, Këlliçi ngriti kritika të forta ndaj qeverisë, ku tha se kryeministri ka munguar në mënyrë të përsëritur në seancat plenare dhe se kërkesat e opozitës për interpelancë po rrëzohen sistematikisht, duke kufizuar transparencën dhe debatin parlamentar.

Ai u ndal gjithashtu te çështje që lidhen me institucionet dhe zhvillimet e fundit, duke përmendur AKSHI-n dhe duke ngritur shqetësime mbi menaxhimin dhe funksionimin e disa strukturave shtetërore.

Këlliçi solli në vëmendje edhe raste nga vende të tjera europiane, si Greqia, për të theksuar rëndësinë e llogaridhënies dhe hetimit të aferave korruptive.

Në fjalën e tij, deputeti demokrat kritikoi gjithashtu qasjen e qeverisë ndaj integrimit europian, duke akuzuar se opinionit publik po i jepet një realitet i deformuar mbi ecurinë e negociatave dhe progresin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Deklarata e plotë:

“ Tani këtu unë doja të flisja për procedurë, për rendin e ditës, për faktin që kryeministri në tetë muaj ka qenë në këtë sallë vetëm dy herë, për faktin që sa herë që këtu ka kërkesa për interpelancë, gjendet një arsye për t'u rrëzuar këto kërkesa.

Mund të jeni e vetmja qeveri në botë që nuk kërkoni dhe nuk dëshironi të flisni për arritjet tuaja, për programin tuaj, për punët që bëni. Se krenoheni që bëni punë.

Kisha, për të folur për rendin e ditës, për çështje që janë themelore, për AKSHI-n. Keni një shembull shumë të freskët nga Greqia ditën e djeshme, ku nga dje 12 deputetë nuk e kanë imunitetin, ju hoq imuniteti në parlamentin grek, për shkak se dyshohen të përfshirë në afera korruptive.

Shqipëria për pak i bie që ne jemi vend anëtar i BE-së, me sa dëgjova. Po këto janë mashtrime, janë skandaloze, duhet përgjegjësi e madhe të gënjesh në këtë formë.

Si flet ti, kur ti e ke kthyer Shqipërinë në vendin kyç të pastrimit të parave? Sot jemi në pikën që po kaloni të parën bankë dixhitale, për herë të parë Banka e Shqipërisë nuk kthen përgjigje.

Jemi në fazën që kemi hapur grup kapitujt, kemi hapur edhe grup kapitujt e tregut të brendshëm.

Do jetë kjo arsye, mbajeni mend, kjo banka dixhitale që keni kaluar, 'Jet Bank', do jetë arsye që do shtyhen negociatat. Mbajen mend këtu, këtu do jemi. Dhe nuk flisni kurrë.

Parafolësi që foli për integrimin e Shqipërisë në hapësirën imagjinare që ai ka të Bashkimit Europian, harron që vetëm dje foli komisionerja për zgjerim, Marta Kos, ku përmendi vetëm Malin e Zi, Islanda, përmendet Moldavia, por Shqipëria nuk ekziston më.

Dhe ky është një problem, ky është një problem që na përket të gjithëve.

Por nuk mund të vazhdojmë këtu të gënjejmë opinionin publik, gënjejmë qytetarët, gënjejmë dhe njëri-tjetrin dhe fshihemi pas artificave, jo ke dhe 10 sekonda, jo ke dhe 12 sekonda, jo 30 sekonda.

Rrimë këtu ta gdhimë po qe e nevojshme, të ezaurojmë të gjithë problemet që realisht prekin qytetarët. Ore duhet të flasim për AKSHI-n këtu.

Kryeministri të ka bërë avokatinë e Mirlinda Karçanajt, ka thënë, është e pastrehë, nuk di t'i japë makinës, nuk ka makinë. Doli zonja në fjalë me katër vila, me shofer privat, me dhjetëra mijëra metra truall në pronësi. Ore mban njeri përgjegjësi?

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco