Abuzimi me fondet e IPARD/  Mziu kërkon interpelancë: Po fshiheni pas SPAK! Peleshi e rrëzon: S’ndërhyjmë dot...

Abuzimi me fondet e IPARD/ Mziu kërkon interpelancë: Po fshiheni pas SPAK! Peleshi e rrëzon: S’ndërhyjmë dot...

10:36, 23/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Me debate ka nisur seanca e sotme në Kuvend, ku ligjvënësi demokrat Xhelal Mziu reagoi ashpër pas refuzimit të një kërkese të deputetëve të opozitës për interpelancë urgjente me ministren e Bujqësisë, për abuzimin me fondet e programit IPARD.

Deputeti demokrat Mziu, në emër të grupit të deputetëve kërkues, akuzoi drejtuesin e seancës se po anulon në mënyrë të padrejtë interpelancën, duke u fshehur pas një preteksti. Sipas tij, kërkesa për të debatuar mbi “situatën kaotike që po kalon bujqësia”, u bllokua me arsyetimin se përmendja e fondeve IPARD bie ndesh me kompetencat e SPAK.

 “Është absolutisht e paimagjinueshme. Parlamenti dhe SPAK-u janë dy institucione të ndryshme,” argumentoi Mziu. “SPAK merret me individët që bëjnë korrupsion, ndërsa deputetët marrin qeverinë në pyetje për problematikat e sektorit. Ne nuk kërkuam të bëhemi prokurorë për ministrin, por kërkuam të bëhemi avokatë i situatës kaotike që po kalon sot bujqësia,” shtoi ai, duke e cilësuar vendimin si “të padrejtë dhe të pavend”.

Nga ana tjetër, kryetari i Kuvendit argumentoi arsyet e refuzimit, me pretendimin se kërkesa e opozitës nuk i plotëson kushtet ligjore, pasi një pjesë thelbësore e saj lidhet drejtpërdrejt me fondet IPARD, të cilat janë objekt hetimi aktiv penal.

Xhelal Mziu, Deputet i PD: Unë dhe një grup deputetësh kishim kërkuar ka javë një interpelancë me ministrin e bujqësisë për shkak të situatës kaotike që po kalon bujqësia dhe në mënyrë të papritur, ju zoti kryetar, bëni anulimin e kësaj interpelance me pretekstin se ne futemi në kompetencën e SPAK-ut, sepse në interpelancë midis problemeve të shumta që ka sot bujqësia, ka të bëjë dhe me fondet e munguara të IPARD-it për bujqësinë. Dhe ju me pa të drejtë, meqenëse përmenden fondet e IPARD-it, thoni që bien ndesh me SPAK. Është absolutisht e paimagjinueshme. Nuk ka asnjë lloj konflikti. Parlamenti dhe SPAK-u janë dy institucione të ndryshme. Nëse SPAK-u apo prokuroria merret me individët të cilët bëjnë korrupsion, deputetët janë persona të cilët marrin qeverinë në pyetje apo në interpelancë për problematikat e sektorit, siç është bujqësia. Kështu që është e padrejtë, e pavend dhe duhet që të më jepet e drejta e interpelancës.

Niko Peleshi, Kryetar i Kubendit: Ju njoftoj se në Kuvendin e Shqipërisë është depozituar kërkesa me numër protokolli 1533, datë 8.4.2026. Siç e thatë ju, nga një grup deputetësh, grupi parlamentar i Partisë Demokratike, për interpelancë urgjente me ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Në vijim të kërkesës për interpelancë, për zhvillimin e një interpelance urgjente prapë me ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, paraqitur në mbështetje të nenit 80, pika 1 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenit 97 të rregullores së Kuvendit, pas shqyrtimit të përmbajtjes së saj, me shkresën e përmendur, është kthyer përgjigje për moskryerjen e interpelancës, pasi kërkesa nuk plotëson kushtet ligjore për t'u pranuar. Nga analiza e kërkesës suaj, konstatohet se një pjesë thelbësore e çështjeve të ngritura lidhen drejtpërdrejt me fondet e IPARD-it dhe administrimin e tyre, të cilat aktualisht janë objekt hetimi nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK. Në këto kushte, dhe ky parim është respektuar për të gjitha mocionet edhe interpelancat, zhvillimi i një interpelance parlamentare mbi çështje që janë subjekt i hetimit penal, do të cënonte parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, si dhe do të krijonte rrezik real për ndërhyrje apo ndikim në procesin hetimor. Në këto rrethana, kërkesa për zhvillimin e interpelancës nuk mund të pranohet. Në bazë të pikës 3 të nenit 89 të rregullores së Kuvendit, kur deputeti nuk është dakord me vendimin e kryetarit, çështja i shtrohet Kuvendit, i cili pasi dëgjon mendimin e kryetarit dhe të deputetit kërkues, jo më shumë se 10 minuta, vendos me votim të hapur dhe pa debat. Argumentet e mia i kam parashtruar në shkresën e përmendur më sipër

Xhelal Mziu, Deputet i PD: Para pak ditësh një grup deputetësh paraqitëm një kërkesë të drejtë kushtetuese për interpelancë me ministrin e bujqësisë. Po jo për retorikë, por për as për politikë, por thjesht për shqetësimin e jashtëzakonshëm që ka sot sektori më i rëndësishëm i ekonomisë shqiptare siç është bujqësia. Për një zgjidhje emergjente, sepse ajo po shkon në një regres të jashtëzakonshëm dhe në një kolaps, duke e kthyer, po themi, këtë sektor shumë të rëndësishëm në një sektor të dorës së dytë dhe jo vetëm që ndikon në ekonominë shqiptare, por ajo që është më kryesorja, ndikon dhe në shpopullimin e vendit për shkak të kësaj politike të pabazë. Ju e fshehët pas një justifikimi sepse është SPAK që po heton fondet e IPARD-it, por kjo është një shtrembërim i rrezikshëm i kushtetutës. Në nenin 80 të kushtetutës dhe nenin 97 i rregullores së Kuvendit janë të qarta, Parlamenti kontrollon qeverinë, prokuroria heton individët. Janë pra dy pushtete absolutisht të ndara, nuk përjashtojnë njëra-tjetrën. Ju po i përzini qëllimisht këto për të krijuar një alibi që të mos përgjigjet ministri. Ne nuk kërkuam të bëhemi prokurorë për ministrin, por ne kërkuam që të bëhemi avokatë i situatës kaotike që po kalon sot bujqësia. Dhe shqetësimet janë të jashtëzakonshme, sepse bujqësia është viti i gjashtë sot që është në një regres të jashtëzakonshëm. Ka qenë kontributori kryesor i ekonomisë shqiptare duke kontribuar jo pak, por më shumë sesa 20% të GDP-së. Është sektori që mbante peshën kryesore të bujqësisë në aspektin e të punësuarve, më shumë sesa 500.000, sot numri i të punësuarve në këtë sektor është rreth 300.000, pra i ulur 40% më pak vetëm në këto 12 vite. Kemi një regres duke filluar që nga viti 2020 që është me një rënie bujqësia me rreth 1%. Kemi vitin 2021 me 1.6%, kemi vitin 2022 me 4.8% rënie, kemi vitin 2023 me 1.3% rënie, kemi vitin 2025 me 1.73% rënie dhe absolutisht viti 2026 është më fatkeqi për bujqësinë, sepse jo vetëm fondet që janë akorduar në buxhetin e fillim vitit janë absolutisht minimaliste, nuk janë aspak progresive siç ishin në ndodh në rritjen e buxhetit të shtetit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco