Nga Petrit Vasili
Perla e natyrës shqiptare, Himara, është vënë nën sulmin mafioz të kullave të përbindshme të Ramës dhe qeverisë së tij.
Është dhënë leje për gjashtë kulla 16-katëshe në Himarë.
Çfarë masakre, çfarë urrejtje për çdo gjë me vlerë të këtij vendi.
As në ëndrrën më të keqe neve himariotëve nuk mund të na shkonte ndër mend se mund të ndodhte një menxyre shkatërrimtare prej betoni që mund të pllakoste në këtë mënyrë kriminale mbi Himarë.
Dhe të mendosh se firmën e ka vënë një kryeministër, që gjoja ka dhe lidhje gjaku me bregdetin, por që realisht është armiku më i egër që bregdeti himariot ka parë në qindra vjet histori të tij.
Shkoni në ishujt e Greqisë, ku zhvillohet një turizëm i përmasave botërore dhe nuk do të gjeni kurrë një kullë të vetme, sepse ata mbrojnë me shumë zgjuarsi dhe fanatizëm natyrën e bukur të tyre.
Çfarë vlere kanë kullat 16-katëshe në Himarë?
Zero vlerë kanë në çdo pikëpamje.
Por kanë shumë "vlerë" si justifikim për operacione financiare, që vijnë erë.
Pronarja që ka përfituar lejen e gjashtë kullave 16-katëshe është vetëm 23 vjeç, një ekonomiste me 60 mijë lekë të reja rrogë.
Është dita që të gjithë shqiptarët, nga veriu në jug e deri në Kosovë e Maqedoni, që pushojnë në Himarën e bukur, ta thonë fjalën e tyre dhe ta ngrenë zërin lart në mbrojtje të Himarës.
Monstra Rama nuk ndalet pa betonuar edhe detin, ndaj rrëmbeu Bashkinë e Himarës me të gjitha mjetet dhe format.
Urrejtja e mafies së ndërtimit dhe pastrimit të parave, me bekimin e qeverisë, është në sulm mbi Himarën e të gjithë shqiptarëve.
Të gjithë personalitetet nga bregdeti, intelektualë, gazetarë e politikanë, duhet ta thonë sot fjalën e tyre dhe të mos bëhen peng i interesave të vogla që jua mbyllin gojën, por të kujtojnë dashurinë vetmohuese të prindërve e gjyshërve tanë të mrekullueshëm, që e mbrojtën bregdetin himariot me kurajo e guxim shoqëror edhe në ditët e diktaturës.
Të flasim sot, se nesër, kur demi ka ndodhur, pra post mortum, fjala nuk i duhet as dreqit!
© SYRI.net