Hoti: Zjarri në Bushat nuk ndalet, banorët në rrezik nga helmi kancerogjen që çlirohet në ajër

20:28, 22/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Zjarri në landfillin e Bushatit vijon prej tre ditësh, duke rritur shqetësimet për ndotjen e ajrit dhe rrezikun për shëndetin e banorëve.

Nga terreni, deputeti i PD, Kliti Hoti i bëri thirrje institucioneve, veçanërisht Drejtorisë Rajonale të Mjedisit në Lezhë, të kryejnë matje urgjente të ajrit për praninë e dioksinës, si dhe analiza të ujërave nëntokësorë dhe tokës bujqësore.

Ai theksoi se dioksina klasifikohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë si kancerogjene e grupit të parë dhe kërkoi masa të menjëhershme për minimizimin e rrezikut për zonën dhe qytetin e Shkodrës.

Denoncimi Kliti Hoti:

Jam sot te landfilli i Bushatit. Dita e tretë, zjarri vazhdon. Drejtoria Rajonale e Mjedisit me qendër në Lezhë duhet të marrë masa urgjente për matjen e ajrit, të ndotjes së ajrit të dioksinës në ajër, të ujit nëndheshëm, të puseve, sigurisht edhe të tokës së të mbjellave. Është domosdoshmëri sepse nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, dioksina futet në grupin e parë kancerogjen dhe efekti vazhdon të jetë 7 deri 11 vite. Nuk duhet të neglizhohet, është shumë e rëndësishme për banorët e zonës, por edhe për Shkodrën. Të merren masa urgjente për parandalimin, të merren masa urgjente që të minimizojmë rriskun.  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco