Në një deklaratë për mediat, drejtuesja e Departamentit të Arsimit në PD, Lili Sula u shpreh se, gjendja e arsimit parauniversitar në Shqipëri ka arritur në një krizë të thellë që prek drejtpërdrejt cilësinë e edukimit, sigurinë profesionale të mësuesve dhe të ardhmen e nxënësve, duke u kthyer në një nga faktorët kryesorë të emigrimit të familjeve dhe rrënimit të besimit në sistemin arsimor.
Sula thekson se, në vend të një reforme reale dhe mbështetjeje për mësuesit, sistemi arsimor është zhytur në burokraci, pasiguri dhe zhvlerësim të figurës së mësuesit, ku edhe profesionistë me vite përvojë dhe kualifikime të fituara po përballen me presion, testime të përsëritura dhe rrezik për vendin e punës.
Ajo tha se, kjo situatë përfaqëson një dështim institucional dhe një qasje të qëllimshme që cenon dinjitetin profesional të mësuesve, i vendos ata nën shantazh dhe përdorim politik, ndërsa Partia Demokratike e konsideron këtë një agresion ndaj sistemit arsimor dhe kërkon ndërhyrje urgjente për garantimin e të drejtave të fituara të mësuesve dhe rikthimin e sigurisë në profesion.
Deklarata e plotë:
Të nderuar mësues, nxënës dhe bashkëqytetarë,
Arsimi parauniversitar dhe mungesa e cilësisë së tij përbëjnë sot krizën më të rëndë të shoqërisë, një ndër shkaqet kryesore të migrimit të familjeve, që po prek të rinjtë, madje edhe fëmijët.
Në shpërbërjen e vijueshme të arsimit gjatë viteve të Rilindjes, mësuesit ndjehen gjithnjë e më të kërcënuar dhe të pasigurt në vendet e punës; liritë dhe të drejtat e mësuesit janë thuajse të asgjësuara. Burokracitë e kanë zhvlerësuar figurën e mësuesit, dhe çdo vit e më shumë ata po shkëputen nga sistemi arsimor.
Një numër i konsiderueshëm mësuesish në të gjithë vendin, që janë të diplomuar para 2011, pas 15 vitesh në sistem, janë nën presion me vendin e punës, nën pretekstin e detyrimit për dhënien e provimit të shtetit në këtë profesion.
Edhe pse janë diplomuar në degë të mësuesisë me titullin ‘Mësues’ dhe e ushtrojnë këtë profesion prej 10 vitesh e më shumë, edhe pse në zbatim të ligjit performanca e tyre është vlerësuar dhe certifikuar në provimet që jepen për kategoritë – përsëri ata gjenden nën kërcënimin dhe pasigurinë e vendit të punës – diploma u zhvlerësohet, përvoja u mohohet dhe detyrohen të futen në testimin e licencimet.
Ata janë punësuar sipas kritereve të punësimit në ato vite përmes diplomës që i jep titullin ‘mësues’ dhe prej 2011 e në vijim kanë fituar kualifikimit që përcakton neni 59 i ligjit për sistemin parauniversitar.
Është absurde që pasi ka fituar titullin ‘mësues i kualifikuar’ dhe ‘mësues specialist’ – i kërkohet të testohet për fitimin e të drejtës së ushtrimit të profesionit!
Dështimi institucional i arsimit nuk mund t’u faturohet mësuesve që tashmë detyrohen të kthehen në pikën zero të profesionit, të fitimit të drejtës së ushtrimit të profesionit ndërsa kanë marrë shkallët e kualifikimit dhe kanë kryer trajnimet e përvitshme.
Ky absurditet, si dhe kërkesa për mësuesit që aspirojnë të jenë drejtues, duhet të kenë ciklin e studimeve të nivelit të dytë me 120 kredite – gjë që pengon të drejtën për zhvillimin e karrierës – ndërkohë që shteti e ofronte këtë master me 60 dhe 90 kredite – janë shprehje e zhvlerësimit të figurës së mësuesit, e zëvendësimit të profesionit me labirinte burokratike dhe e shkërmoqjes qelizore të sistemit.
Sot mësuesit kanë humbur sigurinë juridike pasi, partia shtet prodhon akte ligjore me të cilat i kushtëzon me vendin e punës dhe i sfidon në mënyrë ciklike me ligjet e nenet që prodhon.
Presioni ndaj mësuesve duke u mohuar një të drejtë të fituar dhe që e kanë ushtruar si profesion është pjesë e strategjisë së kësaj qeverie për mbajtjen e tyre nën shantazh dhe me qëllim, përdorimin e tyre politik.
Partia Demokratike, duke denoncuar këtë situatë si të motivuar politikisht, i bën thirrje Ministrisë së Arsimit të ndalojë menjëherë këtë agresion ndaj këtyre mësuesve dhe të ndërmarrë të gjitha hapat që siguron atyre të drejtën e fituar për ushtrimin e profesionit.
© SYRI.net