Në tryezën e rezidencës Maximos u diskutuan marrëdhëniet greko-shqiptare – mbështetja e Athinës për perspektivën europiane të Tiranës dhe kushtet e panegociueshme.
Nga Pierros I. Tzanetakos, TO VIMA
Me rastin e vizitës së tij në Greqi për të folur në Forumin Ekonomik të Delfit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u prit nga Kyriakos Mitsotakis në rezidencën Maximos.
Në agjendën e dy liderëve ishin marrëdhëniet dypalëshe, çështjet rajonale dhe veçanërisht procesi i integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.
Takimi u cilësua nga Mitsotakis si një mundësi për të evidentuar progresin në marrëdhëniet dypalëshe, duke përsëritur mbështetjen e Greqisë për rrugën integruese të Shqipërisë. Në fakt, Greqia që prej Samitit të Selanikut në vitin 2003 ka qenë një nga nxitëset kryesore të zgjerimit të BE-së në rajon.
Megjithatë, Athina nuk do të tërhiqet nga kërkesa për zbatimin e reformave të nevojshme, të parashikuara nga acquis communautaire. Në rastin e Shqipërisë, këto përqendrohen te shteti i së drejtës dhe respektimi i të drejtave të Minoritetit Kombëtar Grek.
Mitsotakis iu referua edhe “çështjeve të hapura” që vazhdojnë të ndikojnë marrëdhëniet mes dy vendeve.
Nga ana e tij, Edi Rama falënderoi Mitsotakis për mbështetjen ndaj Shqipërisë në rrugën drejt BE-së dhe u shpreh i lehtësuar, duke thënë se, sipas tij, gjithçka që ka ndodhur në të kaluarën, i përket së kaluarës dhe nuk ka më çështje të hapura.
Megjithatë, kujtesa e përplasjes së fortë mes Athinës dhe Tiranës mbetet e freskët, veçanërisht për shkak të çështjes së Fredi Belerit, kryebashkiak i zgjedhur i Himarës, i dënuar dhe i burgosur në Shqipëri dhe sot eurodeputet i Demokracisë së Re.
Në qendër të kësaj përplasjeje ishin edhe të drejtat e pronësisë së anëtarëve të minoritetit në Himarë dhe zona të tjera bregdetare në jug të Shqipërisë, të përfshira në planet zhvillimore të qeverisë Rama.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme greke po përgatitet të paraqesë një nismë për avancimin e zgjerimit të BE-së, e cila do të prezantohet gjatë mandatit të Greqisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurisë së OKB.
© SYRI.net