Kampi i Gjadrit, Ramaj: Dështim që i shërben Ramës, cënohen të drejtat e njeriut dhe sovraniteti i vendit

08:47, 22/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në studion e 'Kafe Shqeto', avokati Redi Ramaj foli mbi marrëveshjen Shqipëri–Itali për emigrantët, ku u shpreh se ky pakt ka rezultuar problematik që në zbatim dhe po provohet si i dështuar si për Italinë, ashtu edhe për Shqipërinë.

Ai theksoi se marrëveshja shkel të drejtat themelore të njeriut, ngre pikëpyetje serioze ligjore dhe është miratuar pa konsultim publik, duke cënuar në një farë mënyre edhe sovranitetin e vendit.

Avokati tha se, kjo marrëveshje i shërben më shumë interesave politike të kryeministrit Edi Rama, sesa interesave të Shqipërisë, duke u përdorur si një mjet për të përmirësuar imazhin e tij në arenën ndërkombëtare.

Pjesë nga deklarata:

Së pari duhet thënë që marrëveshja e Shqipërisë me Italinë pati probleme që në fillim, që me implementimin e saj. Sa i përket pjesës juridike të marrëveshjes, por edhe të gjitha problemeve, u provuan çështjet juridike, mungesa e konsultimit me banorët dhe situatat e rënda me të drejtat e njeriut në kampin e Gjadrit. Kjo marrëveshje, në mendimin tim, u provua si joeficiente. Joeficiente për Italinë dhe jo e mirë, jo dobiprurëse për Shqipërinë.

Kjo do të thotë që jemi përpara një situate ku jo vetëm që nuk kemi pasur konsultim për këtë marrëveshje, e cila në një farë forme i jep territor Italisë, pavarësisht diskutimeve që është provizore e të tjera. Pra, këto janë justifikimet që kanë bërë politikanët që kanë dashur ta mbrojnë këtë marrëveshje, por fakti është që shkelen të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

Fakti që ne jemi kthyer në një lloj mundësie për “zgjidhjen”, në thonjëza, të problemit të emigracionit të Italisë apo të Evropës, duket qesharak, sepse nëse në atë kamp vijnë aq pak njerëz sa kanë ardhur deri tani, aq pak emigrantë, kjo është një çështje krejt e pakonsiderueshme dhe e papërfillshme për problemin e emigracionit që ka Evropa.

Vendimet e gjykatave italiane, kryesisht të Gjykatës së Romës, por edhe të gjykatave të tjera, kanë thënë që kjo është shkelje e hapur e lirive dhe e të drejtave themelore të njeriut. Askush, asnjë qytetar i huaj që zbarkon në Itali ose mbërrin në territorin italian, nuk mund të dërgohet në një territor tjetër për të vazhduar procedurat e azilit apo për kërkesat e tyre.

Pra, këtu kemi probleme ligjore si nga ana e Shqipërisë, ashtu edhe nga ana e Italisë. Edhe vetë Bashkimi Evropian ka shprehur deklarata dhe qëndrime jo pozitive për këtë marrëveshje midis Shqipërisë dhe Italisë dhe nuk i ka inkurajuar shtetet e tjera të Bashkimit Evropian të bëjnë të njëjtën gjë duke ndjekur shembullin e Italisë.

Kështu që, në fakt, jo vetëm që për Shqipërinë dhe për kryeministrin ishte shumë e thjeshtë që jo vetëm të mos konsultohej, por ta bënte fakt të kryer, por tani, duke shtuar marrëveshjen dhe duke bërë një marrëveshje tjetër, tregon edhe njëherë që kjo është vetëm për interesa personale të kryeministrit dhe jo për interesat e Shqipërisë apo për ndonjë interes në perspektivë të Bashkimit Evropian të Shqipërisë.

Çështja është si të përmirësojë Edi Rama imazhin e tij në Bruksel dhe ai përdor forma të ndryshme, kryesisht nëpërmjet Melonit, për ta arritur këtë gjë, ndërsa Shqipëria thjesht përdoret si një vegël për të arritur synimet e kryeministrit.

Kështu që këtu jo vetëm që kemi abuzime, por kemi edhe një situatë jo normale në Gjadër. Është thënë edhe më herët për problemet e sigurisë dhe problemet që qytetarët atje mund të vuajnë, njerëz edhe me shtetësi të huaj. Pavarësisht çfarë shtetësie kanë, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë thotë që ata duhet të trajtohen sipas ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Nëse nuk trajtohen sipas ligjeve të Republikës së Shqipërisë, duke qenë se i është dhënë një fuqi tjetër territorit të Gjadrit ose kampit të Gjadrit nga kryeministri, atëherë duhet të trajtohen sipas ligjeve italiane. Duhet të kenë akses, minimalisht, te një avokat, të kenë komunikim me familjen, të kenë akses në institucione dhe në drejtësi, por të gjitha këto nuk funksionojnë.

Ne nuk e dimë se çfarë ndodh atje, pasi janë kampe të mbyllura, hermetike. Nesër ose pasnesër, në çdo rast, problemi dhe turpi, mendoj, do t’i mbetet Shqipërisë, sepse edhe pse i është dhënë një lloj ekstraterritorialiteti atij kampi, ai ndodhet në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe të gjitha veprimet bëhen nëpërmjet saj.

Nëse një anije luftarake italiane vjen me një emigrant nga Bari ose nga një qytet tjetër i Italisë dhe zbarkon në Gjadër, kjo do të thotë që marrëveshja ka dështuar totalisht, sepse numri i azilkërkuesve dhe i emigrantëve në Evropë është shumë i madh dhe këto lloj manovrash janë thjesht për betejë ose për fitore të vogla politike që liderët evropianë kërkojnë t’i transmetojnë në Bruksel.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco