Ministrja braktis me arrogancë komisionin/ Shmang pyetjet e Boçit për Agjencinë e krijuar nga Kumbaro në konflikt interesi

Ministrja braktis me arrogancë komisionin/ Shmang pyetjet e Boçit për Agjencinë e krijuar nga Kumbaro në konflikt interesi

19:37, 21/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Mbledhja e sotme e Komisionit për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, e drejtuar nga kryetari Luciano Boçi, u shoqërua me tensione, pasi ministrja Mirela Kumbaro braktisi seancën dëgjimore, duke refuzuar të përballet me pyetjet e ngritura mbi projektligjin për Agjencinë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore (AKSHA).

Në nisje të mbledhjes, Boçi sqaroi se ministrja kishte kërkuar dje një ndërprerje 20-minutëshe, por në fakt mungesa e saj zgjati më shumë, duke mos u rikthyer në komision. Sipas tij, kjo përbën shmangie të plotë të detyrimit për raportim parlamentar.

Gjatë diskutimit të sotëm, Boçi riktheu në vëmendje se projektligji për AKSHA nuk është konsultuar me shoqërinë civile dhe sindikatat, ndërsa ngriti edhe shqetësime serioze për konflikt interesi në lidhje me strukturat që do të përfshihen në funksionimin e agjencisë.

Ai kërkoi përgjigje konkrete lidhur me rolin e një kompanie që, sipas tij, do të përfshihet në menaxhimin e një investimi nga buxheti i shtetit. Sipas Boçit, pas këtij mekanizmi qëndron Albanian American Development Foundation (AADF), për të cilën ai ngriti pikëpyetje mbi mënyrën e përfshirjes dhe transparencën e procesit.

“Po krijohet një strukturë ku fondet publike hapin rrugën për përfshirje të aktorëve të caktuar pa garë dhe pa transparencë,” theksoi ai.

Boçi argumentoi gjithashtu se projektligji bie ndesh me standardet e Bashkimit Europian dhe me kërkesat e Kapitullit 26 për arsimin. Ai renditi disa problematika kryesore: mungesën e pavarësisë institucionale, përqendrimin e vendimmarrjes tek ministri, mungesën e transparencës dhe auditimit të pavarur, kontrollin politik mbi të dhënat arsimore, përfshirjen e donatorëve në vendimmarrje dhe konceptin e vetëfinancimit të një institucioni që nuk duhet të jetë fitimprurës.

Në vijim, Boçi ngriti një pyetje thelbësore: cili vend i Bashkimit Europian funksionon me një model të tillë “mega-agjencie” pa autonomi dhe pa pavarësi? Një pyetje që, sipas tij, mbeti pa përgjigje.

Sipas raportimit nga mbledhja, ministrja Kumbaro nuk iu përgjigj pyetjeve teknike dhe kërkesave për shembuj konkretë, duke zgjedhur të largohet nga seanca, çka u interpretua nga kryetari i komisionit si shmangie e drejtpërdrejtë e llogaridhënies parlamentare.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco