SYRI TV
Teksa qeveria e trumbeton me të madhe paketën e maleve si një mundësi e mirë investimi, ndryshe mendojnë blegtorët e Pirgut në Maliq. Ata shprehen se zbatimi i paketës së maleve ka kufizuar kullotat për bagëtitë dhe burimet e ujit i ka bërë të pa arritshme për ta. Blegtorët kërkojnë ndihmë nga qeveria pasi për ta blegtoria është e vetmja mundësi jetese për familjet e tyre
Zbatimi i paketës së maleve ka shkaktuar probleme te banorët e fshatit Pirg në Bashkinë Maliq, të cilët po përjetojnë një situatë të vështirë për shkak të mungesës së kullotave dhe sigurimit të ujit për bagëtitë.
Ata thonë se problemet janë shfaqur pas zbatimit të paketës së maleve, e cila sipas tyre ka kufizuar përdorimin e tokave që më parë i shfrytëzonin lirshëm.
Sipas blegtorëve, për vite me radhë këto zona që përdoreshin për kullota tashmë janë kufizuar prej paketës së maleve dhe tani një pjesë e mirë e tyre është rrethuar dhe nuk mund të përdoret më.
Ata ngrenë shqetësimin se edhe burimet e ujit janë bërë të paarritshme, duke e vështirësuar kujdesin për bagëtitë.
Në mungesë të alternativave, ata detyrohen t’i çojnë bagëtitë në zona të papërshtatshme, si pranë lumenjve, duke rrezikuar edhe ndëshkime për shkelje të rregullave në fuqi.
Banorët e Pirgut shprehen se këto problematika kanë vite që ekzistojnë, por kohët e fundit janë thelluar edhe më shumë. Ata u bëjnë thirrje institucioneve për zgjidhje të menjëhershme, pasi në të kundërt mund të detyrohen të heqin dorë nga blegtoria si burim jetese.
© SYRI.net