I ftuar në emisionin “Kafe Shqeto”, analisti Genc Burimi theksoi se kryeministri Edi Rama po ndjek një strategji të qartë të dyfishtë në politikën e jashtme, duke u përpjekur të balancojë mes kampeve kundërshtare në SHBA dhe më gjerë, në funksion të interesave të tij politike.
Burimi shprehet se, pjesëmarrja në samite dhe qëndrimet e fundit në arenën ndërkombëtare nuk janë të rastësishme, por pjesë e një loje të kalkuluar për t’u pozicionuar sipas zhvillimeve globale, veçanërisht në prag të dinamikave politike në SHBA.
Analisti tha se, këto lëvizje ekspozojnë një mungesë qëndrueshmërie dhe krijojnë perceptimin e një loje me “dy porta”, duke ngritur pikëpyetje mbi besueshmërinë e Shqipërisë si partner strategjik.
Pjesë nga deklarata:
Çështja nuk është nëse vjen apo nuk vjen Rama në parlament, sepse ai është pjesë e këtij parlamenti. Duke e çuar çështjen në parlament, pikërisht synohet t’u tregohet amerikanëve kush janë sot partnerët e tyre të sinqertë në Shqipëri. Duke i dhënë bujë kësaj afere, përtej nesh gazetarëve apo meje personalisht, dhe duke e çuar këtë realisht në një sferë politike dhe parlamentare, synohet që ambasadat ta shohin. Qoftë ambasada amerikane, për të kuptuar sesi po i tradhton Edi Rama, si po i fut një thikë në kurriz kësaj administrate në një mënyrë të paparë, të padëgjuar.
Në Bordin e Paqes, ku u bë thirrje për paqe, ai e varroste OKB-në aktuale si të pafuqishme, ndërsa sot është në bordin anti-Trump, ku një nga temat sepse pati shumë tema në Barcelonë ishte kundër luftës ndaj Iranit, kundër luftës ndaj Kubës, por edhe për rivitalizimin e OKB-së aktuale, duke përjashtuar nga Këshilli i Sigurimit, sigurisht si ide, fuqitë që shkaktojnë luftë, SHBA-në dhe Rusinë. Kjo u tha në Barcelonë. Pra, Rama ishte edhe te Bordi i Paqes i Trump-it, ku të varrosej OKB-ja, edhe te bordi anti-Trump në Barcelonë, ku kjo OKB të rimarrë fuqi si më parë.
Dhe prandaj kësaj i shërben kjo seancë parlamentare, nëse arrihet dhe zhvillohet: që amerikanët ta shohin, që ambasada e tyre me ambasador apo pa ambasador, s’ka rëndësi të kuptojë edhe njëherë se çfarë loje të dyfishtë po bën Edi Rama. Flasim për Vuçiçin që luan me dy porta. Vuçiçi luan midis Brukselit, Pekinit dhe Moskës dhe këtë do ta shohim pas dy ose tre javësh, me shumë gjasë më 9 maj në Kremlin, në ceremoninë e fitores mbi nazizmin. Por edhe Rama sot luan me dy porta. Luan midis Trump-it dhe kundërshtarit të tij, George Soros-it.
Kjo e bën Ramën edhe pse amerikanët nuk kanë nevojë për një seancë parlamentare për të kuptuar se çfarë jo thjesht gafe, por çfarë tradhtie i bëri kësaj administrate në Barcelonë gjithsesi është mirë që kjo të bëhet publike. Është mirë që t’i hiqet maska, që të kuptohet se Edi Rama nuk është më një lider i besueshëm, por dikush që të godet pas shpine. Nëse ai arrin me këtë guxim të tradhtojë presidencën e fuqisë së parë në botë, çfarë e pengon të tradhtojë më pas miqtë e brendshëm apo aktorët politikë, qoftë opozitën, qoftë njerëzit brenda partisë së tij? Ky është mesazhi që del.
Rama, si të thuash, edhe njëherë luan me dy porta. Duke i bërë këtë “qokë” Alex Soros-it, një kërkesë e tij, Rama pozicionohet për zgjedhjet “midterms”. Nëse Trump dështon në ato zgjedhje, Rama do të jetë i pari që do ta braktisë dhe do t’i thotë Soros-it: “Unë jam i juaji, kam qenë gjithmonë i juaji. U detyrova të shkoja te Bordi i Paqes për shkak të situatës. Kisha frikë nga një revansh i asaj administrate, se mund të vihej në lëvizje SPAK-u kundër meje.” Kjo është ajo që po bën Rama sot.
Ai po ndjek një lloj “rezistence”, siç ishte edhe narrativa e Trump-it ndaj partive reaksionare të djathta një motiv i përsëritur në Barcelonë. Edhe Rama ka këtë ide: rezistencë deri në nëntor, derisa të kalojnë zgjedhjet, dhe më pas ta shfaqë më hapur afrimin me Soros-in dhe kundërshtinë ndaj Donald Trump-it.
Për mua, kjo lidhet edhe me zhvillimet në drejtësinë shqiptare dhe kontaktet në Washington. Nuk ka shumë kohë për Edi Ramën, nëse kjo administratë kërkon vërtet llogari. Momenti është tani. Nëse drejtësia do të veprojë, duhet të veprojë tani, sepse më pas, nëse SHBA-të hyjnë në një bashkëjetesë politike një president i djathtë me një Kongres të krahut tjetër ekziston rreziku që SPAK-u të neutralizohet më tej. Nëse demokratët rikthehen në fuqi në Kongres, duhet të kujtojmë se SPAK-u konsiderohet si një krijesë e tyre, madje edhe e fondacionit Soros, sipas kësaj perspektive.
Pra, kjo është loja që po luan Rama. Koha është e kufizuar katër deri në pesë muaj. Ai duket se ka arritur disi ta vërë në një gjendje letargjie këtë administratë duke marrë pjesë në Bordin e Paqes dhe duke shkuar në parlamentin izraelit, në Knesset. Por sot ai nuk po tradhton vetëm SHBA-në; po tradhton edhe Izraelin. Në Knesset ai mbajti një fjalim të ashpër kundër Iranit, dha intervista në shtypin izraelit në të njëjtën linjë, duke e paraqitur Shqipërinë si një nga vendet më të vendosura kundër Iranit. Ndërkohë sot merr pjesë në një samit dhe deklaron: jo luftës kundër Iranit.
© SYRI.net