Vlora/ Enkel Peza dhe rrjeti familjar i ‘Rilindjes’

Vlora/ Enkel Peza dhe rrjeti familjar i ‘Rilindjes’

17:29, 20/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në vitin 2019, Enkel Peza ishte këshilltar ligjor pranë Gjykatës Administrative të Tiranës. Ai ndoqi një kurs të përshpejtuar 1-vjeçar “ex officio” në Shkollën e Magjistraturës dhe, në vitin 2020, u emërua gjyqtar në Gjykatën e Vlorës.

Vetëm tre vjet më vonë, në korrik 2023, Peza u zgjodh zëvendëskryetar i gjykatës, duke ushtruar edhe funksionet e kryetarit, për shkak të mungesës së emërimit zyrtar nga KLGJ.

Familja Peza është e lidhur ngushtë me Partinë Socialiste: babai i tij, Baqif Peza, ka qenë anëtar i Këshillit Bashkiak të Kavajës me siglën e PS-së, ndërsa motra, Matilda Peza, ka drejtuar zyrën e Hipotekës në Kavajë gjatë qeverisjes së Ramës. Pas këtij funksioni, ajo u pranua në Shkollën e Magjistraturës dhe sot shërben si prokurore në Vlorë.

Prokurorja Peza u bë e njohur publikisht kur drejtoi operacionin me sfond politik që çoi në arrestimin e kandidatit të opozitës për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri, vetëm tre ditë para zgjedhjeve lokale të vitit 2023.

Ndërkohë, Enkel Peza jo vetëm që ka në dorë drejtimin e Gjykatës së Vlorës, por është edhe pjesë e trupës së Kolegjit Zgjedhor, që certifikoi së fundmi mandatin e katërt të Edi Ramës. Burime të ndryshme flasin se atij i është premtuar edhe një transferim në Tiranë, në kundërshtim me parashikimet e Kodit Zgjedhor.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco