Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar në Facebook lidhur me hetimet e SPAK, duke i cilësuar ato si "episod tjetër pse une jam ne paraburgim" dhe një përpjekje për të shpikur akuza pa lidhje me të.
Në një postim, Meta thekson se ligji për minierat u paraqit në Kuvend nga Damian Gjiknuri, ministër i Edi Ramës, ndërsa shqyrtimin në komisionet parlamentare e drejtoi një tjetër "rilindas". Ai shton se, sipas akuzës së SPAK-ut, amendamentin e solli deputetja socialiste Eglantina Shkjau, ndërsa fjalimin kryesor e mbajti vetë kryeministri Rama.
"Edhe më analfabeti në këtë vend do i bënte pyetjen vetes: Po ç’lidhje ka me këtë ligj, Kryetari i Kuvendit që është 1 nga 140 deputetët?", shkruan Meta, duke nënvizuar se ligji ka prekur të paktën 300 subjekte minerare në atë kohë, numri i të cilave sot thuhet se ka arritur në mbi 600.
Ai akuzon SPAK-un se po kryen "gërmime arkeologjike" për të shpikur lidhje të rreme me të, ndërsa injoron vendimet e Ramës. "Për ligjet dhe vendimet që bën Edi Rama i bën me porosi, nuk kanë takat, jo t’i hetojnë por as t’i shikojnë", nënvizon Meta.
Postimi i Metës:
“𝐄𝐩𝐢𝐬𝐨𝐝𝐢” 𝐭𝐣𝐞𝐭𝐞̈𝐫, 𝐩𝐬𝐞 𝐮𝐧𝐞̈ 𝐣𝐚𝐦 𝐧𝐞̈ 𝐩𝐚𝐫𝐚𝐛𝐮𝐫𝐠𝐢𝐦.
Është superfantastike, ligjin për minierat, e solli në Kuvend, Z. Gjiknuri, ministri i Edi Ramës dhe po kështu shqyrtimin e tij në komisionet parlamentare e drejtoi një “rilindas” tjetër.
Siç thotë vetë SPAK-u në akuzë, amendamentin për ndryshim e solli deputetja e PS-së, E. Shkjau.
Ndërsa fjalimin, plot me bekime, për ligjin e jashtëzakonshëm të minierave, që ndau dy epokat, e mbajti vetë Edi Rama.
Edhe më analfabeti në këtë vend, do i bënte pyetjen vetes: Po ç’lidhje ka me këtë ligj, Kryetari i Kuvendit që është 1 nga 140 deputetët?
A nuk e dinë “specialët” se ky ligj ka prekur në atë kohë të paktën 300 subjekte në fushën e minerave, të cilat sot, thuhet se janë mbi 600?
“Specialët” vazhdojnë me gërmime arkeologjike për të shpikur thashetheme, që nuk kanë asnjë lidhje me Ilir Metën, sepse për ligjet dhe vendimet që bën Edi Rama i bën me porosi, nuk kanë takat, jo t’i hetojnë por as t’i shikojnë.
© SYRI.net