Një debat është zhvilluar në Këshillin Bashkiak të Vlorës lidhur me projektvendimin për ndërtimin e një strehëze për qentë endacakë. Këshilltari bashkiak, Atird Hoxha, ka kundërshtuar projektin, duke ngritur shqetësime mbi kostot e larta dhe raportin e tyre me nevojat sociale të qytetarëve.
Sipas Hoxhës, ndonëse ngritja e një strehëze për kafshët është një nismë e domosdoshme, fondet e parashikuara janë të pajustifikuara. Ai thekson se projekti parashikon një kosto totale prej rreth 260 mijë euro për një periudhë 8-mujore, çka përkthehet në rreth 260 euro në muaj për çdo qen.
“260 euro për një qen… po për qytetarët në nevojë sa paguhet?” – është shprehur ai, duke vënë në dukje kontrastin me ndihmën ekonomike dhe mbështetjen sociale.
Në detajet e projektit përfshihen paga për 6 punonjës, shpenzime operative dhe investime në një ambient me qira, ku vetëm qiraja llogaritet rreth 2 mijë euro në muaj, ndërsa kostoja e kafazeve arrin në rreth 50 mijë euro.
Nga ana tjetër, në buxhetin e vitit 2026, fondi për shtresat në nevojë dhe personat me aftësi të kufizuar është rreth 310 mijë euro në vit, ndërsa ndihma ekonomike për familjet mbetet në nivele të ulëta, rreth 35 euro në muaj.
Hoxha ka theksuar se nuk është kundër trajtimit të kafshëve, por kërkon rishikim të kostove, transparencë dhe një shpërndarje më të drejtë të fondeve publike, duke i dhënë përparësi qytetarëve në nevojë.
Projektvendimi është miratuar me votat e këshilltarëve të majtë, ndërsa këshilltarët e djathtë kanë votuar kundër, duke kërkuar uljen e kostove dhe rishikimin e tij.
© SYRI.net