Dedaj: Heshtja e ndërkombëtarëve përballë kanabizimit dhe krizës demokratike është alarmante

08:49, 20/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gazetari Reldar Dedaj nga studio e “Kafe Shqeto” tha se Shqipëria po përballet me një krizë të shumëfishtë, e cila sipas tij nuk është thjesht e brendshme, por edhe rezultat i një qasjeje të gabuar apo neglizhente nga faktorët ndërkombëtarë ndër vite. Në analizën e tij, ai thekson një sërë zhvillimesh kanë ndikuar në deformimin e modelit demokratik dhe ekonomik të vendit, duke krijuar një realitet që po thellohet çdo ditë.

Dedaj nënvizon se fenomeni i kanabizimit të Shqipërisë u zhvillua për një kohë të gjatë në sy të të gjithëve, përfshirë edhe partnerët ndërkombëtarë, pa marrë reagimin e duhur.

Ai i referohet dëshmive dhe raportimeve të gazetarëve të kronikës, të cilët kanë sjellë fakte dhe deklarata mbi përhapjen masive të kultivimit të kanabisit, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi rolin dhe vëmendjen e institucioneve përgjegjëse.

Një tjetër shqetësim madhor që ai ngre është shpopullimi i vendit, i cili nuk është më një fenomen i zakonshëm migrimi, por një tregues alarmant i mungesës së besimit te institucionet dhe i një sistemi që po rrëshqet drejt autokracisë.

Në këtë kontekst, Dedaj e lidh drejtpërdrejt këtë fenomen me modelin ekonomik që është ndërtuar në Shqipëri, të cilin e cilëson si problematik dhe të paqëndrueshëm.

Sipas tij, ekonomia shqiptare është mbështetur në mënyrë disproporcionale mbi partneritetet publike-private (PPP) dhe koncesionet, duke lënë pas dore prodhimin real dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Ai argumenton se një model i tillë është tipik për sistemet autoritare, ku ekonomia kontrollohet nga një numër i kufizuar aktorësh dhe nuk reflekton interesin e gjerë publik.

Deklarata e plotë:

"Them është krizë, është krizë e ndërkombëtarëve bazuar mbi disa indikatorë historikë që kanë ndodhur të paktën nga 2013-a dhe deri në 2026-ën. Është fakti që në Shqipëri ndodhi kanabizimi i vendit përballë syve të ndërkombëtarëve.

Madje-madje arriti deri aty sa Shqipëria dhe njerëzit që janë marrë me terrenin, kryesisht gazetarët e kronikës, kanë dhënë deklarata shokuese dhe fakte shokuese në raport me përhapjen e madhe të kanabizimit dhe ndërkombëtarët për hir të së vërtetës nuk e panë.

Shpopullimi i jashtëzakonshëm që po i ndodh Shqipërisë dhe edhe kjo ka treguar një lloj institucionalizimi të autokracisë në vend.

Ke modelin ekonomik që ka krijuar Shqipëria dhe është një nga modelet më skandaloze që mund të prodhojë, vetëm sistemet autoritare prodhojnë modele të tilla ekonomike, të ndërtuara mbi PPP-të dhe koncesionet, ku prodhimi e ke zero. Mund të shohësh importet dhe eksportet.

Ke paranë, futjen e parave të pista në sektorin e ndërtimit dhe veçanërisht në kryeqytet dhe e gjithë Riviera shqiptare, bregdetit.

Ka një problem shumë të madh me mënyrën e urbanike së vendit, pra modeli urbanistik i Tiranës që ka shkatërruar gjithë Shqipërinë dhe veçanërisht demokracinë e brendshme dhe demokracinë në përgjithësi, sepse përqendrimi i gjithë ekonomisë këtu dhe popullsisë krijon një lloj oligarkie, krijon një lloj institucionalizimi të oligarkisë ekonomike edhe politike në vend dhe përballë ndërkombëtarët nuk e shohin".

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco