Dhuna e ushtruar nga policia ndaj protestuesve në protestën e djeshme të PD-së ishte e pajustifikuar dhe e faktuar nga pamjet filmike. Franc Nuri ka paralajmëruar ndërmarrjen e hapave ligjorë ndaj përgjegjësve.
Këshilltari ligjor i Grupit Parlamentar të PD-së, avokati Franc Nuri, i ftuar në edicionin informativ të lajmeve në Syri TV, ka denoncuar dhunën e ushtruar ndaj protestuesve të opozitës, duke e cilësuar me prapavijë intimidimi, ndërsa paralajmëroi se Partia Demokratike po shqyrton hapa ligjorë ndaj efektivëve që kanë tejkaluar kompetencat.
Ai theksoi se kjo situatë mund të jetë si pasojë e një strategjie për të frikësuar qytetarët, ashtu edhe shenjë e humbjes së kontrollit nga qeveria, duke nënvizuar se reagimi i opozitës do të vijojë si në rrugë ligjore, ashtu edhe përmes formave të tjera të protestës.
Pjesë nga deklarata:
Absolutisht, është e vërtetë. Madje, në shumë raste u janë grisur edhe rrobat, veshjet dhe çdo gjë tjetër. Faktet tregojnë mjaft qartë se kush ishin dhunuesit dhe kush ishin viktimat në këtë rast.
Këto janë vendimmarrje që më pas mund t’i takojnë edhe Partisë Demokratike dhe strukturave të saj. Mendoj se është një opsion që duhet marrë seriozisht në konsideratë, pse jo, për të kryer edhe kallëzime penale ndaj çdo personi që mund të ketë tejkaluar kompetencat apo të ketë shpërdoruar detyrën, cilido qoftë ai, me uniformë apo pa uniformë. Por është një vendimmarrje që i takon strukturave të Partisë Demokratike, të cilat do ta marrin në një moment të dytë.
Ndërkohë, ne si juristë dhe si avokatë pranë Partisë Demokratike jemi të angazhuar për të ndjekur procesin tashmë përpara gjykatës, e cila do të vendosë brenda afateve ligjore. Normalisht, brenda 48 orëve nga momenti që dosja paraqitet nga ana e prokurorit të gatshëm te gjykatësi i gatshëm, atëherë është e drejta dhe detyrimi i gjykatës për të mbajtur seancën e caktimit të masës. Ne do të jemi aty prezent për të bërë ç’është e mundur që të lirohen ata protestues që mbahen aktualisht të arrestuar nga forcat RENEA.
E ndoqa edhe deklaratën e zotit Kalaja dhe ndjej keqardhje për ngjarjen që ai ka pësuar, si edhe për shumë aktivistë, deputetë të Partisë Demokratike dhe qytetarë të tjerë që janë dhunuar dhe kanë përfunduar në spitale. Edhe fotoreporteri Feliks Bilani është një tjetër person i dhunuar në mënyrë barbare nga policia. Është për të ardhur keq që persona që janë të pranishëm pothuajse në të gjitha protestat e shoqërisë civile dhe të opozitës, kur kauza është e drejtë, duket sikur janë të shënjestruar. Çuditërisht, janë pikërisht personat më aktivë në protestat e Partisë Demokratike që janë goditur, qoftë me sprej apo mjete të tjera, duke pësuar lëndime që i detyruan shumë prej tyre të marrin ndihmë mjekësore apo të përfundojnë në spital.
Sa i takon pyetjes tjetër, mendoj se ka dy aspekte. Aspekti i parë mund të jetë ai që përmendët ju: një rritje e shkallës së dhunës policore për të intimiduar dhe frikësuar qytetarët, në mënyrë që herën tjetër ata të hezitojnë të dalin në protesta në mënyrë masive. Por mund të jetë edhe opsioni i dytë, që kjo dhunë vjen si pasojë e frikës së regjimit. Sa më shumë zgjatet tensioni, aq më shumë rritet frika dhe situata mund t’i dalë nga kontrolli, duke çuar në reagime disproporcionale që nuk duhej të ndodhnin, pasi nuk kishte as shkak dhe as arsye nga ana e protestuesve për të arritur në nivele të tilla dhune, të papara në vitet e fundit.
Kështu që të dyja mund të jenë të vlefshme: mund të tregojë si një përpjekje për intimidim, ashtu edhe një shenjë frike. Megjithatë, mendoj se kjo nuk do ta arrijë qëllimin, sepse shumë prej protestuesve që u dhunuan ndihen edhe më të vendosur për të marrë pjesë sërish dhe për të qenë më rezistentë.
Unë e kam thënë edhe herë të tjera se protestat në Shqipëri nuk janë aspak të dhunshme. Në vende të tjera europiane ka protesta me nivele shumë më të larta përplasjesh, ku dhuna nuk ndodh vetëm mes protestuesve dhe forcave të rendit, por përfshin edhe biznese private, banka dhe institucione të ndryshme. Pra, protestuesit e kanalizojnë mllefin edhe ndaj këtyre faktorëve. Në Shqipëri nuk ka ndodhur një gjë e tillë.
Megjithatë, nuk dihet se si mund të përshkallëzohen ngjarjet në të ardhmen. Është e vërtetë që është ndjekur disa herë e njëjta metodë proteste dhe ndoshta duhet një alternim apo ndryshim. Por kjo nuk më takon mua ta përcaktoj, pasi unë mbaj pozicionin e avokatit dhe juristit pranë Partisë Demokratike dhe grupit parlamentar. Vendimet për format e protestave u takojnë drejtuesve të Partisë Demokratike.
Të gjitha opsionet janë në tavolinë, duke përfshirë protesta qytetare, grevë urie apo forma të tjera reagimi. Ato duhet të diskutohen për të gjetur mënyrën më të përshtatshme për t’iu përgjigjur kësaj situate, pasi kur përballesh gjatë me të njëjtin kundërshtar, ai fillon të njohë taktikat. Prandaj, duhet menduar një strategji ndryshe.
© SYRI.net