Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar vizitën në Shqipëri të Eric Adams, ish-kryetar i Bashkisë së Nju Jorkut, i cili së fundmi ka marrë edhe shtetësinë shqiptare.
I pyetur nga një qytetare nëse Adams mund të përfshihet në drejtimin e Bashkisë së Tiranës, Berisha e përjashtoi këtë mundësi, duke theksuar se prania e tij në vend lidhet me interesa biznesi.
“Mendoj se Eric Adams nuk ka ardhur për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës, por siç flitet, ka ardhur për biznese,” u shpreh Berisha.
Ai shtoi se mbetet për t’u parë nëse këto aktivitete lidhen me kryeministrin Edi Rama apo zhvillohen në mënyrë të veçuar, duke lënë të hapura dyshime për natyrën e kontakteve.
“Uroj të mos ketë partneritet me Edi Ramën, ndonëse disa afrime me të janë domethënëse,” tha Berisha, duke theksuar se koha do të sqarojë më shumë mbi këto zhvillime.
Deklarata e plotë:
Ana Drishti: Ish-kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut sapo ka marrë shtetësinë shqiptare. A mendoni se Edi Rama mund ta përdorë si kryetar për Bashkinë e Tiranës?
Sali Berisha: Mendoj se Eric Adams, kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut nuk ka ardhur për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës, por siç flitet, ka ardhur për biznese.
I ka me Ramën apo i ka veçmas, koha do e tregojë, por më shumë është biznesi që e ka sjellë zotin Adams në Shqipëri.
Uroj të mos ketë partneritet me Edi Ramën, ndonëse disa afrime me të janë domethënëse.
© SYRI.net