Protesta e opozitës në Tiranë është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit. Sipas deklaratës zyrtare të Partisë Demokratike, policia ka ushtruar dhunë të papranueshme dhe disproporcionale ndaj qytetarëve dhe përfaqësuesve të saj që merrnin pjesë në tubim.
Në një reagim publik, Partia Demokratike akuzoi autoritetet se ndërhynë me forcë ndaj protestuesve, duke përdorur gaz lotsjellës dhe mjete të tjera shpërndarëse. Sipas kësaj force politike, ndërhyrja ndodhi ndërkohë që protesta ishte ende në zhvillim.
PD deklaroi se nga përplasjet kanë mbetur të lënduar disa përfaqësues të saj, përfshirë nënkryetarin Luçiano Boçi, deputetin Klevis Balliu dhe aktivistin Aulon Kalaja. Po ashtu, raportohet se është lënduar edhe Sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka, si dhe dhjetëra qytetarë të tjerë.
Në deklaratë, Partia Demokratike dënoi ashpër veprimet e policisë, duke i cilësuar ato si përpjekje për të frikësuar qytetarët dhe për të ndalur protestat. Gjithashtu, ajo drejtoi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke i bërë përgjegjës për situatën.
Sipas PD-së, Tirana është vënë nën masa të shtuara sigurie gjatë mbrëmjes, ndërsa protesta konsiderohet pjesë e një serie reagimesh kundër qeverisë.
Deklaratë e Partisë Demokratike:
Dhuna e paprecedentë e narkoPolicisë me urdhër të Edi Ramës, sulmet me bomba, molotov, gaz lotsjellës kundër qytetarëve në protestën e opozitës, ka shkaktuar shumë të plagosur dhe të lënduar, disa prej tyre deputetë dhe drejtues të lartë të Partisë Demokratike. Si asnjëherë më parë narkoPolicia nuk ka pritur as mbylljen e fjalës së kryetarit të opozitës dhe është futur në mes të protestuesve me repartet speciale ‘Operacionalja’ dhe ‘Shqiponja’ duke përdorur bombola spraji djegës drejtpërdrejt mbi protestuesit.
Të plagosur në spital janë dërguar Luçiano Boçi, nënkryetar i Partisë Demokratike, deputeti Klevis Balliu dhe Aulon Kalaja, drejtues i Departamentit të Familjes, ndërsa është lënduar edhe Sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka, bashkë me dhjetëra qytetarë.
Partia Demokratike dënon me forcë dhunën e narkoPolicisë së dyshes kriminale Rama-Balluku, që ka vetëm një qëllim, frikësimin e qytetarëve dhe shuarjen e valës së protestave kombëtare.
Zari i Belinda Ballukut në krye të Policisë për të dëshmuar zellin ndaj shefes, duke përdorur metoda ilegale kundër qytetarëve dhe politikanëve të opozitës e ka future vetën në ‘listën e zezë’ të paligjshmërive, për të cilat do të mbajë përgjegjësi direkte, dhe nuk do mund të fshihet gjithmonë pas fustanit të Belindës dhe çitjaneve të Ramës.
Tirana është sonte në shtetrrethim policor me qëllim mbrojtjen e narkoshtetit të Edi Ramës dhe hajdutërisë së tij kriminale.
Duke dënuar me forcën më të madhe dhunën e egër ndaj demokratëve, Partia Demokratike garanton qytetarët se, asgjë nuk do e ndalë protestën dhe kryengritjen paqësore të opozitës deri në rrëzimin e autokracisë elektorale dhe kleptokrate të Edi Ramës.
© SYRI.net