Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ Protesta epike kundër Ramës

‘Kartelet e drogës përmbysin zgjedhjet në Shqipëri’, Zhulali: Ja pse në Hungari u mundësua rrotacioni

18:30, 13/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Zgjedhjet në Hungari, në kontrast të plotë me Shqipërinë ku krimi i organizuar deformon votën, ekspozon krizën e rëndë të demokracisë dhe pamundësinë e rotacionit politik në vend.

E ftuar në emisionin Task Force në SYRI TV, Ilda Zhulali drejtuese e Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Partinë Demokratike, u shpreh se, ndryshe nga Shqipëria ku kartelet e drogës dhe krimi i organizuar ndikojnë drejtpërdrejt në deformimin e votës, në Hungari mungesa e këtij faktori bëri të mundur një proces zgjedhor më të rregullt dhe një rotacion real politik.

Ajo theksoi se ky është dallimi thelbësor që shpjegon pse vota në Hungari prodhoi ndryshim, ndërsa në Shqipëri vijon të cenohet nga ndërhyrje të jashtme dhe mungesë standardesh.

Pjesë nga deklarata:

Po, mësimi i parë që ne mund të nxjerrim është se në Hungari pati zgjedhje. Edhe pse aty ka pasur parregullsi, ka munguar elementi kryesor që është, për shembull, veçanërisht i pranishëm në Shqipëri apo edhe në Serbi po marr këto dy vende tipike të Ballkanit Perëndimor që është lidhja me krimin e organizuar dhe pamundësimi që ai krijon për rotacion politik.

Pra, mungesa e pjesëmarrjes së organizatave kriminale, dhe në Shqipëri veçanërisht atyre të lidhura me trafikun e drogës, është elementi i parë që bie në sy dhe që e fundos edhe më shumë procesin zgjedhor në Shqipëri.

E dyta është se, në tërësi, nga nisja e votimeve deri në fund, nuk ka pasur ato parregullsi që i shohim në Shqipëri. Për shembull, ata që i kanë përjetuar këto momente në Shkodër, me xhiron e makinave të blinduara me njerëz të frikshëm të lidhur me krimin, apo skenat e Elbasanit që u denoncuan nga zoti Himçi, se si merreshin dhe mbusheshin kutitë e votimit këto nuk kanë ndodhur në Hungari.

Edhe atje ka pasur një pjesëmarrje shumë të madhe të vëzhguesve ndërkombëtarë, të cilët nuk kanë vërejtur asnjë parregullsi, të paktën në procesin e votimit dhe më pas në numërim. Për të mos thënë që numërimi përfundoi në një kohë rekord, një gjë për të cilën ne vazhdojmë të vuajmë.

Reforma, e vetmja gjë që nuk ka prekur, është pikërisht thelbi: marrja e rezultatit në kohë dhe në mënyrë të qartë. Pra, reforma nuk e ka prekur vetë reformën.

Një tjetër element thelbësor në gjithë këtë proces është reagimi popullor. Njerëzit, duke parë përqendrimin e pushtetit të Orbanit në gjithë këto vite, përfshirë nivelin e lartë të korrupsionit dhe mekanizmat që ai kishte në dorë për të ndikuar në procesin zgjedhor, në fund të ditës patën mundësinë reale për ta ndalur këtë lloj pushteti. Pra, vota e tyre pati realisht vlerë.

Ky ishte një vendim i popullit hungarez: një mobilizim i jashtëzakonshëm me pjesëmarrje rekord në zgjedhje, që tregon një vetëdije shumë të lartë shoqërore dhe një angazhim për të marrë në dorë përgjegjësinë si qytetarë për të vendosur për fatin e tyre.

Në Hungari kemi edhe një kalim stafete brenda të njëjtit spektër politik. Edhe Magjari i përket spektrit të djathtë; ai vjen nga partia e Orbanit, ka një histori në atë parti dhe krijoi një parti të re në dy vitet e fundit, të cilën e zhvilloi me shpejtësi. Por e gjithë kjo ishte një kundërpërgjigje ndaj përqendrimit të pushtetit të Orbanit.

Ai u përqendrua në qeverisjen e vendit dhe në problemet e shkaktuara nga keqqeverisja, veçanërisht korrupsioni, që ishte një nga temat kryesore të fushatës së tij, duke iu drejtuar drejtpërdrejt qytetarëve. Ajo që bën përshtypje është se njerëzit iu përgjigjën kësaj fushate duke ndjekur interesin e tyre, pavarësisht ndikimeve nga aktorë të ndryshëm ndërkombëtarë. Në fund, çdo hungarez vendosi për jetën e vet.

Kështu që bie në sy dinamizmi dhe vitaliteti i shoqërisë hungareze, i cili është i jashtëzakonshëm dhe për t’u vlerësuar. Është një popull që merr vetë fatin në dorë, dhe nuk është hera e parë që hungarezët japin shenja të tilla në historinë e tyre.

Nga ana tjetër, pati edhe një organizim bindës të opozitës për qytetarët, me një program të qartë. Por duhet të jemi të vetëdijshëm që Viktor Orban, nëse do të donte, mund ta kishte njollosur këtë proces. Nuk e bëri. Mund ta kishte ndaluar rotacionin dhe ta kishte futur vendin në një regjim të konsoliduar autokratik, në atë që quhet autokraci elektorale, siç ndodh kur zgjedhjet zhvillohen formalisht, por realisht nuk ke mundësi të zgjedhësh.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco