Klima politike në Hungari paraqitet tejet e tensionuar dhe e polarizuar në prag të zgjedhjeve, ku përballja kryesore zhvillohet mes kryeministrit aktual Viktor Orbán dhe sfidantit të tij të papritur, Péter Magyar.
I ftuar në emisionin Syri i Botës, Nikola Kedhi nga Departamenti “Brain Gain” në Partia Demokratike e Shqipërisë u shpreh se zgjedhjet në Hungari nuk janë një përballje e zakonshme politike, por një duel i fortë brenda së djathtës që vë në pikëpyetje vazhdimësinë e modelit të Viktor Orbán.
Sipas tij, sfidanti Péter Magyar, i dalë nga vetë radhët e pushtetit, përfaqëson një alternativë të re që po tërheq votuesit e lodhur nga 16 vite qeverisje, por pa u shkëputur nga baza konservatore e elektoratit hungarez. Kedhi theksoi se përballja mes tyre nuk është ideologjike mes të majtës dhe të djathtës, por një përplasje mes dy vizioneve të së djathtës: njëra sovraniste dhe nacionaliste, dhe tjetra më e afërt me linjën e Brukselit.
Ai nënvizoi se çështje si kostoja e jetesës, emigracioni dhe lufta në Ukrainë janë kthyer në armët kryesore të fushatës, ndërsa frika nga humbja e sovranitetit mbetet faktori që mund të vendosë fatin e zgjedhjeve.
Pjesë nga deklarata:
Zoti Orbán përfaqëson të djathtën konservatore, nacionaliste, atë grupim që ndërkombëtarisht quhet National Conservatives, pra konservatorët kombëtarë, përkundrejt konservatorëve më liberalë që anojnë nga ekonomia e tregut e të tjerë me radhë. Pra, në një farë mënyre, në arenën ndërkombëtare, zoti Orbán është i asociuar me “Patriotët për Europën”, një grupim i të djathtës konservatore, në përgjithësi, sepse aty ka edhe grupime të tjera që nuk janë detyrimisht të djathta konservatore.
Ndërsa Péter Magyar ka dalë nga partia e Orbánit pas një konflikti që ka pasur edhe gruaja e tij, e cila ka qenë ministre në kabinetin e Viktor Orbánit. Ata janë konfliktuar brenda partisë dhe më pas Magyar është larguar dhe i është bashkuar një partie ekzistuese konservatore, Tisza, që i përkiste spektrit të djathtë dhe është e lidhur me Partinë Popullore Europiane. Pra, kemi një përballje brenda të djathtës, por mes rrymave të ndryshme të saj.
E majta, shikoni, duhet të kuptojmë që hungarezët janë një popull konservator. Ata besojnë tek parimet konservatore, tek identiteti i tyre dhe duan ta mbrojnë atë. Besojnë tek mbrojtja e kufijve, tek ndalimi i emigracionit të jashtëligjshëm, i cili është bërë në mënyrë masive në Europë, sidomos pas viteve 2014–2015, duke shkaktuar dëme që do të kërkojnë shumë kohë për t’u riparuar: dëme ekonomike, sociale, kulturore dhe demografike. Kemi parë se si janë shndërruar qytete të mëdha europiane sot dhe nivelin e pasigurisë në to. Hungarezët duan mënyrën e tyre të jetesës; duan të mbrojnë kufijtë, identitetin kombëtar dhe sovranitetin e tyre. Ndaj, duke parë që e majta, përveç politikave ekonomike, ka qenë e lidhur edhe me segmente ndërkombëtare që synonin zhbërjen e këtyre elementeve, ajo është tkurrur dhe sot është gati e parëndësishme elektoralisht. Ka pasur një përpjekje para katër vitesh, kur u bashkuan të gjitha forcat e opozitës së majtë, nga qendra deri tek e majta radikale, por nuk arritën ta mundnin kryeministrin Orbán.
Ishte një fitore e madhe, me dy të tretat e parlamentit. Në thelb, hungarezët preferojnë elementet që mbron e djathta.
Edhe po, edhe jo. Unë doja ta vazhdoja këtë argument për t’ju përgjigjur pyetjes suaj: kandidati i sotëm nga Partia Tisza, Péter Magyar, ka një shans për ta mundur Viktor Orbánin pikërisht sepse vjen nga e djathta. Shumë hungarezë, të cilët janë të lodhur nga figura e Orbánit pas 16 vitesh në pushtet — dhe duhet të jemi realistë, është një konsum i madh — shohin te Magyar një figurë të re. Ai nuk është i majtë, i përket qendrës së djathtë, ka dalë nga partia e Orbánit, dhe mendojnë se nuk do të jetë shumë ndryshe, pra thjesht një rinovim me politika të ngjashme.
Megjithatë, ajo që është shqetësuese, dhe që e kam kuptuar edhe nga bisedat me hungarezë të ndryshëm në Budapest, është asociimi i Magyar me elitën burokratike të Brukselit. Këtu kthehemi sërish tek çështja e sovranitetit, që për hungarezët është shumë e rëndësishme. Ata e shohin si një zgjatim, qoftë të Von der Leyen-it apo të burokratëve të pazgjedhur, që mund të imponojnë një vullnet të ndryshëm nga ai i hungarezëve. Kjo bën që shumë prej tyre të vazhdojnë të mbështesin Orbánin edhe pas 16 vitesh në pushtet.
Para se të flas për Magyar, dua të theksoj tezat kryesore të kryeministrit Orbán. Përveç sovranitetit dhe identitetit kombëtar, një çështje kryesore është kostoja e jetesës, sidomos pas vitit 2022, pas luftës në Ukrainë dhe zhvillimeve në Lindjen e Mesme. Ka një shqetësim të madh për rritjen e kostos së jetesës, dhe kjo është kthyer në temën kryesore.
E dyta është mbrojtja e kufijve dhe ndalimi i emigracionit të jashtëligjshëm. Orbáni përdor tezën se ajo që ndodh në kryeqytetet europiane nuk duhet të ndodhë në Budapest, dhe kjo rezonon me një pjesë të madhe të hungarezëve.
E treta është lufta në Ukrainë. Nga bisedat me qytetarë të thjeshtë në Budapest, vihet re një narrativë e fortë: në qytet ka billborde që lidhin figurën e Zelenskyt me atë të Péter Magyar, duke i paraqitur si kundërshtarë të përbashkët. Ekziston ideja se, nëse fiton pala kundërshtare, hungarezët mund të përfshihen në luftë. Kjo tezë rezonon me shumë qytetarë që nuk duan një gjë të tillë.
Këto janë tre temat kryesore të fushatës së Orbánit. Nga ana tjetër, rivali i tij ka vënë theksin tek rikthimi i demokracisë, duke argumentuar se Hungaria është kthyer në një autokraci elektorale.
© SYRI.net