Negociatat e ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara në Pakistan dështuan pas 21 orësh bisedime, duke mos arritur një marrëveshje dhe duke e lënë Lindjen e Mesme në një gjendje tensioni të lartë.
I ftuar në intervistën e pasdites në Syri Televizion, diplomati Spartak Topollaj argumenton se bota ka hyrë në një "qerthull" të rrezikshëm, nga i cili është vështirë të dilet shpejt, ndërsa konflikti rrezikon të përhapet duke shkaktuar një krizë ekonomike globale.
Sipas diplomatit, konflikti aktual arabo-izraelit dhe tensionet iraniano-amerikane kanë arritur apogjeun e tyre, të ndezura nga "ngjarjet e tmerrshme" në Gaza.
Bilanci human është katastrofik, me rreth 75,000 palestinezë të vrarë, mes të cilëve 20,000 fëmijë dhe 30,000 gra.
Topollaj i cilëson këto akte si "rreptësisht të dënueshme", duke theksuar se vrasja e civilëve, fëmijëve dhe grave nuk mund të barazohet me një betejë mes ushtrive.
Topollaj sugjeron se SHBA "u nxitua" në qasjen e saj ndaj Iranit, e ndikuar nga lobi izraelit dhe duke nënvlerësuar aftësitë ushtarake të Teheranit.
Deklarata e plotë:
"Mendoj që bota është futur në një rreth të tillë që është vështirë të dilet, sidomos që të dilet shpejt. Kjo është histori e vjetër dhe s'është koha dhe vendi që të bëjmë histori.
Në mënyrë të veçantë konflikti arabo-izraelit, apo iraniano-izraelito-amerikan, është i njohur, por tani ka arritur kulmin e tij.
Mbas ngjarjeve të tmerrshme të Gazës, ku thuhet se, jo thuhet po saktësohet që numri i të vrarëve është rreth 75,000 në Gaza, flas për palestinezët, dhe për masakrën që ata bënë me 1250 izraelitë dhe pastaj me 250 pengjet, një pjesë e mirë e të cilëve edhe u vranë, pastaj të tjerët u kthyen, dy nga dy e një nga një.
Pra, janë konflikte të cilat ose nga të cilat njerëzimi as ka parë dhe as do të shohi kurrë mirë. Këto janë rreptësisht të dënueshme nga kushdo që i kryen.
Në mënyrë të veçantë vrasja e fëmijëve, e pleqve, e grave. Se është ndryshe beteja ushtri me ushtri. Nuk është e njëjta gjë me vrasjen e fëmijëve nëpër shkolla, në spitale.
Edhe Trumpi shpeshherë i merr punët me vrull. Ka gjëra shumë të mira, të sakta e të mençura, po ka gjëra që i merr me një vrull dhe pastaj është vështirë të ndalesh.
Se starti dhe frenimi duan një aftësi të madhe. Të nisesh me shpejtësi dhe të frenosh menjëherë, nuk është shumë e lehtë. Dhe Trumpi e ka këtë.
Por unë do thosha që këtu është dhe roli i Izraelit. Izraelitët një dhe lobi hebre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë arritur ta bindin Trumpin që kjo historia me Iranin nuk do të jetë e vështirë.
Në të vërtetë, Irani që ka dekada të tilla që armatoset dhe që ishte dhe në pragun e realizimit të bombës atomike, prodhon vetë raketa të të gjitha niveleve, deri dhe raketa balistike e dron e me radhë, por edhe është furnizuar sa nga Kina, nga presidenti Xi, aq edhe nga Rusia e presidentit Putin.
Dhe ky arsenal kaq i madh armësh, një pjesë e mirë të sofistikuara, u përdor deri tani në rezistencën që ka bërë Irani.
Dhe nuk është pak. Edhe pse ka marrë goditje të fuqishme, edhe pse janë vrarë mbi 60, 70 liderë, sidomos ushtarakë dhe të Gardës Revolucionare, shërbimeve inteligjente, përfshi dhe liderin suprem Ali Khamenei, përfshi dhe djalin e tij, i cili thuhet që është gjallë, por le ta besojmë që është gjallë, por fakti që prej 42 ditësh, ai nuk është shfaqur i gjallë, tregon që ai duhet të jetë në gjendje kome.
U tha që e çuan në Rusi, atje u operua e kështu, por akoma s'ka dalë nga koma.
E kanë kthyer në Qom, qyteti i njohur ku ka një spital nga më të mirët në, jo vetëm në Iran, po dhe në Azi, dhe mjekët e diplomuar në perëndim.
Por fakti që ai nuk duket kurrkund, as fotografi, jo më të dali i filmuar, dhe fjalët që thuhet se tha kështu e tha ashtu, edhe unë mund të them që ka thënë Mao Ce Duni këtë e ka thënë atë, se Mao Ce Duni s'ngrihet më nga varri që të thotë jo se e kam thënë.
Pra ka diçka që nuk shkon. Por vrasja e këtyre liderëve ishte një goditje patjetër shumë e rëndë për Iranin dhe të mbetur pa një udhëheqje të tillë, në një kaos e një anarki ushtarake, ata janë munduar të mbrohen sa munden dhe kanë kryer dhe ata një akt të papranueshëm, kanë goditur dhe fqinjët.
Fillo nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Dubain e Abu Dhabin, Katarin që e kanë shumë afër aty, deri Arabinë Saudite, Bahreinin, e të tjera e të tjera.
Pra, kjo luftë rrezikoi dhe rrezikon të përhapet në rajon. Por mos të harrojmë që ky është rajoni më i pasur në botë me naftë dhe me gaz. Vetëm Kina 70% të naftës e merr nga Irani, nga ajo naftë që del nga ngushtica e Hormuzit, për në Kinë".
© SYRI.net