Kritikat ndaj Ramës i kanë kushtuar rëndë Elisa Spiropalit, e cila është shkarkuar edhe nga drejtimi politik i qarkut të Tiranës. Gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste, Rama ka vendosur edhe largimet e Benet Becit dhe Emirjana Sakos nga drejtimi politik i qarqeve Shkodër e Durrës, ndërkohë që ndryshimet kanë përfshirë edhe shumë qarqe të tjera. Rama mbajti premtimin publik, duke rikonfirmuar në qarkun e Fierit Belinda Ballukun.
Nga SYRI TV
Pas kabinetit qeveritar, këtë herë ishte radha e drejtuesve politikë të qarqeve të rrinin disa orë në ethet e ndryshimeve, që Edi Rama i njoftoi gjatë mbledhjes së asamblesë së Partisë Socialiste. Kryeministri nuk vonoi t’i jepte ndëshkimin Elisa Spiropalit, e cila pas mungesës në votimin për imunitetin e Belinda Ballukut humbi edhe të vetmin post politik që mbante, atë të drejtueses politike në qarkun Tiranë.
Pas përplasjes së hapur publike me të, Rama e ka transferuar Spiropalin për të bërë fushatë në njësinë 13 në kryeqytet, ndërsa drejtimin politik të qarkut Tiranë ia besoi Taulant Ballës. Ogerta Manastirliu do vijojë të jetë drejtuese politike për bashkinë Tiranë.
Rama largoi nga drejtimi politik i qarkut të Kukësit Eduard Shalsin, i cili pësoi të njëjtin fat si paraardhësi i tij Pandeli Majko, duke u caktuar në një nga njësitë e kryeqytetit. Qarkun Kukës do ta drejtojë Erjon Malaj.
I pakënaqur me rezultatet në qarkun e Shkodrës, Rama caktoi si drejtues politik në kryeqendrën e veriut ministrin e ri të Infrastrukturës, Enea Karakacci, duke i hequr drejtimin e qarkut Benet Becit, pak pasi ky i fundit u dërgua për gjykim nga SPAK.
Në qarkun e Lezhës, Rama caktoi si drejtues politik ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi, ndërsa Ulsi Manja u delegua koordinator politik për Dibrën. Rama hoqi nga drejtimi i qarkut të Durrësit kryebashkiaken Emirjana Sako, e cila ka qenë disa herë mysafire në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, duke rikthyer në qytetin bregdetar si drejtues politik Bledi Klosin.
Siç kishte premtuar publikisht Edi Rama, Belinda Balluku do vijojë të jetë drejtuese politike në qarkun e Fierit. Edhe Bledi Çuçi, Mirela Kumbaro, Ervin Demo, Niko Peleshi dhe Arbjan Mazniku u rikonfirmuan si drejtues politikë.
Pasi largoi Ballën nga drejtimi i diasporës, Rama nuk caktoi ende një drejtues, pasi ka plane të tjera sa i takon votës së emigrantëve. Partia Socialiste parashikon ngritjen e këshillave koordinues për diasporën, me fokus për ndërtimin e një regjistri për anëtarësinë dhe rrjetit të patronazhistëve edhe në diasporë, ku bie në sy porosia që regjistrimi të bëhet sipas legjislacionit të vendeve të huaja, me merakun që shpërndarja e të dhënave personale të qytetarëve në këto shtete ndëshkohet me ligj, ndryshe nga Shqipëria.
© SYRI.net