Larot profesionistë dhe kulishët hibridë

Larot profesionistë dhe kulishët hibridë

13:06, 21/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Hysni Gurra

Qysh prej rikthimit të Sali Berishës në krye të PD, i detyruar, duhet theksuar kjo, në mediat e pushtetit ka pasur vetëm një narrativë: “Rama do Berishën në krye të PD, se ashtu rri në pushtet…”

Kjo është një narrativë e tjerrur nga dy palë larosh të pushtetit.

Njëra palë e deklaruar: frrok çuprat e idajet beqirët; pala tjetër, nuk janë në kategorinë e larove të deklaruar, por kulishë që pushteti i ka ushqyer për t’u shfaqur si opozitarë në media. Me emra, secili që ndjek banaqet televizive i identifikon lehtë.

Kulishët janë biçim hibridësh, ata nuk thonë që Rama do Berishën në krye të PD në çdo fjalë që nxjerrin nga goja, por vazhdimisht punojnë që mos të jetë Berisha në krye të PD.

Një narrativë që rrëzohet me një pyetje (pa patur nevojë për përgjigje): Po nëse Rama do Berishën në krye të PD, pse paguan dhe mbështet lloj-lloj çerri që t’i ngatërrohet nëpër këmbë PD, dhe mundohet dëshpërimisht të marrë kreun e PD?

Me Lulin u pa dhe faktua qartë: natën pinte kafe me Taulantin, ditën bënte rolin e kreut të PD.

Tani këtë detyrë ia kanë ngarkuar Ervin Salianjit.

Nuk ju rri kjo që po them?

Po vereni mendjen tuaj në punë: Si ka mundësi që Luli doli me listë kundër PD në disa zgjedhje derisa u fëlliq duke mos marrë vota as sa Dash Shehi?

A e dinë njerëzit që nëpër tavolina, Luli thoshte nën zë në kohë fushate: “Do bëjmë koalicion me Ramën, prandaj na votoni, se do ju fus në punë”?

Po kandidatë për bashki që nxori Luli, si në Tiranë dhe bashki të tjera, a nuk ia financonte Rama e Veliaj që të merrnin sa më shumë vota të djathta?

Tjetra: mirë gjithë larot e deklaruar që shajnë Berishën nga mëngjesi në darkë dalin në mediat e pushtetit, po si ka mundësi që çdo kulish hibrid që luan rolin e opozitarit del natë e ditë po në mediat e pushtetit dhe i krijohet hapësirë pafund për të tjerrur të njëjtën tezë?

Në 2021, Lulzim Basha premtoi se do e çonte masakrën elektorale në kancelaritë ndërkombëtare. Pse nuk e bëri? Di gjë njeri ta thotë këtë?

Berisha e çoi farsën e 11 majit dhe sot Edi Rama është në rreth të kuq në shumë kancelari të rëndësishme perëndimore.

Po të ishte me Ramën - Berisha, pse do lodhej ta denonconte farsën elektorale, të merrte 4-5 rezoluta nga partitë më të mëdha simotra të botës, po mjaftonte ta linte si Luli dhe

Rama të ishte rehat?

Naiviteti i PD-së që e shpallën Ervinin (e shkopit të bjesbollit kundër militantëve) hero, mund t’i ketë krijuar atij iluzione nga burgu, por iluzionet e fituara atje nuk e fashisin nga mendja e anëtarit të partisë shkopin.

Dhe për ta mbyllur: gjithësesi, ndodh diçka e mirë me këto eksperimente që janë bërë njëmijë herë dhe kanë të njëjtin rezultat; ato bashkojnë të pabashkueshmit, gjithë botuesit e mediave që marrin para taksash apo prona publike të shqiptarëve, edhe pse s’duan ta shohin me sy njëri-tjetrin, për shkak të konkurencës në plaçkitje, harmonizohen te ky eksperimenti i 1001-të ndja PD-së. Fundi dihet.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco