Përpjekja e Salianjit për të dëmtuar moralin e protestave, nxjerr në pah misionin e tij si ortak i Ramës.
Salianji dhe Mero duken qartë që janë në sinkron kundër protestave.
Në kulmet e krizës së pushtetit, sa herë që skandalet dhe aferat rrezikojnë seriozisht Edi Ramën, zgjidhja duket se kërkohet brenda opozitës.
Aty ndërtohen “kuajt e Trojës”, aty shpiken debatet artificiale, aty prodhohen figura dhe parti që në fund nuk bëjnë gjë tjetër veçse i shërbejnë pushtetit të kalbur nga korrupsioni e krimi.
Sot, kjo skemë nuk po fshihet më. Përkundrazi, po intensifikohet dhe po shfaqet hapur, me një qëllim të vetëm: të mbulojë skandalet dhe të godasë opozitën në momentin kur ajo ka nisur një valë protestash kundër qeverisë.
Pasi propaganda tentoi të minimizojë protestat me “dronë” dhe “satelitë”, duke u përpjekur të krijojë idenë e pjesëmarrjes së ulët për të dekurajuar qytetarët, në skenë ka dalë një aktor tjetër. Ervin Salianji.
Këtë herë, jo si kritik i brendshëm, por si zë që flet në të njëjtën frekuencë me narrativën që kërkon pushteti. Duke marrë rolin e “kanakarëve” mediatik të pushtetit, ai jo vetëm që relativizon protestat, por shkon më tej: godet vetë qytetarët dhe demokratët që kërkojnë largimin e Edi Ramës.
Tre muaj më parë, kur kjo valë protestash nisi, ishte Mero Baze që u përpoq t’i delegjitimonte ato. Por sulmet e tij dhanë efektin e kundërt përballë një reagimi qytetar që vetëm sa u rrit.
Sot, në mënyrë paradoksale, i njëjti rol po luhet nga brenda opozitës. Dhe jo me nënkuptime, por me deklarata të drejtpërdrejta: protestat nuk janë kundër qeverisë, por kundër Ervin Salianjit.
E ndërsa këtë deklaratë dje e bënte Mero Baze, sot në sinkron me të e artikulonë personalisht Ervin Salianji.
Kjo nuk është thjesht një deklaratë e gabuar. Është një zhvendosje e qëllimshme e fokusit. Nga beteja kundër pushtetit, tek një konflikt i brendshëm. Nga një kauzë publike, tek një histori personale.
Madje, në këtë pikë, Mero Baze duket më i moderuar sesa vetë Ervin Salianji. Sepse edhe propaganda ka nevojë për një minimum kujdesi për të mos dhënë efektin e kundërt.
Por ky kujdes mungon te Salianji. Dy ditë para një proteste kombëtare, ai merr përsipër të godasë pikërisht mjetin më të rëndësishëm që ka opozita: protestën si formë presioni ndaj një qeverisjeje të zhytur në korrupsion dhe skandale.
Dhe këtu qëndron problemi real.
Sepse opozita mund të përballet me presion nga jashtë, mund të sulmohet nga propaganda, mund të sfidohet nga pushteti. Por kur goditet nga brenda, nuk kemi më thjesht përçarje. Por sabotim të qëllimshëm në shërbim të pushtetit kleptokrat. Dhe kur kjo ndodh në sinkron me narrativat që kërkon pushteti, atëherë pyetja nuk është më politike. Është shumë më e thjeshtë: kujt po i shërben kjo? / Syri.net/
© SYRI.net