Deputeti Bardh Spahia në forumin “Transparencë në Shëndetësi” kërkoi reformë të thellë në sistemin shëndetësor shqiptar, duke theksuar nevojën për investime në teknologji, infrastrukturë dhe trajnimin e personelit.
“Transparenca në shpenzimin e fondeve publike duhet të sigurojë që çdo lek të shkojë te pacienti dhe jo te drejtuesit e pangopur,” theksoi Spahia.
Reagimi i plotë:
Shëndetësia nuk pret: Transparenca është vetëm hapi i parë!
Në Shkodër, në forumin “Transparencë në Shëndetësi”, pata rastin të ndaja mendimet e mia mbi një nga temat më delikate, por edhe më përcaktuese për të ardhmen tonë: Cilësinë e jetës dhe aksesin në mjekësi.
Gjatë diskutimit, ishte e pamundur të mos ndalesha tek një e vërtetë që e prekim të gjithë. Sistemi ynë shëndetësor ka nevojë për një ndërhyrje radikale.
Nuk mund të pretendojmë shërbim me standarte evropiane me buxhete të limituara si pasojë e abuzimit dhe vjedhjes së pafund të fondeve publike. Duhet investuar në kërkim, teknologji e aparatura, në infrastrukturë, dhe mbi të gjitha në trajnimin dhe azhornimin e dijeve për personelin mjekësor por edhe vlerësimin në dinjitetin financiar të bluzave të bardha.
Sistemi ka nevojë për një "Riformatim" të plotë. Nga menaxhimi i spitaleve rajonale te furnizimi me barna, çdo hallkë duhet të funksionojë siç duhet, larg abuzimeve dhe pa burokraci që kushtojnë jetë njerëzish.
Kur paraja publike ndiqet me transparencë, ajo shkon te pacienti dhe jo tek qeveritarët apo drejtuesit e pangopur në kurriz të taksapaguesve. Ky ishte edhe thelbi i takimit të sotëm në Shkodër.
E vlerësova shumë këtë takim me profesionionistë dhe njerëz që nuk pranojnë më "status quo-në". Pjesëmarrja në këto platforma diskutimi dhe informimi është pjesë e përpjekjeve tona për të rritur kërkesën për llogari-dhënie ndaj institucioneve qeveritare dhe për të kontribuar në përmirësimin e shërbimit shëndetësor.
#ShendetesiaNeFokus #ReformaShendetesore #Transparenca #Shqiperia #Shkodra #DialogPublik #InvestimiNeJete
© SYRI.net