Integrimi i Shqipërisë - Panariti: Interesat politike të Ramës, prevaluan mbi ato kombëtare!

16:54, 18/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Rrugëtimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian ka hasur në një bllokadë të plotë, duke humbur një moment historik gjeostrategjik që u krijua pas luftës në Ukrainë.

Ndërsa vende si Mali i Zi dhe Moldavia po përparojnë me hapa të shpejtë, Shqipëria ka ngecur në vend, e bllokuar nga krizat e brendshme dhe një skandal financiar që ka pezulluar fondet jetike evropiane.

Në  një intervistë për edicionin e pasdites në Syri Tv, ish ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, u shpreh se Bashkimi Evropian tregoi bujari, duke hapur në kohë rekord të gjithë kapitujt e negociatave për Shqipërinë.

Porse një moment i tillë nuk u shfrytëzua, theksoi Panariti, pasi vendi u zhyt shpejt në një krizë të brendshme politike, një përplasje mes pushtetit ekzekutiv dhe sistemit të drejtësisë, e cila kulmoi me çështjen e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke krijuar një ngërç që paralizoi procesin.

Pasojat e ngecjes së negociatave, sipas Panaritit janë direkte dhe të prekshme, veçanërisht në aspektin financiar.

Programet e asistencës së BE-së, përfshirë fondet e programit IPARD 3 për bujqësinë, janë të bllokuara, për shkak se sipas ish ministrit, vendimet e qeverisë shqiptare tregojnë një prevalencë të interesave të ngushta politike dhe personale mbi interesin strategjik kombëtar të integrimit në BE.

Për fat të keq, Shqipëria nuk arriti të shfrytëzonte një moment shumë të përshtatshëm për integrimin, sepse besoj e dini që lufta në Ukrainë, në një farë mënyre e solli përsëri në tryezë çështjen e zgjerimit të Bashkimit Evropian me anëtarë të rinj, biles me një imperativ të kohës, meqenëse praktikisht pasiguria që krijoi lufta dhe rreziku edhe për vetë unionin, doli si një diçka imperative, si një diçka në plan të parë zgjerimi dhe Bashkimi Evropian prej kësaj gjëje u tregua shumë bujar, ajo i ofroi Shqipërisë edhe përtej meritave hapjen e kapitujve, të gjithë kapituj u hapën në një kohë rekord dhe ishte një çast që Shqipëria duhet ta shfrytëzonte me zgjuarsi, me një mendim strategjik duke bërë ç'është e mundur që të gjitha ato që kërkoheshin në kuadrin e plotësimit të reformave në raport me kërkesat që vinin nga ‘acquis communautaire’ të realizoheshin në kohë, në mënyrë që të avancoheshin pastaj me çështjen e e mbylljes një nga një të kapitujve.

Gjë që për fat të keq nuk ndodhi, për arsye sepse vendi u fut shumë shpejt në një krizë, krizë midis pushtetit ekzekutiv dhe sistemit të drejtësisë me çështjen e zëvendëskryeministres Balluku. Mali i Zi ka avancuar me shpejtësi në mbylljen e kapitujve, por po kështu një shembull pozitiv në këtë drejtim është dhe Moldavia, e cila pavarësisht se ishin shumë prapa nesh në procesin e integrimit, po ecën me ritme jashtëzakonisht të shpejta edhe në deklaratat e fundit të Komisionit Evropian dhe posaçërisht të komisionerit për punët e jashtme, u vlerësua si një shembull pozitiv. Pra nëse Shqipëria ka ngecur, procesi i integrimit duket i bllokuar, për arsye sepse drejtimi është shtyrë dhe për mua arsyeja është e lexueshme, është fare e qartë, është mostolerimi nga ana e Bashkimit Evropian e e pengimit të reformës në drejtësi, e cila vazhdon të mbetet një prioritet i lartë për Bashkimin Evropian dhe për të gjithë partnerët tanë strategjikë. Kjo në një farë mënyre mban peng edhe financimet.

Meqenëse unë kam qenë ministër i bujqësisë, në fushën e bujqësisë vazhdojnë ende të jenë të bllokuara fondet e IPARD treshit. Dhe ajo që mua më shqetëson është dhe fakti që qeveria shqiptare nuk ka aplikuar për të përfituar nga delegimi i nga ana e Bashkimit Evropian i përdorimit të fondeve nga vendet që janë në procesin e integrimit. Kjo do të thotë që qeveria shqiptare nuk është në gjendje të përgatisë dosjen, sepse tashmë ju e dini që Agjencia e Pagesave, agjencia e zhvillimit të bujqësisë, zhvillimit rural është e detyruar të futet në një proces akreditimi, pasi ajo që ajo pësoi nga investigimet e OLAF-it dhe gjithë procesi hetimor bëri që kjo agjenci ta humbë besueshmërinë, pra nga akreditimi të kalojë në diskreditim. Dhe duhet përsëri të rifutet në një proces akreditimi.

Por që të futet në proces akreditimi duhet të rishikojë të gjitha sistemet e vlerësimit të aplikimeve nga ana e fermerëve, nga ana e përfituesve të fondeve grant, që këto të bëhen në mënyrë sa më fair, sa më të drejtë, pa ndërhyrje, pa abuzime dhe për këtë natyrisht kërkohen edhe monitorime të reja, kërkohet audit i ri, kërkohet njëkohësisht edhe rikthimi i fondeve të abuzuar. Tashmë nuk janë pak, por janë mbi 80 milionë euro të vërtetuara si të abuzuara dhe që Bashkimi Evropian i kërkon mbrapsht këto para. Pa u plotësuar këto kushte, pa u plotësuar këto kritere, nuk do të hapen. Kjo do të thotë që Shqipëria do të humbë edhe njëherë ëh rastin për të përfituar nga fondet e Bashkimit Evropian. Dhe me sa duket edhe pse gjithë një vit ka ngelur, ne nuk do ta kapim, sepse ky vit nuk ka gjasa që pavarësisht nga çfarë u deklarua nga ministrja apo nga qeveria, nuk ka gjasa që Bashkimi Evropian pa u plotësuar këto kritere, pa u plotësuar standardet e auditimit, monitorimit dhe kritereve financiare për disbursimin e fondeve, nuk do të hapen këto.

Kjo do të thotë që interesat politike, interesat e ngushta të mbrojtjes së interesave personale dhe politike të forcës që ai përfaqëson, prevaluan mbi interesat kombëtare, sepse procesi i integrimit është një interes i mirëfilltë kombëtar. U vu kjo në plan të parë dhe nuk u hezitua që të bllokoheshin një proces për të cilin ishin bërë shumë sakrifica që të avanconte dhe të arrinte në atë pikë. Është e drejtë ajo që ishte një moment i përshtatshëm gjeostrategjik, i cili rrallë përsëritet. Është përsëritur, ka ndodhur njëherë në vitin 2004, atëherë kur vendet e Lindjes, Bullgari, Rumani, Hungari, u futën në një proces të përshpejtuar edhe për shkak të interesit gjeostrategjik të Bashkimit Evropian për t'i shkëputur nga ndikimi rus.

Dhe tashmë po e lidhur me Rusinë, po si shkak i luftës së Rusisë, Ukrainës, agresionit rus ndaj Ukrainës, u krijua përsëri ky interes gjeostrategjik për të zgjeruar Bashkimin Evropian, për ta kompaktësuar, për ta forcuar akoma më shumë me anëtarë të rinj, dhe ky moment duhet të ishte shfrytëzuar.  Por nëse Mali i Zi me sa duket e ka shumë të mundur që edhe deri në fund të 2028-ës, me ritmin e reformave, me seriozitetin dhe qëllimin strategjik që i ka vendosur vetes, me krijimin e kushteve dhe klimës së përshtatshme politike të konsensusit për reformat integruese në Bashkimin Evropian, po ka shumë shanse t'i mbyllë shumë shpejt, ndërkohë që ata të përgatitet për anëtarësim të plotë. Ndërkohë ne kemi një ngrirje.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco