Vendimi i mazhorancës për të bllokuar heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut ka bllokuar punën e SPAK-ut dhe rrezikon seriozisht rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, duke shqetësuar partnerët kryesorë ndërkombëtarë, veçanërisht Gjermaninë.
I ftuar në edicionin informativ të lajmeve, analisti Bledian Koka u shpreh se vendimi i mazhorancës për të bllokuar heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut shënon një goditje të rëndë për rrugëtimin europian të Shqipërisë.
Sipas tij, kjo lëvizje minon drejtpërdrejt punën e SPAK-ut, ka nxitur skepticizmin e Gjermanisë dhe Holandës, dhe tregon se mazhoranca po sakrifikon interesin strategjik kombëtar për të mbrojtur individë nga drejtësia.
Koka thekson se vetëm veprimet konkrete në luftën kundër korrupsionit mund të rifitojnë besimin e partnerëve europianë dhe të shpëtojnë perspektivën e anëtarësimit.
Pjesë nga deklarata:
Sigurisht që të gjitha ato informacione që ne kemi përcjellë gjatë këtyre kohëve të fundit, sidomos me presionin e madh që ka bërë Gjermania ndaj autoriteteve shqiptare, së pari për të hetuar dy dosje të rëndësishme që kanë të bëjnë me SPAK-un – njëra, më fal, me AKSHI-n dhe tjetra me portin, me Porto Romanon. Dhe ajo që ndodhi pastaj, që do ta quaja unë “qershia mbi tortën e të keqes”, është vendimi i mazhorancës së Edi Ramës për të mos lejuar dhe për të minuar punën e SPAK-ut duke bllokuar heqjen e imunitetit për Belinda Ballukun. Mendoj që kjo është pika që ka derdhur gotën e durimit të Gjermanisë, e cila ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga vendet kryesore që mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Por, si të thuash, vetëm një vit pasi Edi Rama doli para shqiptarëve me të famshmen “pasaportë europiane”, praktikisht ai arriti ta minonte dhe të shpërthente gjithë këtë mundësi të artë që kishte Shqipëria për të përshpejtuar rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Kjo ka vetëm një emër, ka vetëm një fajtor, dhe ky është Edi Rama. Nuk është Edi Rama ai që e mbushi gotën e shpresës me përpjekjet e tij. Ishte realisht një vullnet i vendeve anëtare të Bashkimit Europian për t’i dhënë përparësi vendeve të rajonit, si Shqipëria, Mali i Zi dhe Islanda. Këto dy vende janë tashmë në rrugëtimin e tyre; Islanda është duke vendosur përmes referendumit nëse do të anëtarësohet, ndërsa Mali i Zi ka avancuar dukshëm më shumë se ne. Ndërkohë, ne besojmë me shumë gjasë se jemi kthyer ndoshta edhe në pikën zero për shkak të qëndrimit të mazhorancës dhe mosheqjes së imunitetit të Belinda Ballukut.
Pra, shqiptarët duhet ta dinë se rrugëtimi drejt Bashkimit Europian është frenuar, së pari prej Edi Ramës dhe së dyti prej Belinda Ballukut. Nuk është frenuar nga shqiptarët, opozita apo protestat, por nga ata që kanë në dorë përshpejtimin apo ngadalësimin e procesit – pra mazhoranca aktuale me në krye Edi Ramën.
Shikoni, shqiptarët duhet të kuptojnë një gjë: mos t’i besojnë fare asaj që thotë opozita, dhe mos t’i besojnë asaj që po them unë tani. Le t’i besojnë asaj që kanë dëgjuar një vit më parë, kur kryeministri Rama kërkoi votën, duke thënë se është momenti që të mos ndalohet rrugëtimi drejt Bashkimit Europian, që në krye të axhendës ka punën e SPAK-ut dhe mbështetjen maksimale që mazhoranca do t’i japë këtij institucioni.
Me atë që ka ndodhur vetëm pak ditë më parë, të premten, kur zoti Rama në vend që t’i shpjegonte shqiptarëve se cilat vende janë skeptike për rrugëtimin drejt Bashkimit Europian, kishte hallin të zihej me Ambrozian, kjo na tregon qartë se çfarë ka ndodhur. Gjatë asaj konference, zoti Rama tha se disa vende kanë ndryshuar mendje për rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së, por nuk dha shpjegime për arsyet e këtij skepticizmi. Ne kemi mundur të sqarojmë gjatë gjithë kësaj kohe se vendet skeptike janë Gjermania dhe Holanda.
Duke shtuar postimin e djeshëm të zonjës Márta Kocsev në Twitter, pas takimit të saj me shefen e diplomacisë holandeze, ku theksohet se zgjerimi duhet të shoqërohet me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, kuptohet qartë se kjo i referohet situatës në Shqipëri. Një vend që ende është në negociata me Bashkimin Europian, me probleme serioze në demokraci dhe në luftën kundër krimit të organizuar.
Në këtë kuptim, zoti Rama praktikisht i ka thënë europianëve se mënyra si kërkojnë që ne të luftojmë korrupsionin është më e keqe sesa kur ai vetë është i përfshirë. Çmenduria ka arritur deri aty saqë, për pushtetin e vet personal, po sakrifikon rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Kjo duhet parë dhe peshua me shumë kujdes nga shqiptarët.
© SYRI.net