Ekspertja e çështjeve ndërkombëtare, Ilda Zhulali, deklaroi se mosmiratimi i raportit IBAR për Shqipërinë përbën një zhvillim serioz që rrezikon të bllokojë procesin e integrimit europian të vendit.
E ftuar në edicionin ‘Ora 19’ me Armela Ferkon në SYRI TV, Zhulali theksoi se ky raport është kyç për ecurinë e negociatave me Bashkimin Europian. Sipas saj, nëse raporti nuk miratohet, Shqipëria nuk mund të mbyllë asnjë kapitull negociatash, pavarësisht rëndësisë së tij, duke ndalur çdo hap përpara në procesin e anëtarësimit.
Zhulati kritikoi mungesën e transparencës nga ana e qeverisë, duke theksuar se ky informacion duhej bërë publik për qytetarët. Sipas Zhulalit, raporti nuk është miratuar për shkak të mosmarrëveshjeve mes qeverisë shqiptare dhe disa vendeve anëtare të BE-së, ku ndër çështjet kryesore përmendet edhe përplasja lidhur me zv/kryeministren Belinda Balluku.
Ekspertja shtoi se situata konfirmohet edhe nga vetë ministri i Jashtëm, i cili ka pranuar tensionet me disa shtete anëtare, përfshirë Gjermaninë, Suedinë dhe Holandën.
‘E para për çështjen e raportit IBAR, që është një raport shumë i rëndësishëm dhe duhet ta sqarojmë për të gjithë qytetarët shqiptarë pse është i rëndësishëm ky raport. Në qoftë se nuk miratohet raporti IBAR për Shqipërinë, atëherë Shqipëria nuk mundet që të mbyllë as edhe një kapitull, qoftë ky i dorës së dytë apo të tretë për nga rëndësia, me Bashkimin Europian. Pra, nuk bën dot asnjë hap tjetër përpara në procesin e anëtarësimit në BE.
Prandaj dhe mosmiratimi i këtij raporti nga vendet anëtare të BE-së përbën një lajm që duhet të ishte ndarë me publikun shqiptar, e para. E dyta, është që ky raport nuk është miratuar pasi ka patur një numër mosmarrëveshjesh me qeverinë shqiptare dhe më i rëndësishmi prej tyre ka qenë përplasja për çështjen e zonjës Balluku.
Aq e vërtetë është kjo, sa konfirmohet dhe nga një intervistë e ministrit të punëve të jashtme, Ferit Hoxhaj, i cili jo vetëm nuk e fsheh, por pranon që përplasja me vendet anëtare, sidomos me 5 vende anëtare dhe kryesisht me Gjermaninë, por jo vetëm, këtu përfshihet edhe Suedia, edhe Holanda dhe vende të tjera, sa kanë çuar në përdorimin e një gjuhe shumë të ashpër nga kryeministri Rama, kur i ka quajtur këto vende si shoqata e Molotovëve.
E treta, që është e rëndësishme për t'u ditur, ky raport nuk kaloi as në nivelin e më të ulët të diskutimeve në Bashkimin Europian, që quhet grupi i vendeve në formatin Coela, dhe pas, vetëm nëse do të merrte miratimin në këtë format, më pas do të kalonte në një tjetër format takimesh në nivel ambasadorësh të vendeve të Bashkimit Europian, dhe më pas miratohej në nivel të ministrave të Bashkimit Europian.
Asnjë prej këtyre nuk ka ndodhur. Pra ne kemi mbetur që në stadin e parë, në nivelin Coela, dhe sot, ndërkohë që zhvillohet një mbledhje e ministrave të Bashkimit Europian, ka kaluar në axhendë vetëm Mali i Zi.
Jo vetëm ky lajm që na vjen nga Këshilli Gjerman për marrëdhëniet e jashtë, por edhe vetë ministri i jashtëm shqiptar e ka konfirmuar këtë gjë përmes një interviste që është dhënë. Pra, është një lajm i konfirmuar nga të gjitha palët dhe jo vetëm i paralajmëruar nga opozita shqiptare. Por Edi Rama kishte interes që ky lajm të mos dilte dhe të mos bëhej i njohur për publikun shqiptar dhe po ashtu që kjo gjë të mos merrej seriozisht në asnjë nga instancat, as të qeverisë, as të kuvendit, e kështu me radhë.
Në fakt, Kuvendi i Shqipërisë duhet të ishte alarmuar dhe duhet të ishte ngritur në këmbë pas letrës që Edi Rama bëri bashkë me presidentin serb, duke udhëhequr vendin, por dhe vendet e rajonit drejt një aspirate krejt tjetër nga ajo që është shprehur përmes rezolutave të ndryshme të Kuvendit të Shqipërisë, që është anëtarësimi i plotë në Bashkimin Europian si vend anëtar me të drejta të barabarta me të gjithë vendet e tjera.
Ofrimi i një alternative pa u konsultuar me askënd, dhe veçanërisht në këto momente, që e bën shumë të dyshimtë këtë lëvizje me presidentin Vuçiç. Një institucion serioz do ta kishte alarmuar dhe do të duhej të ishte mbledhur një seancë urgjente e Kuvendit për t'i kërkuar llogari kryeministrit Rama për këto, për këtë qasje dhe për këtë shpallje që ai bëri dhe në emër të vendeve të rajonit në fund të ditës për qasjen në anëtarësimin në BE’, u shpreh ndër të tjera, Ilda Zhulali në SYRI TV.
© SYRI.net