'U rreshtuan hapur në mbrojtje të korrupsionit'/ Dasho: PS ka humbur çdo legjitimitet për të qeverisur

16:52, 15/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Votimi në Kuvend kundër kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku nuk ishte një surprizë, por prova e një realiteti të hidhur politik. Ky është konstatimi i mjekut Erjon Dasho, i cili në një analizë nga Gjermania në një intervstë për moderatorin Edvin Parruca në SYRI TV, argumenton se ky akt ka pasoja të thella si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar, veçanërisht në raport me Gjermaninë.

Sipas mjekut Dasho, me këtë vendim, mazhoranca socialiste dhe "Rilindja" kanë humbur çdo lloj legjitimiteti para publikut shqiptar. Ai argumenton se tashmë nuk mund të flitet më për një forcë politike që qeveris, por për një "bandë", ku anëtarët mbrojnë njëri-tjetrin nga frika se rënia e njërit mund të tërheqë pas vetes të gjithë strukturën, deri te "kryetari i bandës".

Duke cituar deklaratat e mëparshme të Arben Ahmetajt, Dasho thekson se seanca parlamentare shërbeu si prova publike e këtyre akuzave. Rreshtimi në bllok për të mbrojtur Ballukun, e cila akuzohet për disa nga aferat më të rënda korruptive si inceneratorët, tuneli i Llogarasë, Unaza e Madhe dhe aeroporti i Vlorës, tregon frikën e thellë që kjo strukturë ka përballë drejtësisë. Në planin ndërkombëtar, pasojat janë po aq serioze. Reagimi i menjëhershëm i autoriteteve gjermane, të cilat e cilësuan aktin si një pengesë në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, është një sinjal i qartë.

Dasho shpjegon se Gjermania, ndryshe nga shumë vende të tjera, nuk funksionon me demagogji apo negociata politike, por vlerëson realitetin objektiv dhe përmbushjen e kritereve. Për vendet që nuk i plotësojnë standardet në një masë dërrmuese, Berlini kthehet në një pengesë "të pakapërcyeshme". Mjeku shton se politika gjermane është jashtëzakonisht e ndjeshme ndaj opinionit publik, i cili nga ana e tij ndjek me interes zhvillimet në vendet kandidate. Veprime të tilla dëmtojnë rëndë imazhin e Shqipërisë dhe forcojnë pozicionin e atyre që e shohin me skepticizëm anëtarësimin e saj në BE.

Dasho:

Po, unë mendoj se, pavarësisht se jetoj jashtë, në radhë të parë, ju e thatë dhe e përmendët edhe vetë që e ndjek me shumë interes atë që ndodh në Shqipëri. Sot, bota e lidhur nëpërmjet teknologjisë të krijon mundësinë që të mësosh gjithçka ndodh dhe ne që jetojmë jashtë Shqipërisë, jetojmë njëkohësisht në dy realitete: në realitetin gjerman ose realitetin e vendit ku jetojmë, por edhe realitetin shqiptar. Dhe besoj se për të gjithë nuk ka patur asnjë çudi në atë që ndodhi me imunitetin e zëvendëskryeministres. Pra, ka disa muaj që përgatitej kjo seancë e turpshme në parlament dhe kishte, nuk kishte, siç e theksova, nuk kishte asnjë dyshim për askënd se Partia Socialiste dhe kryeministri në radhë të parë, nuk do ta lëshonte dhe nuk do ta lejonte SPAK-un të, në mënyrë më se të justifikuar dhe të argumentuar në mënyrë shumë të detajuar kësaj radhe, të ushtronte të drejtën e vet dhe të ushtronte atë të drejtë që ia jep ligji dhe ia jep ligji i cili mbi të gjitha e ka promovuar dhe e ka mbështetur gjatë gjithë kohës vetë partia që qëndron në pushtet prej 13 vitesh tashmë. Në dhjetor e pamë me vonesat, me justifikimet, me gjithçka tjetër, me lojërat ligjore, me lojërat me Komisionin e Mandateve dhe për të ardhur në përfundim pastaj tek ajo seancë e turpshme, ku qartazi Partia Socialiste u rradhit në anën e mbrojtësve të korrupsionit dhe në anën e atyre që e pengojnë dhe jo e mbështesin reformën në drejtësi.

Unë mendoj se pasojat janë shumë-planëshe të këtij veprimi. Në radhë të parë, në raport me publikun shqiptar, Partia Socialiste dhe Rilindja ka humbur çdo lloj legjitimiteti. Pra nuk flitet më për një forcë politike që qeveris, po flitet për një bandë ku anëtarët e bandës mbështesin njëri-tjetrin sepse e dinë që në qoftë se do të rrëzohet një anëtar i bandës, e ka mundësinë tanimë të marri me vete dhe të gjithë anëtarët e tjerë për të arritur tek ai që është kryetari i kësaj bande dhe nuk janë fjalët e mia, nuk janë fjalët e opozitës, janë fjalët e zotit Arben Ahmetaj i cili e ka cilësuar pikërisht kryeministrin si një, e ka krahasuar në të gjitha daljet e tij televizive si një kapobandë dhe si një drejtues i një, jo më i një qeverie dhe i një partie politike, por si një drejtues i një organizate kriminale. Në këto kushte, para qytetarëve shqiptarë, kjo ishte prova. Pra, në qoftë se akuzat e zotit Ahmetaj, akuzat që bën opozita, akuzat që bëjnë intelektualë të ndryshëm, qoftë brenda dhe qoftë jashtë vendit, ngelën në nivelin e akuzave, kjo është prova. Pra, nuk kishte asnjë lloj, nuk kishte asnjë lloj ndyshje Partia Socialiste për t'u renditur në bllok.

Për t'u renditur në bllok në krah të kryeministrit, të ish-zëvendëskryeministres Balluku, e cila për të qenë, për të qenë transparente, akuzohet për disa nga krimet më të, më të rënda dhe për disa, dhe për disa nga aferat më të rënda korruptive që mund të imagjinoheshin, por që në fakt, sipas akuzave të SPAK-ut, me sa duket janë krime të cilat kanë ndodhur. Pra të mos harrojmë inceneratorin e Tiranës, 50 milionë eurot e tunelit të Llogarasë, miliarda eurot e Unazës, aeroporti, afera e aeroportit të Vlorës. Pra, të gjitha këto janë afera aq djegëse dhe me sa duket, fakti që nuk hidhet, që nuk lejohet që drejtësia të hetojë siç duhet, sipas të gjithë atyre parametrave, sipas të gjithë atyre kërkesave që ka një proces ligjor dhe proces hetimi korrekt, fakti që pengohet SPAK-u të bëjë punën e vet, tregon se dhe këtu ka vetëm një, ka vetëm një shpjegim: pra, frikën që ka e gjithë ajo që quhet banda ose organizata kriminale e Rilindjes përballë, përballë ndëshkimit të merituar nga drejtësia. E dyta, ky është plani i parë.

Një nga planet, u zgjata sepse ky është plani më i rëndësishëm dhe ka të bëjë me besimin e publikut. Por vijnë pastaj tek aspekti ndërkombëtar dhe besoj se edhe një nga arsyet pse përse jam ftuar është sepse Gjermania dhe autoritetet gjermane kanë reaguar menjëherë pas asaj seance të turpshme duke e treguar qartazi dhe duke theksuar se veprime të tilla e pengojnë, e pengojnë rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Dhe këtu ndoshta, këtu mund të jap diçka dhe nga përvoja ime duke jetuar në Gjermani. Në ndryshim nga shumë vende ku politika dhe negociatat dhe diskutimet marrin edhe një rol primar, marrin edhe një rol që e kapërcejnë realitetin objektiv, Gjermania fatkeqësisht për vendet që nuk janë në atë nivel që duhet të kenë për t'u anëtarësuar në Bashkimin Europian, është një pengesë jo e vogël, për të mos thënë e pakapërcyeshme. Në radhë të parë, sepse Gjermania, në ndryshim, siç e thashë, nga shumë vende të tjera, është e prirur të vlerësojë realitetin objektiv dhe jo demagogjinë dhe as, dhe jo më pak edhe fjalët e bukura.

Gjermania vlerëson realitetin. Në qoftë se ato kritere që duhet të përmbushë një vend për t'u anëtarësuar në Bashkimin Europian nuk përmbushen, të paktën në një shkallë që të jetë dërrmuese, Gjermania nuk ka për ta dhënë, nuk ka për ta dhënë miratimin e vet për t'u anëtarësuar jo Shqipëria, po asnjë vend tjetër që nuk i plotëson, pra siç e thashë, pjesën dërrmuese të kritereve. E dyta, në ndryshim nga shumë vende të tjera, ku përsëri politika ka një, ka një ndarje midis politikës dhe publikut, në Gjermani politika është jashtëzakonisht e rëndësishme, e, jashtëzakonisht e ndjeshme, e përgjegjshme ndaj opinionit publik. Dhe opinioni publik gjerman është jashtëzakonisht i interesuar për zhvillimet.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco