Votimi për kreun e demokratëve në Pogradec, Kaso: Gara ka dy kandidatë, dy personalitete të rëndësishme

13:21, 15/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për Qarkun e Korçës ka folur gjatë ditës së sotme për zgjedhjet që po zhvillohen në Pogradec për drejtuesin lokal të kësaj partie.

Sipas deputetreit demokrat, “Gara ka dy kandidatë, dy personalitete të rëndësishme të PD-së”.

Një nga kandidatët është Kasëm Galla, i cili ka drejtuar degën e PD në Pogradec gjatë viteve 2019–2021 dhe aktualisht njihet edhe si një nga biznesmenët e zonës.

Në garë është gjithashtu edhe Oligert Muçllari, aktualisht drejtues i komanduar i degës pas procesit të primareve. Me profesion ekonomist, Muçllari kandidon për herë të parë për drejtimin e degës së Partisë Demokratike në qytet.

Ivi Kaso: Procesi ka filluar në orët e para të mëngjesit. Deri tani ka shkuar përgjithësisht i qetë, me përjashtim të disa problematikave të vogla, të cilat lidhen kryesisht me mungesën e ndonjë emri në listë. Kjo vjen për shkak të mungesës së rinovimit të teserave të anëtarësisë. Janë problematika të vogla që nuk e prishin atmosferën e qetë që e ka karakterizuar deri tani procesin. Duket një pjesëmarrje e konsiderueshme për një ditë pushimi, në një fundjavë të gjatë.

Duhet ta vlerësojmë pjesëmarrjen deri në fund, deri në orën 17:00 kur mbyllet procesi. Kemi besim që do të rritet pjesëmarrja. Gara ka dy kandidatë, dy personalitete të rëndësishme të PD-së. Ka pasur interes jo vetëm për të mbështetur këto dy figura, por edhe për të shprehur demokratët vullnetin që çdo lloj problematike apo ndasie që mund të ketë pasur kjo degë dhe degë të tjera të PD-së, të tejkalohet nëpërmjet një procesi të drejtë dhe transparent. Jam besimplotë që do të ketë një pjesëmarrje të krahasueshme me atë të primareve.

Ditën e sotme përfundon procesi jo vetëm në Pogradec, por edhe në të gjitha degët e Partisë Demokratike ku kryetarët ishin të komanduar për shkak të dorëheqjes së kryetarëve për proceset e primareve dhe kandidimit në zgjedhjet e përgjithshme. Ditën e hënë është paralajmëruar një mbledhje e kryesisë së PD-së, ku do të merret vendimi për fillimin e procesit sipas statutit në të gjitha degët e PD-së, për përfundimin e natyrshëm të mandatit në të gjitha degët. Ky proces pritet të përfundojë deri në fund të muajit prill.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco