'Shqipëria rrezikon krizë me ndërkombëtarët' - Malaj: Vendimet arbitrare ndaj biznesit dhe medias do i kushtojnë shtrenjtë

'Shqipëria rrezikon krizë me ndërkombëtarët' - Malaj: Vendimet arbitrare ndaj biznesit dhe medias do i kushtojnë shtrenjtë

15:57, 10/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Ish-ministri i Financave dhe ish-deputeti i Partisë Socialiste, Arben Malaj, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, në një kohë kur SPAK ka kërkuar arrestimin e ish-zv/kryeministres Belinda Balluku.

Malaj u shpreh se situata e krijuar mund ta çojë Shqipërinë drejt një krize të rëndë në raport me partnerët ndërkombëtarë dhe procesin e integrimit në Bashkimi Evropian.

Sipas tij, qëndrimi i kryeministrit Edi Rama në këtë situatë mund të ndikojë negativisht në marrëdhëniet me faktorët ndërkombëtarë.

“Shqipëria po hyn në një krizë të rëndë në raport me faktorët ndërkombëtarë dhe integrimin në BE. E kam thënë se mosdorëheqja e Ramës do të ishte, në mënyrë metaforike, shembje e urave të integrimit evropian”, u shpreh Malaj, i ftuar në News24

Ai theksoi se komuniteti ndërkombëtar nuk toleron rastet kur krimi i organizuar dhe paratë kriminale ndikojnë në qeverisjen e një vendi.

Malaj kritikoi gjithashtu disa vendime të qeverisë që sipas tij kanë pasur kosto të larta për buxhetin e shtetit, duke përmendur uljen e dividendit dhe çështjen e lojërave të fatit, të cilën e cilësoi një treg me vlerë rreth 900 milionë euro, ku sipas tij Shqipëria ka humbur rreth 200 milionë euro.

Ai përmendi gjithashtu edhe vendime të tjera që mund të kenë pasoja financiare për vendin, si çështja Becchetti dhe prishja e resortit “Prestige”, duke paralajmëruar se këto mund t’i kushtojnë Shqipërisë deri në 400 milionë euro në gjykatat ndërkombëtare.

Sipas Malajt, tensionet mes qeverisë dhe medias së pavarur janë një tjetër problem, pasi kostot e vendimeve politike nuk paguhen nga individët që i marrin ato, por nga taksapaguesit shqiptarë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco