Rama kërcënon prokurorët: Mos kërkoni kokën e dikujt me muhabete telefoni, Ballukun nuk e lëshoj

Rama kërcënon prokurorët: Mos kërkoni kokën e dikujt me muhabete telefoni, Ballukun nuk e lëshoj

12:15, 09/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Edi Rama u dërgoi një mesazh prokurorëve specialë, duke u thënë se nuk mund të kërkojnë kokën e dikujt vetëm me muhabete telefoni.

Kujtojmë se në dosjen e Belinda Ballukut, mesazhet telefonike të Ramës janë të shumta.

Ndërkohë disa kohë më parë, Rama pati kërcënuar sërish prokurorët se nuk duhet të sekuestrojnë telefonin e tij.

Në fund të fjalës së tij të gjatë, Rama theksoi se nuk ka ndërmend të lëshojë Ballukun.

“E di shumë mirë që do të thonë prapë, por ky është një qëndrim i prerë kundër dhënies së autorizimit për arrest të një deputeteje dhe është po aq parimor e i domosdoshëm sot sa ç’është një qëndrim paralel i prerë në mbështetje të drejtësisë për të hetuar, gjykuar e vendosur e patrysnuar nga pushteti ekzekutiv. Mosdhënia e autorizimit për arrest është thjesht kryerja e detyrës sonë”, tha Rama.

“Paraqitja e një incizimi mes një të pandehuri dhe një bashkëbiseduese, ku e pandehura sipas prokurorit na qenkësh kërcënuar. Nuk përmendet asgjëkund në atë bisedë Belinda, ministrja, titullarja apo ndonjë gjë që duket si ndonjë kërcenim real. Unë vetë as nuk e kam dëgjuar as nuk kam ndërmend ta dëgjoj apo të lexoj procesverbalin, por drejtësia ka detyrën e vet t’i përdorë, që e paska shtyrë prokurorin të marrë të gjithë atë të përpjetë dhe të vijë të kërkojë arrestimin e një deputeteje, e cila është prindi i vetëm i një vajze minorene. Nuk po marr fare as për bazë faktin që kërcënimin prokurori e kishte, edhe përpara se sa ta pezullonte ministren. Ndërkohë që e nxori vetëm kur ra masa e pezullimit, duke e përdorur si rrethanë rëndësuese për të kërkuar me çdo kusht arrestin në një turra vrap i cili më shumë se sa një hap logjik i një procedure ku shfaqet një e dhënë e re, ngjan me një reagim emocional ndaj rrëzimit të masës së pezullimit nga Kushtetuesja.

Nuk po them fare që një thënie e një të pandehur në të njëjtin procedim nuk ka vlerën e dëshmisë dhe nuk mund të konsiderohen si provë. S’po e quaj, e zë se e pandehuri i thotë bashkëbisedueses, Balluku më ka lidhur pas karriges, më ka vënë në fyt një thikë që kishte edhe disa pika gjaku të tharë dhe më ka thënë do të të vras, po nuk the kështu apo nuk bërë ashtu. Po e marr që prokurorët kanë sjellë këtë.

A ka njeri të ma tregojë si mund të vihet në Kuvendin e Shqipërisë me një muhabet të tillë telefoni pa bërë asnjë ballafaqim, pa bërë asnjë kryqëzim dëshmish, pa bërë asnjë verifikim kur, ku ndodhi kjo. Sado në mënyrë të tmerrshme të përshkruhet në një bisedë telefonike mes dy grash, ose burrash, aq më tepër një i pandehur me një tjetër. Si u marrka prapa hekurave kaq kollaj, se folën dy veta në telefon dhe kjo është provë e re, që nuk është as e re, dhe kur mendohet se vuhet me këtë kollajllëk në Kuvend për të kërkuar kokën e një të zgjedhuri, mbasi është bërë gjithçka për t’ia futur 7 pashë jo nën dhe, por në llum”, tha Rama.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco