‘As të majtë, as idealistë’/ Nurellari: Rama dhe Kurti synojnë vetëm konsolidimin e pushtetit...

09:15, 06/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në ‘KAFE SHQETO’ në SYRI TV, analisti politik Adri Nurellari ka kritikuar mënyrën se si, sipas tij, udhëheqës të politikës shqiptare dhe kosovës e përdorin pushtetin, duke theksuar se pozicionimi i tyre si të majtë është më shumë formal sesa ideologjik.

Ai u shpreh gjatë intervistës se si kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ashtu edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk udhëhiqen nga bindje ideologjike, por nga interesa për mbijetesë politike dhe përqendrim të pushtetit. Sipas Nurellarit, qasja e tyre karakterizohet nga tendenca për kontroll më të madh mbi institucionet dhe përballje të ashpër me kundërshtarët politikë.

ADRI NURELLARI: Po shiko, këta të dy nuk janë të majtë. Nuk kanë ideologji ose besnikëri ndaj ideve, vlerave, me të cilat mund të mos pajtohesh, por të paktën do mendohesh që janë idealistë. Jo s'ka lidhje, këta e kanë pozicionimin kështu figurativisht sepse i duhet të mbajë një anë, por nuk janë thelbësisht të majtë. Bile ne e shikojmë fare mirë në Shqipëri se si kryeministri është, si të thuash, bartës i interesave i të ortakëve të tij, të cilët janë të privilegjuar dhe kontrollojnë ekonominë. Jo më kot po të shikoni ju çmimet e Shqipërisë, ka kaluar tashmë mesataren e Bashkimit Europian. Dhe në rastin e Kurtit, kemi parë Kurtin që me një qasje të ngjashme patronazhiste, duke harxhuar shumë më tepër para për subvencione, por atë nuk e bën se është i majtë, e bën se është një mënyrë për të blerë vota, për të joshur vota, por ndërkohë nuk ka rritur rrogat siç ka qenë e planifikuar, siç do të bënte një parti e majtë, dhe nuk ka bërë asnjë investim publik domethënës siç bëjnë partitë e majta zakonisht. Madje, ka hyrë në konflikt me sindikatat dhe një konflikt për shembull me sindikatën e arsimit, ka zënë një vëmendje të veçantë në Kosovë.

Kështu që, po ta shikosh, besnikëria e tyre nuk është ndaj një ideologjie ose qëndrimi të qartë ideologjik, por është ndaj lëvizjeve për mbijetesë dhe konsolidim të pushtetit. Kështu që në këtë aspekt, ajo që është e përbashkët është qasja, mendoj unë, tendenca autokratike, tendenca për të përqendruar sa më shumë pushtet, për të anatemuar kundërshtarët, për të trajtuar opozitën dhe ata që s'pajtohen me, me pushtetin, për t'i trajtuar si armiq, jo si rivalë, kundërshtarë, konkurrentë, edhe shpesh mund të ishin edhe bashkëpunëtorë për nevoja dhe interesa më të përbashkëta. Për faktin që për hir të luftës dhe banalitetit të përditshmërisë, është i gatshëm të dëmtojë rëndë interesat shtetërorë, dhe për faktin që, në qoftë se ka një gjë të përbashkët, është që Kurti është i mbushur me abuzime, ka ministra të tij që janë të përfshirë në afera korruptive, është vetë i kërkuar nga prokuroria për të deponuar edhe refuzon dhe sa herë që që njerëzit e tij janë të përfshirë, ai sulmon drejtpërdrejt prokurorinë dhe gjyqësorin.

Dhe një ndër arsyet që po shikojmë ne pse ai po ngulmon të vendosë një noter të tij në presidencë, është qartazi interesi i tij për të kapur, për të shtënë në dorë drejtësinë. Sepse drejtësia në Kosovë, për arsye specifike të Kosovës, ka qenë shumë larg pushtetit dhe autoritetit të shumicës. Kujtoj këtu që në Kosovë fillimisht ka qenë drejtësia e UNMIK-ut, pastaj e EULEX-it, EULEX-i ka pasur rol ekzekutiv në Kosovë deri në 2018-ën. Dhe po ashtu, partnerët ndërkombëtarë kanë ndikim të madh në, në pavarësimin e drejtësisë. Dhe zoti Kurti do që edhe atë ta kapë, sepse është e vetmja gjë që i ka lënë, i ka dalë prej duarsh. Edhe pra i duhet një president i kontrolluar, sepse presidenti ka një rol në, në emërime edhe në, në reformë potenciale ose ndryshime ëh, brenda institucioneve të drejtësisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco