Në protestën e 18-të të qytetarëve që kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës, një qytetarë u shpreh gjatë fjalës së tij në podium se sistemi politik në Shqipëri ka dështuar prej vitesh, duke u shkëputur nga interesat e qytetarëve dhe duke prodhuar emigracion masiv, varfëri dhe korrupsion të pandërprerë.
Gjatë deklaratës, ai theksoi se qytetarët nuk duhet të mbeten më vetëm në reagime të përkohshme, por se është e domosdoshme një organizim i ri mbarëqytetar, përtej strukturave ekzistuese politike, me qëllim mbrojtjen e interesit publik dhe pasurive kombëtare. Në këtë kontekst, u vu theksi te nevoja për një alternativë të re politike dhe qytetare që synon të vendosë kontroll mbi keqmenaxhimin e institucioneve dhe pasurive publike.
Në fjalën e tij ai propozoi gjithashtu krijimi i një “Sindikatë Kombëtare Qytetare”, si një formë organizimi që do të monitorojë institucionet, kontratat publike dhe ndërhyrjet në territorin dhe pasuritë natyrore të vendit.
Ai nënvizoi se protesta nuk është qëllim në vetvete, por vetëm fillimi i një rruge më të gjatë organizimi dhe veprimi qytetar për ndryshim politik në vend.
Fjala e plotë:
E marr fjalën sot, për më tepër, për të sqaruar analistët nëpër televizione që dalin dhe nxjerrin 100 teori për këtë protestë, si dhe për t’u treguar se çfarë është kjo protestë dhe çfarë mund të arrihet me të.
Të dashur qytetarë, bashkëkombës kudo që ndodheni, sot nuk jemi mbledhur këtu vetëm për të protestuar kundër një qeverie, por edhe për të shprehur zemërimin ndaj një sistemi që prej 35 vitesh e ka humbur lidhjen me njerëzit. Jemi këtu sepse Shqipëria ka nevojë për një drejtim të ri. Për shumë vite, pushteti ka ndryshuar duart, por problemet kanë mbetur po të njëjtat: emigracioni, korrupsioni, varfëria asgjë nuk ka ndryshuar.
Ndërkohë, qytetarët janë lënë vetëm, pa mbrojtje, pa përfaqësim të vërtetë. Sot Shqipëria po zbrazet, të rinjtë po largohen, familjet po humbin shpresën, pasuritë publike po keqmenaxhohen, ndërsa territori i vendit po trajtohet si mall tregu. Por Shqipëria nuk është prona e askujt; ajo është prona jonë! Shteti nuk është pronë e interesave të ngushta, malet nuk janë plaçkë për përfitime politike, lumenjtë nuk janë biznes privat. Territori është pasuria e përbashkët e një kombi, dhe një komb që humbet kontrollin mbi të, humbet edhe të ardhmen e tij.
Nëse sot nuk reflektojmë dhe nuk veprojmë, nesër do të jetë vonë për të kuptuar se kemi humbur jo vetëm shpresën, por edhe vendin ku jetojmë. Prandaj nuk na mjafton vetëm reagimi. Na duhet një hap më i madh një hap që e tejkalon protestën, një hap që kthen energjitë e qytetarëve në fuqi të organizuar.
Vërtet, sot ne kërkojmë dorëheqjen e qeverisë për keqmenaxhimin e vendit, por duhet të ndërtojmë një alternativë që të garantojë se gabimet e së kaluarës nuk do të përsëriten më. Sepse protesta është fillimi, ndryshimi është qëllimi, por rruga mes tyre është organizimi!
Ne kemi nevojë për një mënyrë të re të të bërit dhe të të jetuarit si qytetarë një mënyrë që nuk varet nga premtimet e politikës së vjetër, një mënyrë që lind nga njerëzit, që monitoron qeverinë, bashkitë dhe kontratat publike për të rimarrë territorin, dhe që ngre zërin sa herë preket interesi publik.
Sepse Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për individë që ankohen, por për qytetarë që dinë të veprojnë së bashku; për njerëz që nuk shiten, që nuk frikësohen, për ata që e duan këtë vend më shumë se interesin e tyre privat.
Ky është momenti kur, nëse Shqipëria kërkon, kjo fuqi qytetare do të kthehet në zgjidhje, duke hyrë në arenën politike për të ndikuar drejtpërdrejt në stabilitetin e një politike shtetërore. Sepse askush nuk do ta ndryshojë Shqipërinë për ne; ne duhet ta bëjmë vetë!
Kjo nuk duhet të jetë vetëm një protestë kundër pakënaqësisë; le të jetë fillimi i një rruge për të gjithë qytetarët e lirë shqiptarë.
Për këtë arsye, sot e themi qartë se kjo rrugë duhet të ketë një emër: të ndërtojmë një Sindikatë Kombëtare Qytetare si garanci për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve!
Që ngrihet sa herë cenohet prona e qytetarëve, që bashkohet sa herë shkatërrohet një park, një pyll, një lumë apo një copë e territorit kombëtar. Që ngrihet sa herë abuzohet me taksat e shqiptarëve dhe që nuk është si 130 partitë që ekzistojnë aktualisht.
Kjo sindikatë do të përfaqësojë interesat e gjithë kombit. Të bëhemi si jelekët e verdhë në Francë! Të tejkalojmë organizimin dhe përfaqësimin. Të bëhemi shembull në botë se si një popull kontrollon veprimtarinë e tij politike dhe menaxhimin e burimeve kombëtare.
Faleminderit të gjithëve. Nesër më shumë—ne do të fitojmë, sepse jemi e ardhmja!
© SYRI.net