Po zhvillohet në këto momente protesta e 18-të e qytetarëve shqiptarë, ku pjesëmarrësit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.
Gjatë protestës ka marrë fjalën një prej folëseve, e cila ka deklaruar se diaspora akademike shqiptare në botë i është bashkuar kauzës së protestuesve.
Në deklaratën e tyre, akademikët shprehen se mbështesin protestat paqësore qytetare në Shqipëri dhe kërkesat për një vend të qeverisur me përgjegjshmëri, transparencë dhe drejtësi.
Akademikët theksojnë se shumë prej sfidave me të cilat përballet Shqipëria sot lidhen, sipas tyre, me dështime të përsëritura politike dhe institucionale, të cilat kanë dobësuar besimin e qytetarëve te institucionet shtetërore dhe drejtësia.
Sipas deklaratës, protestat e sotme nuk janë vetëm një reagim ndaj situatës aktuale, por një shprehje e pakënaqësisë së thellë shoqërore ndaj modeleve qeverisëse që, sipas tyre, nuk kanë vepruar në funksion të interesit të përbashkët.
Në fokus të deklaratës është vendosur edhe gjendja e arsimit, shkencës dhe inovacionit në Shqipëri, ku akademikët ngrenë shqetësime për financimin, ndërhyrjet politike, autonominë universitare dhe standardet e sistemit arsimor.
Protestuesja:
Të dashur vëllezër dhe motra, kam një lajm shumë të mirë! Diaspora akademike shqiptare është me ne! Shkencëtarët shqiptarë anë e mbanë botës i janë bashkuar kauzës sonë.
Dua të ndaj me ju deklaratën e tyre: "Ne, një grup akademikësh shqiptarë jashtë vendit, shprehim mbështetjen dhe solidaritetin tonë të plotë me protestat paqësore qytetare në Shqipëri dhe me kërkesat e tyre legjitime për një Shqipëri të re, të qeverisur me përgjegjshmëri, transparencë dhe drejtësi, me institucione që u shërbejnë qytetarëve, jo pushtetit.
Besojmë se shumë nga sfidat me të cilat përballet Shqipëria sot janë rezultati i dështimeve të përsëritura politike dhe institucionale, të cilat për shumë vite kanë dobësuar besimin e qytetarëve te shteti, te drejtësia dhe te mundësia për të ndërtuar të ardhmen në vendin e tyre.
Për këtë arsye, protestat e sotme nuk janë thjesht një reagim ndaj situatës të momentit, por një shprehje e një lodhjeje të thellë shoqërore me modelet qeverisëse që nuk kanë vepruar në funksion të së mirës të përbashkët. Ne shohim me shqetësim edhe gjendjen e arsimit, shkencës dhe inovacionit në Shqipëri.
Pa arsim cilësor, pa kërkim shkencor serioz, pa inovacion dhe pa meritokraci, nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm, ekonomi konkurruese apo institucione të forta demokratike. Mungesa e financimit të qëndrueshëm, ndërhyrjet politike, autonomia universitare e brishtë, standardet e dobëta..."
© SYRI.net