Po zhvillohet në këto momente protesta e 18-të e qytetarëve shqiptarë, ku pjesëmarrësit kanë dalë në shesh me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.
Gjatë tubimit ka marrë fjalën një prej folëseve, e cila u prezantua si veterane e ushtrisë amerikane. Në deklaratën e saj, ajo iu drejtua policisë dhe ushtrisë shqiptare, duke bërë thirrje që institucionet e sigurisë të qëndrojnë në mbrojtje të qytetarëve.
“Unë jam veterane e ushtrisë amerikane dhe kam ardhur këtu për të protestuar, por edhe për t’i bërë një thirrje policisë dhe ushtrisë shqiptare. Ne betohemi për të mbrojtur popullin dhe jo kryeministrin apo asnjë pushtetar. Kur betohesh për të qenë ushtarak, mbron popullin dhe jo pushtetarët”, deklaroi ajo.
Më tej, folësja bëri thirrje për ndryshime në vend dhe për më shumë mbështetje ndaj familjeve dhe fëmijëve, duke përmendur edhe nevojën për shërbime më të mira për fëmijët me autizëm.
“Na duhet një Shqipëri e re, për fëmijët tanë. Fëmijët me autizëm në Shqipëri kanë nevojë për mbështetje dhe ky shtet ka marrë fund”, u shpreh ajo.
Në përfundim të fjalës së saj, ajo deklaroi se institucionet ushtarake duhet të jenë në shërbim të qytetarëve dhe jo të pushtetit.
Protestuesja:
Unë jam veterane e ushtrisë amerikane dhe kam ardhur këtu për të protestuar edhe për t'i bërë një thirrje policisë edhe ushtrisë shqiptare, se ne betohemi për të mbrojtur popullin dhe jo kryeministrin dhe asnjë pushtetar. Kur betohesh për të bërë ushtarak, mbron popullin dhe jo pushtetarët.
Ju lutem policisë dhe ushtrisë, të mbrojnë këtë popull dhe ta ngrenë... të bëjmë një Shqipëri të re, sepse kjo na duhet dhe asgjë tjetër. Një Shqipëri të re për fëmijët tanë. Në vend që të bëjmë terapi hormonesh për fëmijët, na duhet terapi për fëmijët me autizëm.
Fëmijët me autizëm në Shqipëri kanë nevojë për mbështetje dhe ky shtet ka marrë fund, dhe duhet të ikin dhe të largohen vetë, përpara se ushtria të thirrë mendjen dhe t'i kthehet kundër pushtetit, sepse ne ushtarakët duhet të mbrojmë popullin dhe jo pushtetarët. Faleminderit!
© SYRI.net