Kanë kaluar rreth 13 ditë që nga nisja e rrethimit të sipërfaqes së tokës ku pritet të ndërtohet TEC-i në fshatin Suk1 të Bashkisë së Roskovecit, ndërsa kundërshtitë e banorëve vazhdojnë të rriten. Një përfaqësi e banorëve të zonës, së bashku me përfaqësues të shoqatës ambientaliste “Zharrza”, dolën sot në një konferencë për shtyp për të denoncuar situatën.
Sipas përfaqësuesve të banorëve, ndaj tyre po ushtrohet presion, veçanërisht ndaj familjarëve që janë të punësuar në administratën shtetërore, duke u kërkuar të tërhiqen nga protestat kundër projektit.
Ata pretendojnë se paralelisht po bëhet propagandë me premtime për punësim të banorëve të zonës pas ndërtimit të TEC-it, gjë që sipas tyre ka sjellë përçarje mes banorëve dhe ka dobësuar reagimin kundërshtues.
Dhurata Mallka, përfaqësuese e banorëve, u shpreh se deri tani janë zhvilluar pese protesta, ndërsa po organizohet edhe protesta e radhës.
“Banorët janë të ndarë, pasi nga njëra anë ka presione dhe nga ana tjetër premtime për punësim. Megjithatë, kundërshtia vazhdon dhe protestat do të vijojnë”, tha ai.
Ndërkohë, përfaqësuesi i shoqatës ambientaliste “Zharrza”, Qani Rredhi ngriti shqetësime për mungesë dokumentacioni ligjor për projektin. Sipas tij, nga verifikimi i dokumenteve në tabelën informuese në vendin ku ka nisur rrethimi, rezulton se leja mjedisore ka skaduar.
Ai shtoi se, sipas informacionit që disponojnë, nuk është marrë ende leja në Agjensimë e baseneve të ujërave dhe nuk ka pasur as aplikim për një leje të tillë.
“Për një çati apo për rrethimin e një oborri me tela, vjen menjëherë Policia e Shtetit dhe IKMT-ja dhe të marrin për krahu. Ndërsa këtu po kryhen punime dhe nuk ka ardhur askush nga institucionet për të verifikuar nëse ka dokumentacionin e duhur”, u shpreh Rredhi.
Shoqata ambientaliste “Zharza” deklaroi se do të vazhdojë të mbështesë banorët e zonës në kundërshtimin e projektit dhe në kërkesën për transparencë lidhur me lejet dhe ndikimin mjedisor të TEC-it
© SYRI.net