Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Protesta, a do të japë Edi Rama dorëheqjen?

'Krimi në Shqipëri po minon integrimin në BE', Kaso: Ka marrë fund koha kur qeveria manipulonte ndërkombëtarët

'Krimi në Shqipëri po minon integrimin në BE', Kaso: Ka marrë fund koha kur qeveria manipulonte ndërkombëtarët

10:13, 05/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Deputeti i opozitës, Ivi Kaso i ftuar në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto” në Syri tv, e ka cilësuar si një “ogur të mirë” dhe një lajm pozitiv për Shqipërinë ashpërsimin e fundit të toneve nga ana e Bashkimit Evropian në lidhje me problematikat e thella në vend. Sipas tij, kjo shënon fundin e një epoke ku ndërkombëtarët “bënin sikur nuk i shihnin” plagët e mëdha të vendit.

Gjatë bisedës me moderatorin Flavio Qarri, Kaso theksoi se deklaratat e fundit, të artikuluara nga ambasadori i BE-së, tregojnë se ka kaluar koha kur Shqipëria thjesht “bënte sikur” zbatonte reforma. “Tani kërkohet progres i qartë, jo vetëm në miratimin e legjislacionit, por mbi të gjitha në zbatimin e tij,” u shpreh ai. Kjo, sipas deputetit, vjen si rezultat i një vëmendjeje të shtuar nga partnerët ndërkombëtarë ndaj rrugës së integrimit të Shqipërisë.

Kaso pranoi se për vite me radhë ndërkombëtarët kanë qenë “të verbër dhe të shurdhër” përballë problemeve si infiltrimi i krimit të organizuar dhe i parave të paligjshme në zgjedhje dhe në ekonomi. Ai denoncoi se ky fenomen e ka bërë jetën “të pajetueshme dhe të paaksesueshme” për qytetarët e ndershëm, ndërsa mazhoranca, sipas tij, i ka dhënë me koncesion procesin zgjedhor krimit në zona të caktuara, duke e shpërblyer më pas me favore ekonomike.

Sipas Kasos, ky qëndrim i ri i partnerëve është rezultat i përpjekjeve të pandalshme të opozitës për të ekspozuar realitetin e qeverisjes në të gjitha instancat ndërkombëtare, nga Brukseli në Uashington.

Flavio Qarri: E di që e keni kohën e kufizuar, pritet të jetë një seancë interesante kjo e sotmja. Megjithatë nuk mund të rrija pa e komentuar këto deklarata. Më në fund Gonzato, më në fund BE-ja, apo çfarë ishte kjo deklaratë?

Ivi Kaso: Besoj që duhet të gëzohemi se për t'u trishtuar, trishtohemi si gjithë shqiptarët e tjerë për sa kohë problemet që janë në dritë të diellit dhe i kemi të gjithë në kurriz, ndërkombëtarët për vite me radhë kanë bërë sikur s'i shihnin, ose sikur ishin të parëndësishme për Shqipërinë. Kështu që, në momentin, qoftë edhe në tryeza të tilla të cilat kanë më shumë një karakter solemn edhe formal përsa i përket qëndrimeve. Në momentin kur vihet gishti në plagë, besoj që është gjë e mirë për Shqipërinë edhe për të ardhmen që gjithë shqiptarët shpresojnë ta kenë, europiane. Besoj që qëndrimi i ambasadorit vjen si qëndrim zyrtar i Bashkimit Europian, në momentin që vëmendja e tyre përsa i përket hapave që Shqipëria duhet të bëjë në rrugën e integrimit është jashtëzakonisht e shtuar dhe në këtë drejtim, tanimë ka kaluar ajo koha që Shqipëria bënte sikur. Pra bënte sikur bënte reforma, bënte sikur miratonte ligje, bënte sikur arrinte standarte dhe më pas këto standarte ishin vetëm në letër. Tani kërkohet progres i qartë, jo vetëm në miratim legjislacioni, por mbi të gjitha në zbatimin e legjislacionit, për të parë në qoftë se Shqipëria është gati të bëjë ndonjë gjysëm hapi përpara apo jo. Kështu që, besoj për të gjithë ata që na ndjekin, ky qëndrim dhe qëndrime të tjera që do të pasojnë, duhet të shihen si një ogur i mirë.

Flavio Qarri: Megjithatë, a mos është shumë e vonuar kjo deklaratë e ambasadorit Gonzato i cili duhet thënë, është akuzuar në të shkuarën, është perceptuar si një dashamirës i mazhorancës?

Ivi Kaso: Sigurisht neve mund të gjejmë arsye plot, të gjitha të bazuara për të thënë që qëndrimi është i vonuar. Unë vetë e thashë në krye të parashtrimit tim, që për vite me radhë ndërkombëtarët kanë qenë të verbër dhe të shurdhër përsa i përket evidentimit të plagëve të mëdha nga e cila vuan Shqipëria. Veçanërisht përsa i përket ekonomisë shqiptare një dhe çështjes së thellësisht të mprehtë edhe të nxehtë të zgjedhjeve që duhet të jenë me standarte. Infiltrimi i krimit të organizuar, infiltrimi i parasë kriminale, është një problem që në radhë të parë na mundon të gjithëve, sepse e ka bërë Shqipërinë, veçanërisht Tiranën të pajetueshme, të paaksesueshme për ata, qindra mijëra shqiptarë që punojnë me djersë të ballit, që presin rrogën në fund të muajit, që duan të blejnë një shtëpi për veten e tyre ose për fëmijët e tyre bazuar në punën e tyre të ndershme ose në një kredi bankare.

Nga ana tjetër, përsa i përket forcave politike që përballen në garën zgjedhore, dhënia me koncesion e gjithë procesit të zgjedhjeve nga kjo mazhorancë në zona të caktuara krimit të organizuar dhe më pas shpërblimi i këtij krimi të organizuar me favore ekonomike, është një problem i madh i cili duhej të adresohej nga institucionet ligjzbatuese, gjë që deri tani nuk ka ndodhur. Dhe shpresojmë që me vëmendjen edhe të partnerëve ndërkombëtarë, të cilët gjithashtu institucionet ligjzbatuese duhet të raportohen, duhet t'i japin llogari përsa i përket performancës së tyre për të vlerësuar më pas, a janë apo jo ato gati që të kenë standarte të pranuara në Evropë. Besoj që është kjo vëmendje e shtuar dhe besoj që pavarësisht se me shumë vonesë, ky kthim i kursit 180 gradë, është lajm i mirë në radhë të parë për shqiptarët, së dyti për forcat politike, të cilat mundet që në këto kushte të bëjnë përpjekjet maksimale që nëpërmjet edhe përmirësimit të legjislacionit, por edhe nëpërmjet një sjellje tjetër ndryshe të organeve ligjzbatuese, të kenë shanse që në garën e ardhshme zgjedhore të mos përballen me shtetin, por të përballen me një forcë tjetër politike .

Flavio Qarri: Dy pyetje. E para njëherë, në ç'pozita e vë kjo kryeministrin i cili ka përdorur me kënaqësi dhe lehtësi një avantazh të padrejtë siç ishte mbështetja ndërkombëtare? Dhe mbi të gjitha, sa ka ndikuar përpjekja juaj me PPE-në, me parti të tjera të djathta, me vizitat tuaja në Bruksel për ta ekspozuar kryeministrin dhe mazhorancën para syve të ndërkombëtarëve?

Ivi Kaso: Sigurisht e vë kryeministrin në një kurs përplasje të qartë, qoftë edhe në retorikë edhe në qëndrime me atë që janë qëndrimet zyrtare të Bashkimit Evropian tashmë, të partnerëve në Shtetet e Bashkuara, të cilët do të vazhdojnë besoj, do të jenë edhe më të zëshëm. Sepse nga njëra anë përballet retorika e kryeministrit mohuese për gjithçka, pra, relativizuese ndaj problemit të madh të krimit të organizuar dhe infiltrimit të tij në procesin zgjedhor, në ekonomi e gjetkë. Kur thotë që nuk ka grupe kriminale të cilët merren me zgjedhje, nuk ka grupe kriminale të cilët masivisht pastrojnë para në Shqipëri. Pra mohon atë që është e dukshme si dritë e diellit për gjithë shqiptarët dhe tashmë është e dukshme dhe problematike edhe për ndërkombëtarët. Kështu që qartazi, edhe në retorikë dhe në qëndrime e vë atë në një kurs përplasje me partnerët europianë të cilët deri dje mendonte se i ka patur në krah dhe tani nuk guxon as t'i komentojë deklaratat e tyre. Nga ana tjetër besoj që një meritë e madhe i shkon gjithë kolegëve të opozitës, veçanërisht përpjekjeve që kryetari i opozitës, profesor doktor Berisha i ka bërë të pandalshme jo vetëm publike, jo vetëm mediatike, jo vetëm denoncuese, por edhe në të gjithë instancat përkatëse duke filluar nga Parlamenti Evropian, Këshilli i Evropës, Komisioni Evropian, si dhe në Kongres dhe në Senat në Shtetet e Bashkuara, për të ekspozuar të vërtetën lakuriq, për të ekspozuar qeverinë lakuriq….  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco