Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka qenë i ftuar në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto” në Syri tv. Ai ka hedhur akuza të ashpra ndaj Kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar shkrimin e përbashkët të tij me Presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, si një akt që minon politikën kombëtare shqiptare të tre dekadave të fundit.
Gjatë bisedës me moderatorin Flavio Qarri, Mediu e konsideroi këtë veprim të paimagjinueshëm dhe thekson se asnjë lider tjetër shqiptar nuk do të ndërmerrte një nismë të tillë, veçanërisht me Serbinë. Sipas tij, skandalet e qeverisë Rama janë bërë aq të shpeshta sa kanë filluar të perceptohen si normale, por ky qëndrim i fundit kalon çdo kufi. Ai e përshkruan qasjen e Ramës si "sharlatanizëm politik", i cili fatkeqësisht nuk po trajtohet me seriozitetin e duhur nga institucionet apo politika vendase.
Më tej, Mediu argumenton se aleanca e ngushtë e Ramës me Vuçiçin ka shërbyer për të anashkaluar dhe "diabolizuar" Kosovën, ndërkohë që lartëson figurën dhe autoritetin e Serbisë si një partner strategjik në rajon. Ky qëndrim, sipas tij, është shfaqur jo vetëm tek nisma e "Ballkanit të Hapur", por edhe në diskutime të tjera dypalëshe, ku interesat e shqiptarëve të Kosovës janë lënë sistematikisht në hije.
Mediu thekson se Serbia është pozicionuar qartësisht kundër interesave euroatlantike, duke u rreshtuar si një aleate e Rusisë dhe Kinës në Ballkan. Sipas tij, njësimi i politikës së jashtme shqiptare me atë të Serbisë është një akt i paprecedentë dhe tejet i dëmshëm. Ky veprim i Ramës, sipas kreut të PR, rrezikon ta kthejë Shqipërinë në një shtojcë të politikës së Beogradit, duke zhbërë përpjekjet 30-vjeçare për një rrugëtim të qartë europian.
Flavio Qarri:P ata një kuriozitet ndërkohë që po dëgjoja professor Bytyçin për marrdheniet me Serbinë. Nëse, Sali Berisha kryeministër firmoste një shkrim të përbashkët për rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian me Aleksandër Vuçiç, për sa sekonda do e kishim quajtur tradhtar, serb, të shitur?
Fatmir Mediu: E para, nuk do ta çoja kurrë në mendje që Sali Berisha do bënte ndonjë artikull të përbashkët me presidentin e Serbisë. Nuk do të ndodhte kurrë. Do mund të bënte çdo lloj artikulli qëndrimi me lidershipin e Kosovës, biles i rezervuar për mos t'u mbivendosur me lidershipin e Kosovës, por asnjëherë me Serbinë. Por skandalet e Ramës kanë filluar të bëhen të pranueshme sepse janë trashur kaq shumë sa do të thotë nuk bën më habi. Por më lejo të them këtë që kurrë në historinë e tyre shqiptarët nuk do besonin që domethënë Vuçiç do të ishte ai që do të definonte rrugëtimin evropian të Shqipërisë.
E dyta, mendoj që ky lloj sharlatanizmi politik që ka Edi Rama, për fatin e keq nuk trajtohet në mënyrë serioze as nga institucionet dhe përgjithësisht as edhe nga politika. Tashmë Rama ka treguar qartë që domethënë shteti për të nuk ekziston, ekziston vetëm ai personalisht dhe interesat e tij. Dhe duke vazhduar në atë idenë që ka profesori, unë mendoj që ka forca që shtyjnë në këtë lloj drejtimi të një qëndrimi të përbashkët të Vuçiç me Ramën, e cila është shfaqur jo vetëm thjesht me Ballkanin e hapur por dhe në diskutimet bilaterale apo edhe më shumë sesa bilaterale që ata kanë pasur duke vendosur Kosovën në hije, biles duke e diabolizuar Kosovën dhe duke e ngritur lart figurën dhe autoritetin e Serbisë si një shtet i cili mund të punojë me shqiptarët dhe për sa kohë punon me Ramën, për fatin e keq, ata shqiptarët në Kosovë nuk janë ata që duhet që mund të negociojnë për çështje serioze. Dhe ky ka qenë pak a shumë sensi i gjithë diskutimit që ka bërë. Por, ajo që është akoma dhe më skandaloze është fakti që një politikë e cila për mbi tre dekada është formësuar si politikë kombëtare, në shërbim të Shqipërisë, por dhe interesave tona kombëtare, që është anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian, kërkon të zhbëhet nga një individ i vetëm, i cili politikën e jashtme e shikon vetëm si një lloj mundësie për të forcuar pushtetin e vetë të korruptuar. Për më tepër, politika e integrimit evropian të Shqipërisë nuk ka qenë thjesht një politikë e një tregu të përbashkët apo përfitimit të fondeve nga Bashkimi Evropian. Nuk ka qenë as çështja e lëvizjes në zonën Schengen apo qëndrimit të pafund në zonën Schengen, por ka qenë një politikë në thelb kombëtare që Shqipëria të fitojë atë status jo vetëm ekonomik por dhe gjeopolitik, që i shërben interesave të Shqipërisë por dhe interesave të shqiptarëve në rajon. Sepse mendoj që zgjidhja e problemeve të shqiptarëve në katër vende që jetojnë në Ballkan nuk do kishte rrugë tjetër përveç se duke qenë anëtarë me të drejta të plota në Bashkimin Evropian. Po shtoj dhe një element tjetër. Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sot diskutojnë me forcë të madhe përsa i përket aspektit të sigurisë.
Dhe këtu dua të ndalem. Aspekti i sigurisë ka të bëjë me dimensionin NATO në Evropë, forcimin e dimensionit NATO dhe forcimin e dimensionit NATO në Ballkan. Për fatin e keq, prej kohësh Shqipëria jo vetëm nuk është marrë me forcimin e dimensionit NATO në Ballkan të një qëndrimi të përbashkët politik me vendet e tjera anëtare të NATO-s në rajonin e Ballkanit, apo dhe ndërtimin e raporteve ushtarake të përbashkëta në rajonin e Ballkanit, përfshi këtu edhe Kosovën, përveç se një iniciative që u bë me Kroacinë por edhe ajo spontane, por shihet në mënyrë të qartë që vazhdon dhe ka tendencën për të bashkëpunuar me Serbinë, e cila nga pikëpamja e sigurisë është vendosur tërësisht kundra interesave të Evropës dhe interesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. E ka përcaktuar veten e vet në aleancë me Rusinë dhe në aleancë me Kinën. Dhe po të lexosh National Defense Authorization Act i miratuar nga Presidenti Trump, shqetësimi i parë që ata ngrenë është pikërisht influenca e Rusisë dhe e Kinës në Ballkan. Kush është partneri i Rusisë dhe i Kinës në Ballkan? Padyshim që është Serbia. Dhe interesat e tyre janë tërësisht, kundër interesit të euroatlantik, domethënë integrimit evropian dhe integrimit në NATO të Shqipërisë. Dhe kjo është një situatë domethënë krejt e papranueshme, do të thosha në nivele skandaloze, që kryeministri shqiptar ka një qasje të tillë. Dua të theksoj që ka rryma në Evropë të cilët kërkojnë vendosjen e një Evrope me dy nivele. Por kjo aspak nuk është kthyer në një politikë europiane dhe ne nuk mund ta pranojmë që, gjithë përpjekjen tonë ta reduktojmë tashmë në një qëndrim të Edi Ramës apo këshillat e Vuçiçit, për Shqipërinë apo qëndrim të përbashkët me, Serbinë. Njësimi i politikës tonë të jashtme me Serbinë, është krejt i papranueshëm, nuk kanë asnjë gjë, asnjë lidhje me njëra-tjetrën. Për më tepër, në qoftë se do kishim një diskutim normal për këtë proces, ndoshta mund të diskutonim me Malin e Zi dhe me Maqedoninë e Veriut, por asnjëherë me Serbinë, sepse s'jemi as në të njëjtin nivel, nuk kemi as në atë marrëdhënie që mund të diskutojmë. Për më tepër, ajo që bëjmë sot i japim një status Serbisë…
© SYRI.net