Protesta e opozitës/ Eksperti i sigurisë: Policia ushtron dhunë të kamufluar si taktika, më e ashpra që nga ’91

11:06, 01/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Pas protestës së opozitës, debati publik është përqendruar te sjellja e Policisë së Shtetit, e cila nga shumë zëra është cilësuar si një përdorim disproporcional i forcës.

Për të analizuar këtë situatë, eksperti i Sigurisë Kombëtare, Ergys Muzhaqi, njëherësh ish-oficer policie, në një intervistë për SYRI TV, u shkpreh se veprimet e policisë ishin një ‘ashpërsi e kamufluar si taktikë’. Sipas Muzhaqit, i cili ka shërbyer në ekipet e ndërhyrjes së shpejtë dhe ka përvojë direkte me menaxhimin e turmave, qasja aktuale e policisë nuk është e duhura. Ai shpjegon se taktikat policore duhet të vijnë si rezultat i një vendimmarrjeje strategjike që synon menaxhimin e situatës dhe arritjen e një rezultati të dëshiruar, gjithmonë brenda kuadrit ligjor. Ajo që shihet aktualisht, sipas tij, është një dallim i qartë mes një policie profesionale dhe një ‘policie të ashpër dhe të dhunshme’.

Ergys Muzhaqi: Vëzhgimi juaj tashmë kronik është i drejtë, edhe në bindjen time. Unë kam qenë oficer policie dhe madje fillimet e punës time policore i kam pasur në ekipet e ndërhyrjes së shpejtë. Pra jam marrë drejtpërsëdrejti me menaxhimin e protestave, menaxhimin e turmave. Është një dhunë, është një ashpërsi policore, e cila përpiqet të kamuflohet me taktika policore. Këto të dyja nuk po shkojnë bashkë, sepse taktikat policore vijnë pas vendimit se si duhet ta menaxhojmë një situatë dhe çfarë rezultati dëshirojmë të arrijmë. Gjithsesi në përfundim do ruhet ligji, por qasja që krerët e policisë dhe pastaj zbatuesit e urdhrave kanë ndaj fenomenit, bën dallimin midis një policie të ashpër, një policie të dhunshme dhe unë kam vite që e them që kjo është policia më e dhunshme që kemi pasur ndonjëherë, madje-madje do të thoja më e dhunshme që nga viti '91 e këndej, përfshirë këtu edhe '97-ën, që ishte një situatë krejtësisht e veçantë.

Mund t'jua jap me një ilustrim nga kohët e vjetra, po e quaj, dhe kohët e reja sot. Unë kam qenë oficer i forcave të ndërhyrjes së shpejtë në vitet 2000-2001, ku përsëri ishte Partia Demokratike në opozitë dhe përsëri ishte, le të themi, Partia Socialiste në pushtet. Por, asnjëherë, në asnjë rast, në asnjë instruktim dhe qëndrim tonin, nuk kemi pasur përballjen dhe thyerjen e turmës. Kemi pasur përkundrazi, administrimin e situatës, menaxhimin dhe zbutjen. Pra, turmat e protestuesve ishin përherë prioritet për t'u ruajtur nga ana e policisë, edhe në atë kohë. Flasim këtu 25 vite përpara. Ndërkohë që ne e dimë që në të gjithë qeverisjen Rama, sidomos në periudhën e zotit Sandër Lleshaj, që mori dhe pseudonimin Sandër Kimiku nga ana e një pjese të mirë të militantëve apo të protestuesve të djathtë, ka pasur ndërhyrje disproporcionale me situatën.

Duhet të theksojmë që, përgjithësisht, turmat e protestuesve të së djathtës, respektivisht në shumicë pra të Partisë Demokratike, nuk mund të klasifikohen si turma të dhunshme. Ato kanë disa molotov koktej, kanë fishekzjarre, kanë shashka dhe kanë shumë pak përplasje me trupat policore, ku nuk prevalon dhuna ndaj trupave policore. Pra, nuk prevalojnë dëmtime serioze, edhe pse eventualisht ndodh. Nga ana tjetër kemi pasur turma, ju kujtoj këtu kur Partia Socialiste ka qenë në opozitë, dhe turmat protestuese atëherë kanë qenë goxha më të dhunshme, kanë djegur makina, kanë thyer xhama, kanë goditur njerëz gjatë itinerarit të tyre nëpër qytet, pra janë rrahur me njerëz, me civila. Dhe gjithsesi, menaxhimi i trupës policore përherë ka qenë proporcional, përherë ka qenë me qëllim de-eskalimin e situatës. De-eskalimi i situatës dhe respektimi i njerëzve në radhë të parë përballë objekteve, është element shumë i rëndësishëm që duhet ta ketë parasysh çdo polici demokrate.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco