Pas protestës së opozitës të zhvilluar mbrëmjen e kaluar, e shoqëruar me tensione dhe përplasje të dhunshme, deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, deklaroi në një intervistë për SYRI TV se policia ka tejkaluar kompetencat ligjore dhe ka vepruar në mënyrë jo proporcionale ndaj protestuesve.
Sipas tij, Partia Demokratike nuk ka detyrim ligjor të marrë leje për protesta, por vetëm të njoftojë orarin dhe vendin, ndërsa garantimi i mbarëvajtjes i takon policisë. Gjoni akuzoi policinë për dhunë të vazhdueshme, përdorim të gazit lotsjellës dhe topave të ujit, madje edhe ndaj podiumit ku po fliste Sali Berisha, si dhe për shfrytëzim të objekteve të kultit gjatë ndërhyrjeve.
Ai theksoi se policia është shndërruar në një institucion militant dhe paralajmëroi se përshkallëzimi i presionit ndaj opozitës mund të sjellë reagime të forta. Gjoni shtoi se në protestën e fundit është vënë re një pjesëmarrje më e madhe e të rinjve, përfshirë edhe minorenë, duke paralajmëruar se protestat do të vijojnë dhe mund të rriten në numër.
Gjoni:
Është e vërtetë që policia po tejkalon të gjitha kompetencat të cilët ka parashikuar në ligj në lidhje me manifestimet dhe protestat. Është e pakuptimtë dhe jo kushtetuese që policia në deklaratën e saj të thotë që ne nuk marrim përsipër sigurimin e protestës, pasi dhe nuk kemi dhënë leje në lidhje me protestën. Për një arsye shumë të thjeshtë, pasi referuar Kushtetutës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Partia Demokratike nuk e ka të nevojshme fare që të marrë leje, pasi sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Partia Demokratike duhet të njoftojë orarin dhe vendin e takimit. Pjesa tjetër i takon policisë të merret në lidhje me mbarëvajtjen, pavarësisht se Partia Demokratike ka marrë të gjitha masat që protesta të jetë brenda kornizës ligjore për të cilën është angazhuar.
Pyetja të cilën drejton dhe unë e kam deklaruar dhe herë të tjera, sidomos në protestën e fundit, masat e marra nga ana e policisë kanë qenë jo proporcionale. Dhe ju e shihni shumë mirë, si në bulevardin qëndror, por edhe përpara parlamentit, por edhe në pjesën për të cilën Partia Demokratike dhe militantët e Partisë Demokratike u tërhoqën në selinë e Partisë Demokratike, tregon që dhuna policore ka qenë konsistente dhe e vazhdueshme. Biles, ju e patë shumë mirë që nuk u la të përfundohet edhe fjalimi i zotit Berisha në momentin përpara kryeministrisë, pasi u hodhën topa uji në drejtim të podiumit dhe në drejtim të liderëve kryesorë të opozitës.
Kështu që, në këtë pikëpamje, unë them që policia është kthyer në një polici militante, është kthyer në një patronazhiste siç janë kthyer të gjithë institucionet e tjera të shtetit shqiptar dhe padyshim, policia nuk qëndron mënjanë, por edhe veprimet e mëtejshme, mënyra se si ka reaguar, mënyra se si hidhet gazi lotsjellës, mënyra se si shfrytëzohet edhe objektet e kultit dhe në rastin konkret xhamia, që të hidhen bombola gazi në drejtim të Partisë Demokratike dhe oborrit të Partisë Demokratike, tregon sulmin kriminal që policia ka bërë ndaj institucioneve të cilët janë partitë politike dhe janë të parashikuar si institucione që i shërbejnë funksionimit normal të shtetit.
Unë nuk e kuptoj dhe zoti Berisha e përmendi në mënyrë shumë të drejtë, se si mundet policia nëpërmjet militantëve të tyre, sepse këta nuk janë policë të cilët zbatojnë kuadrin ligjor dhe ligjin për policinë e shtetit, për sa kohë që në krye të policisë së shtetit janë njerëz të cilët janë të lidhur me krimin, për sa kohë që policia e shtetit menaxhohet nga njerëz të cilët janë pjesë e organizatave kriminale.
Padyshim që ngjarje të tilla do të ndodhin, por Partia Socialiste dhe qeveria duhet t'i vënë gishtin kokës, sepse lufta ndaj një partie politike nga ana e një krahu tjetër mund të sjellë të njëjtën përgjigje edhe nga ana e Partisë Demokratike, në partitë dhe në degët e Partisë Socialiste të cilët ndodhen në Tiranë ose në rrethe të tjera. Unë nuk e uroj këtë, të them të drejtën, por në rast se gjërat do shkojnë në këtë drejtim, të jeni padyshim që militantët dhe pjesa e simpatizantëve të Partisë Demokratike është e pamundur që t'i mbash brenda kornizave ligjore në raport me me këtë mënyrë sjellje.
Ndryshe nga dy protestat e tjera të datës 24 janar dhe 10 shkurtit, unë kam parë një një shumicë të konsiderueshme të rinjsh, të cilët është ngjallur interesi i këtyre të rinjve për të qenë pjesë e protestës. Dhe padyshim unë mendoj që në protestat e tjera të rinjtë akoma më shumë do të shtohen dhe janë një vlerë e shtuar për protestën në tërësi. Dhe padyshim nga data 24 janar, sepse protestat po vazhdojnë në vazhdimësi dhe besoj edhe kryetari i Partisë Demokratike, zoti Berisha, do njoftojë edhe protestën e radhës, pasi duhet patjetër që protestat të vazhdojnë dhe të jenë në numër më të madh. Numri i të rinjve të cilët, pavarësisht se janë arrestuar, dhe ne po të shohim statistikat edhe të datës 24 edhe të datës 10 dhe të ditës së djeshme, rezulton që ka një numër të madh minorenësh të shoqëruar.
© SYRI.net