Heqja e imunitetit të zv. kryeministres Belinda Balluku për t’i hapur rrugë arrestimit të saj është një test kritik për fatin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Nga Tirana, kryetari i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian, David McAllister, u shpreh se BE është duke e monitoruar këtë çështje, ndërsa shprehu mbështetjen për institucionet e drejtësisë. Në konferencën për shtyp, McAllister ngriti shqetësimin për rritjen e nivelit të korrupsionit në Shqipëri, ndërsa kërkoi që Reforma Zgjedhore të realizohet në bashkëpunim me opozitën dhe të reflektohen rekomandimet e OSBE-ODIHR.
Nga Syri TV
Bashkimi Europian e cilëson si një test kritik për luftën kundër korrupsionit çështjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Në prag të mbledhjes së Këshillimit të Mandateve që do të vendosë lidhur me kërkesën e SPAK për arrestimin e zv. kryeministres, kryetari i Komitetit për Punët e Jashtme, David McAllister, në përmbyllje të vizitës së tij në Tiranë, kishte këtë mesazh për qeverinë dhe Edi Ramën.
Kjo çështje ka pasur një rol gjatë vizitës dhe takimeve tona në Shqipëri. Çështja që përfshin zv. kryeministren Belinda Balluku është një test kritik për Shqipërinë në luftën e saj kundër korrupsionit. Është përgjegjësi politike dhe duhet të zgjidhet nga qeveria e Shqipërisë.
Përfaqësuesi i lartë i Parlamentit Europian i dha një tjetër shuplakë qeverisë, duke folur për rritjen e nivelit të korrupsionit në Shqipëri dhe duke kërkuar të ndalen ndërhyrjet politike ndaj drejtësisë.
Ekziston nevoja për të luftuar korrupsionin. Ende nuk është në nivel të kënaqshëm. Vetëm javën që shkoi doli raporti i Transparency International, ku Shqipëria është renditur 11 vende më poshtë. Është e nevojshme që të ketë një zbatim të plotë të legjislacionit, të ketë plotësim me staf të strukturave të drejtësisë dhe të mos ketë ndërhyrje politike. Politikanët të udhëheqin duke dhënë ata shembullin.
McAllister u bëri thirrje palëve politike të bëjnë një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe të implementojnë pa humbur kohë rekomandimet e OSBE-ODIHR.
Dua të shikojmë një reformë reale në fushën zgjedhore, që të bëhet në kohë të mjaftueshme përpara zgjedhjeve të ardhshme, një reformë që duhet të jetë gjithëpërfshirëse, të përfshijë opozitën dhe të vërë në zbatim të plotë rekomandimet e OSBE/ODIHR.
Në një kohë kur kryeministri Edi Rama ka propozuar ndryshime ligjore për t’i ndaluar gjykatave pezullimin e tij dhe të ministrave, Bashkimi Europian, përmes ambasadorit Silvio Gonzato, bëri thirrje të mos preket reforma në drejtësi.
Ne i ndjekim nga afër nismat e qeverisë që kanë lidhje me shtetin ligjor, jo vetëm se jemi në merak për harmonizimin e tyre me atë të BE-së, por edhe që të mos prekin reformën e drejtësisë.
Në mbyllje të vizitës në Tiranë, pas takimeve me aktorë politikë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, kreu i Komitetit për Punët e Jashtme në Parlamentin Europian deklaroi se nuk ka vend për vetëkënaqësi, pasi Shqipëria ka shumë punë për të bërë në rrugën e anëtarësimit drejt BE-së.
© SYRI.net