Mbi 350 milionë lekë për një “rikualifikim” që është bërë disa herë: çfarë po ndodh me “Merkatën e Rusit” në Shkodër?
Bashkia Shkodër ka hapur një tjetër procedurë tenderimi për “Rikualifikimin e godinës së Merkatos së Rusit”, me një fond limit prej 35,396,159 lekësh, procedurë e hapur më 15.10.2025 dhe e mbyllur më 03.11.2025. Tenderi nuk është anuluar dhe nuk është pezulluar, ndërsa fitues i procedurës së fundit është shpallur shoqëria “A.ARENS” sh.p.k.
Por ky tender hap një sërë pikëpyetjesh serioze, sepse:
• është i dyti tender për të njëjtin objekt,
• është me të njëjtin fond limit,
• ndërkohë që për Merkatën e Rusit janë raportuar ndërhyrje dhe rehabilitime që prej vitit 2017–2018,
• dhe mbi të gjitha, problemet higjieno-sanitare vijojnë prej më shumë se një dekade.
Dy tenderë, i njëjti objekt, i njëjti fond?
Sipas dokumentacionit zyrtar, ekziston një procedurë tjetër e mëparshme, po për “Rikualifikim i godinës së Merkatos së Rusit”, me të njëjtin numër reference (REF-64674-10-14-2025) dhe të njëjtin fond limit: 35,396,159 lekë.
Në këtë procedurë:
• kanë marrë pjesë 12 operatorë ekonomikë,
• fitues është shpallur NIKA SHPK,
• me ofertë fituese 24,422,103 lekë pa TVSH,
• kohëzgjatja e kontratës parashikohej 7 muaj,
• janë skualifikuar disa operatorë, përfshirë:
• A.ARENS & R|S|M Construction, për mungesë punimesh të ngjashme,
• ASI INVEST, për mospërputhje me preventivin,
• 2N, KADIA, NDËRTUESI 2014, për mosplotësim kriteresh.
Sqarim i rëndësishëm
Në këtë pikë lind konfuzioni: pse në dokumente shfaqet NIKA SHPK si operator ekonomik kontraktues, ndërkohë që në APP (Agjensinë e Prokurorimeve Publike) fitues i fundit rezulton A.ARENS sh.p.k?
Shpjegimi është ky:
NIKA SHPK është shpallur fituese në procedurën e parë, e cila rezulton me status “Njoftuar fituesi”, por nuk ka transparencë nëse kontrata është lidhur, nëse punimet kanë nisur apo nëse procedura është anuluar zyrtarisht.
Pa u sqaruar fati i kësaj procedure, Bashkia Shkodër ka hapur një procedurë të dytë për të njëjtin objekt, e cila ka përfunduar me shpalljen fituese të A.ARENS sh.p.k.
Pra, dy operatorë të ndryshëm rezultojnë fitues për të njëjtin objekt, si pasojë e mungesës së transparencës për mbylljen ose anulimin e tenderit të parë, nëse ka një anulim…
Pyetjet që lindin natyrshëm
Nëse një tender për rikualifikimin e Merkatos së Rusit:
• është zhvilluar,
• është shpallur fituesi,
• dhe ka pasur ofertë rreth 24.4 milionë lekë pa TVSH,
pse hapet një tjetër procedurë me fond limit 35.3 milionë lekë?
Ku përfundoi procedura e parë?
A u lidh kontrata?
A u kryen punimet?
A u anuluan në heshtje?
Asnjë nga këto nuk sqarohet publikisht.
Një treg “i rehabilituar” që prej 2018… por që nuk funksionon
Problemet e Merkatos së Rusit janë dokumentuar publikisht që prej vitesh.
• Në 2017, raportimet flasin për:
• shitje ushqimesh në baltë e pluhur,
• mungesë uji,
• mungesë banjosh publike,
• mungesë pastrimi,
• rrezik serioz për shëndetin publik.
• Bashkia Shkodër ka marrë taksa nga tregtarët, por:
• nuk ka siguruar kushte minimale,
• është gjobitur nga AKU me 500 mijë lekë për mosplotësim kushtesh.
• Në 2018, Bashkia Shkodër njoftonte publikisht se:
• kishte nisur rehabilitimin e plotë të oborrit të Merkatos së Rusit,
• projekti do ta kthente tregun në “standarde bashkëkohore”,
• punimet do të përfundonin brenda 3 muajsh,
• dhe se për herë të parë pas 27 vitesh, tregu do të ishte funksional.
Sot, 7 vite më pas, flitet sërish për “rikualifikim”.
Çfarë ndodhi me rehabilitimin e vitit 2018?
Sa fonde u shpenzuan atëherë dhe për çfarë konkretisht?
Pse një treg që supozohej të ishte rikualifikuar plotësisht, kërkon sërish 35 milionë lekë ndërhyrje?
Fituesi aktual: A.ARENS sh.p.k dhe kontrasti financiar
Tenderi aktual fitohet nga A.ARENS sh.p.k, një shoqëri që rezulton:
• me fitim neto për vitin 2023: 894,231 lekë,
• fitimi është kaluar në rezerva, jo në investime kapitale,
• në pasqyrat financiare të viteve të mëparshme (2012–2013):
• humbje të vazhdueshme,
• kapital negativ,
• borxhe afatshkurtra dhe afatgjata të larta,
• flukse monetare problematike.
Ndërkohë, e njëjta shoqëri:
• ka fituar edhe tenderë të tjerë nga Bashkia Shkodër,
• përfshirë mirëmbajtje skeme ujitëse, me fond rreth 2 milionë lekë pa TVSH (2024).
Kjo ngre një tjetër pikëpyetje thelbësore:
Si justifikohet dhënia e një kontrate prej mbi 35 milionë lekësh për rikualifikim ndërtimor, një shoqërie me fitime minimale dhe histori financiare problematike?
Pyetja që Bashkia Shkodër nuk po i përgjigjet
Për çfarë po paguhen sërish 35 milionë lekë për Merkatën e Rusit, kur:
• është “rehabilituar” më parë,
• ka pasur tender tjetër për të njëjtin objekt,
• problemet bazë vazhdojnë prej vitesh,
• dhe mungon transparenca për fatin e fondeve të mëparshme?
Pa një auditim të punimeve të kaluara, pa një raport të detajuar për gjendjen reale të tregut dhe pa sqarim për dështimin e ndërhyrjeve të mëparshme, ky tender rrezikon të jetë thjesht një tjetër kapitull në historinë e pafund të “rikualifikimeve” që nuk rikualifikojnë asgjë.
Merkata e Rusit mbetet simbol i një problemi më të madh: fonde që përsëriten, projekte që riciklohen dhe një treg që, pavarësisht miliona lekëve të shpenzuara, vazhdon të shesë ushqime mes baltës dhe pluhurit.
Propagandë e përsëritur dhe investime që nuk shihen në terren
Paradoksi thellohet edhe më shumë po të shihet propaganda zyrtare e bërë vetëm një vit më parë për të njëjtin treg.
Më 15 dhjetor 2024, media shqiptarja.com publikonte artikullin me titull:
“Hapet tregu i rikonstruktuar i Rusit në Shkodër, investimi 36.6 mln lekë! Tregtarët: Të kënaqur”
Sipas këtij raportimi:
• tregu i Rusit ishte rikonstruktuar tërësisht,
• investimi kapte vlerën 36.6 milionë lekë,
• si bashkëfinancim i Bashkisë Shkodër dhe AZHBR,
• tregtarët dhe qytetarët shpreheshin “të kënaqur”,
• ndërhyrja përfshinte:
• sistemimin e sheshit,
• ndërtimin e mbulesës së tregut,
• ndriçimin,
• ndërtimin e moduleve të reja për tregtarët ambulant,
• përmirësimin e kushteve të tregtimit dhe ruajtjes së produkteve,
• ndërsa theksohej se projekti, i parashikuar për 12 muaj, ishte përfunduar në vetëm 5 muaj, pas ndërhyrjes së kryebashkiakut Benet Beci.
Pra, sipas këtij narrativi zyrtar:
• tregu ishte rikonstruktuar plotësisht,
• me 36.6 milionë lekë investim,
• dhe ishte kthyer në një ambient “modern, funksional dhe higjienik”.
Atëherë, pyetja që nuk shmanget dot:
Nëse në dhjetor 2024:
• tregu ishte hapur si i rikonstruktuar tërësisht,
• me 36.6 milionë lekë të shpenzuara,
• dhe i shpallur si model suksesi,
pse në vitin 2025 hapet sërish një tjetër tender për “rikualifikim” me fond limit 35.3 milionë lekë?
Sa herë do të “rikonstruktohet” i njëjti treg?
Sa herë do të shitet i njëjti investim si sukses?
Dhe më e rëndësishmja:
ku shkojnë realisht paratë e qytetarëve shqiptarë?
Kur një treg:
• “rikonstruktohet” në 2018,
• “rikonstruktohet” sërish sipas propagandës në 2024,
• dhe një vit më pas kërkon një tjetër rikualifikim me qindra milionë lekë,
atëherë problemi nuk është më tregu, por menaxhimi i fondeve publike dhe mungesa e llogaridhënies.
Merkata e Rusit nuk është më thjesht një treg.
Është kthyer në simbol të propagandës së ricikluar, ku investimet përsëriten në letra dhe në kronika, ndërsa realiteti në terren vazhdon të prodhojë të njëjtat probleme./ E.S
@starplusshkoder NIS PUNA PËR TRANSFORMIMIN E TREGUT TË RUSIT
♬ original sound - STAR PLUS TV - STAR PLUS TV ALBANIA
/Ky është artikull ekskluziv i Syri Tv dhe Syri.net, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Syri Tv ose Syri.net” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
© SYRI.net