Prej mesit të janarit, pas reshjeve të dendura që përfshinë Kukësin, Liqeni i Fierzës është shndërruar në një grumbullim masiv mbeturinash që mbulojnë sipërfaqen dhe brigjet e tij. Pamjet e ditëve të fundit tregojnë një panoramë alarmante, ku plastika dhe mbetje të ndryshme lundrojnë mbi ujë, ndërsa në brigje krijohen depozitime të mëdha mbeturinash.
Edhe pse Bashkia ka vënë në funksion anijen ekologjike për pastrimin e liqenit, situata duket larg zgjidhjes.
Sipas banorëve, përpjekjet janë të pamjaftueshme përballë fluksit të madh të mbetjeve që vijnë nga prurjet e lumenjve, kryesisht nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Banori i zonës, Agim Cengu, thotë se ndotja nuk është fenomen i ri, por një problem i trashëguar prej vitesh.
“Ndotja ka vite që vazhdon. Anija pastron çdo ditë, por mbeturinat janë shumë të mëdha në sasi. Me reshjet e shumta të këtij viti, situata është përkeqësuar edhe më tepër,” – shprehet ai.
Sipas tij, reshjet intensive të dy muajve të parë të vitit kanë shtuar ndjeshëm prurjet e mbetjeve, duke e bërë të pamundur mbajtjen nën kontroll të situatës.
“Sa pastrohen sot, nesër vijnë përsëri. Është një cikël që nuk po ndalet.”
Fenomeni i ndotjes daton që prej ndërtimit të HEC-it të Fierzës pas vitit 1978, kur liqeni nisi të funksionojë si rezervuar i madh ujor. Por, sipas banorëve, mungesa e një strategjie të qëndrueshme dhe bashkëpunimit ndërkufitar e ka përkeqësuar situatën vit pas viti.
Cengu e cilëson gjendjen si një katastrofë ekologjike, duke theksuar se mes mbeturinave nuk ka vetëm plastikë, por edhe materiale të rrezikshme.
“Këtu nuk janë vetëm plastika. Ka edhe ilaçe, ushqime për bagëtitë, mbetje të tjera që janë të rrezikshme.”
Pasojat po ndihen drejtpërdrejt nga banorët e zonës. Mbeturinat në brigje përbëjnë rrezik për bagëtitë që kullosin pranë ujit. Vetë Cengu tregon se ka humbur një lopë pasi kishte konsumuar mbetje të hedhura në breg.
“Na ka ngordhur një lopë nga mbeturinat. Është dëm i madh për ne.”
Banorët kërkojnë ndërhyrje serioze nga institucionet përgjegjëse dhe një plan konkret për menaxhimin e mbetjeve, si dhe koordinim të detyrueshëm me vendet fqinje për të ndalur prurjet e pakontrolluara që po e shndërrojnë Liqenin e Fierzës nga një pasuri natyrore në një vatër ndotjeje me pasoja të rënda mjedisore dhe ekonomike.
© SYRI.net