Deputeti i PD-së, Zija Ismaili, deklaroi se dhuna në protestën e djeshme ishte një skenar i organizuar nga “policia e pushtetit”, me civilë të infiltruar që provokuan me molotov për t’ia faturuar fajin protestuesve.
I ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV, deputeti i PD për Beratin, Zija Ismaili, foli mbi dhunën e ushtruar gjatë protestës së opozitës, ku u shpreh se ajo që ndodhi para Parlamentit ishte një skenar i pastër i organizuar nga “policia e pushtetit” për të goditur qytetarët.
Ismaili denoncoi infiltrimin e civilëve me kapuç në mes të turmës, të cilët sipas tij provokuan qëllimisht dhunën me molotov dhe gaz lotsjellës, për t’ia faturuar më pas protestuesve paqësorë.
Deputeti demokrat theksoi se Shqipëria nuk ka më një polici në shërbim të qytetarëve, por një strukturë që vepron si forcë paramilitare në mbrojtje të pushtetit, duke e cilësuar ndërhyrjen si të paramenduar dhe brutale ndaj qytetarëve të pambrojtur.
Pjesë nga fjala e tij:
Ajo që pamë dje ishte një skenar i përgatitur dhe i mirëorganizuar nga policia e pushtetit, jo nga policia e shtetit. Pra, jemi në një situatë ku nuk mund të themi më se kemi një polici shteti që mbron të gjithë qytetarët e vet, por kemi një polici pushteti. Ky është versioni më i mirë që mund të themi, pasi ajo që pamë dje nuk mund të dallohej nga forca paramilitare ose nga grupe të tjera të organizuara, të cilat në mënyrë barbare u lëshuan mbi qytetarët e pambrojtur, pa pasur asnjë lloj dallimi për moshën apo për kategori të tjera.
Ajo ishte një dhunë e paralajmëruar, pasi persona civilë, të cilët ndodheshin mes qytetarëve, filluan në mënyrë të papritur, aty ku gjenin grumbuj njerëzish, të sulmonin me molotov dhe me gaz lotsjellës, duke dëmtuar një pjesë të mirë të qytetarëve. Nëse i referohemi prezencës sonë në terren gjatë gjithë kohës së protestës, si dhe pamjeve të tjera filmike, vërtetohet qartë se situata përpara parlamentit nuk ishte një situatë ku qytetarët hodhën molotov mbi policinë e pushtetit, por ishin civilë të cilët provokuan, të veshur me uniformë, le të themi si forca paramilitare, me gaz lotsjellës të skaduar dhe me bomba molotov, duke i hedhur në mes të turmës. Nëse do të ishin vërtet qytetarët ata që do të hidhnin molotov, do t’i hidhnin drejt policisë. Nuk kishte arsye që t’i hidhnin në mes të turmës, duke dëmtuar qytetarët që ndodheshin aty.
Absolutisht, ishin civilë me kapuç në kokë, të cilët provokonin herë pas here turmën, si dhe një pjesë të deputetëve, duke u përpjekur me çdo kusht t’i fusnin në skenarin e tyre të brendshëm. Më pas reaguan në mënyrë barbare, duke lënduar qytetarët që ndodheshin para parlamentit dhe duke i shpërndarë me dhunë përmes përdorimit të molotovëve, gazit lotsjellës dhe ujit me presion nga mjetet e tyre.
Politikisht, protesta e djeshme ishte një pjesëmarrje masive e qytetarëve. Nuk ishin vetëm simpatizantët apo anëtarët e opozitës apo të Partisë Demokratike, por shumë qytetarë të Tiranës që iu bashkuan protestës, si dhe qytetarë të ardhur nga e gjithë Shqipëria, të cilët janë të revoltuar me qeverisjen dhe me mënyrën se si kryeministri i Shqipërisë po përpiqet ta mbajë pushtetin me dhunë. Është një pushtet që, sipas bindjes sime, nuk është më në duart e kryeministrit, por është dhe do të jetë në duart e popullit. Populli është ai që do ta ketë fjalën e vet, dhe këtë do ta shohim më 20 shkurt, një datë shumë e afërt.
Absolutisht, pasi qytetarët kërkonin me çdo kusht që kjo protestë të jetë e vazhdueshme dhe të jetë mënyra që do ta rrëzojë këtë qeveri nga pushteti. Kjo ishte kërkesa e mijëra qytetarëve, e cila e detyroi edhe Partinë Demokratike të marrë një vendim të tillë për të afruar datën e protestës dhe për ta caktuar atë më 20 shkurt.
© SYRI.net