'Balluku të largohet', Koka: Ky është momenti për të testuar veprimin e drejtësisë dhe antikorrupsionit

08:56, 10/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në emisionin "Kafe Shqeto", gazetari Bledian Koka theksoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të lënë në fuqi masën e pezullimit të Belinda Ballukut nga detyra, është një moment kyç që trondit thelbësisht qeverinë dhe tërë sistemin politik në vend.

Ai u shpreh se ky vendim nuk është thjesht një çështje ligjore, por një përplasje e drejtpërdrejtë mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor, e cila do të ketë pasoja të mëdha në politikën shqiptare.

Sipas gazetarit Koka, reagimi i qeverisë, veçanërisht i kryeministrit Rama, pas këtij vendimi, tregon se mazhoranca po kërkon të ndryshojë legjislacionin për të mundësuar veprime më të shpejta ndaj zyrtarëve të lartë dhe për të mbyllur boshllëqet ligjore që, sipas saj, pengojnë veprimtarinë e administrates.

Koka paralajmëroi se fati i ministres Balluku, pas pezullimit tre-mujor, mbetet i paqartë dhe do të krijojë një precedent të ri, që do të testojë aftësinë e institucioneve të drejtësisë dhe mekanizmave të kontrollit të pushtetit në Shqipëri.

Pjesë nga deklarata:

Problemi është që deklaratat e zotit Klosi, deklaratat e gjithë Rilindjes, janë marrë nga deklaratat e njerëzve që i thonë këmbë e dorë për shkak të halleve të mëdha, siç do të thoshte populli. Pra, sigurisht që nuk është më i zbatueshëm, asnjë lloj vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe është e vështirë t’i interpretojmë siç duhet. Po duket qartë që ata flasin jo për hallin, sepse nuk hyn logjika juridike, por tashmë flet vetëm halli i Edi Ramës. Kjo është ajo që ne po konstatojmë.

Unë duhet të mbaj presionin tek ajo që po ndodh, mënyra se si zoti Rama reagoi pas vendimit të djeshëm të Gjykatës Kushtetuese tregon, që zoti Rama nuk është në një përplasje të madhe me institucionet shqiptare, por edhe me ato ndërkombëtare. Zoti Koreshi, siç duket, foli pak më shumë me një lloj kritike për mënyrën se si është qasur deri më sot Bashkimi Europian, por mendoj se presioni kryesor i asaj që ndodhi në Gjykatën Kushtetuese ka ardhur sidomos, në gjykimin tim, nga presioni ndërkombëtar. Ditën e premte, krejt papritur, në drekë, e morëm vesh që Gjykata Kushtetuese ishte mbledhur dhe më pas erdhi vendimi që pasoi. Disa thonë vendim pa vendim, por unë nuk mendoj kështu. Unë mendoj që,  atë ditë ka pasur dy vendime të rëndësishme.

Dhe për ta kuptuar nëse kishte apo jo vendim nga ana e Gjykatës Kushtetuese, mjafton të shikojmë reagimin që pasoi nga ana e kryeministrit. Dhe pikërisht kryeministri, mënyra se si reagon dhe mënyra se si interpreton faktin që kërkon të marrë, që premton se do të marrë masa të menjëhershme, tregon, që Gjykata Kushtetuese ka pasur një vendim të fortë dhe të qartë. Së pari, është rrëzuar kërkesa e zotit Rama, i cili kërkonte pezullimin dhe tashmë pezullimi vlen dhe është në fuqi. Dhe për mos të thënë pastaj që ka dhe një tjetër vendim, i cili duhet diskutuar, sepse secili nga katërshja, po e quajmë kështu, e vendimmarrjes, i dha apo i hapi një lloj hapësire apo dritare, po e quaj kështu, zotit Rama, që të marrë atë nismën që ai prezantoi ditën e djeshme për plotësimin, siç thotë ai, të gapit ligjor që paska kodi, kodi penal për çështjen e pezullimit.

Unë mendoj që ajo që është e rëndësishme është që, sot Belinda Balluku është e pezulluar dhe do të duhet menjëherë të largohet moralisht. Sepse ka dhe një problem tjetër tek pezullimi dhe besoj se këtu pastaj duhet të shohim se si do të veprojë organi i posaçëm i strukturës së posaçme antikorrupsion. Sepse duhet ta dini që vërtet pezullimi është në fuqi, por pezullimi ka afat. Pezullimi ka afat tre mujor  dhe nëse zonja Balluku nuk është larguar, dhe unë mendoj se zoti Rama po luan në këto hone të reja ligjore, nuk është larguar, atëherë sërish ajo është e lirë dhe mund të vazhdojë dhe të rivazhdojë, nëse mund ta quajmë kështu, pozicionin e zv.kryeministres dhe ministres së transporteve.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco