Pas gjetjes së trupit të Jurgen Karajt në lumin Mat, një ngjarje që tronditi komunitetin e Klosit dhe Matit, deputetja e PD në Mat, Denisa Vata, ka shprehur mirënjohje për angazhimin institucional dhe human të autoriteteve të Kosovës.
Ajo ka falënderuar presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe Forcat e Armatosura të Kosovës, të cilat me ndërhyrjen e tyre i dhanë fund ankthit disajavor të familjes dhe komunitetit lokal, duke nxjerrë në pah solidaritetin dhe bashkëpunimin mes dy shteteve shqiptare.
30-vjeçari Jurgen Karaj nuk gjendej prej një muaji, pasi makina me të cilën udhëtonte bashkë me shokun e tij, ra në përrua.
Postimi i plotë:
Së pari, shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Karaj, të afërmve dhe miqve, për humbjen e dhimbshme të bashkëqytetarit tonë Jurgen Karaj.
Një falënderim i veçantë për Presidenten e Republikës së Kosovës dhe Komandanten Supreme të Forcave të Armatosura të Kosovës, znj. Vjosa Osmani, për angazhimin e menjëhershëm institucional dhe përkushtimin njerëzor në dërgimin e ekipit special të kërkim-shpëtimit në Bashkinë Klos.
Mirënjohje e thellë për Forcat e Armatosura të Kosovës, profesionalizmi dhe përkushtimi i të cilave bënë të mundur gjetjen e trupit të Jurgen Karaj, duke i dhënë fund ankthit të familjes dhe komunitetit.
Falënderoj gjithashtu Forcat e Shqipërisë dhe strukturat vendore për angazhimin e tyre në këtë proces të vështirë, si dhe ish-deputetin e Matit dhe Këshilltarin e Presidentes Osmani, z. Kreshnik Çollaku, për ndërhyrjen dhe ndihmën e drejtpërdrejtë që dha për një bashkëqytetar të tij, e cila kontribuoi në mobilizimin e shpejtë të ndihmës.
Duke qenë se ngjarja preku një rreth me dy bashki, Mat dhe Klos, i bëj thirrje institucioneve vendore të të dyja bashkive që të nderojnë Presidenten e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, me titullin më të lartë të mirënjohjes së bashkive tona, si shprehje respekti dhe vlerësimi për solidaritetin e treguar.
© SYRI.net