Deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, ka kritikuar qeverinë gjatë fjalës së saj në Kuvend, në lidhje me ndryshimet e propozuara në Kodin Penal.
Sipas saj, drafti i paraqitur parashikon masa të ashpra ndaj qytetarëve për shkelje të vogla, ndërkohë që nuk veprohet me të njëjtin standard ndaj zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion si është dhe zevendëskryeministrja Balluku.
“Sot në parlament vjen një draft që, ndër të tjera, ka një angazhim shumë të madh për të luftuar korrupsionin. Ne do dënojmë me burg ata që guxojnë të parkojnë dysh. Ndërsa ministra dhe zyrtarë të korruptuar nuk i dënojmë, por i mbajmë në detyrë”, u shpreh Topalli.
Ajo ngriti shqetësime edhe për mënyrën se si janë trajtuar disa raste të protestuesve të opozitës, duke u shprehur se janë ndërmarrë masa të rënda ndaj qytetarëve, përfshirë arrestime.
Topalli e cilësoi situatën si një “paradoks” mes, sipas saj, një korrupsioni të përhapur dhe ndëshkimeve të ashpra për shkelje të lehta, ndërsa shtoi se protesta ishte “britma kundër frikës”.
Në vijim të fjalës së saj, ajo deklaroi se nuk beson që masat e propozuara për dënimin me burg të parkimit të dyfishtë të jenë kërkesë e Bashkimit Europian, por vendimmarrje e brendshme politike.
Topalli:
Sot në parlament vjen një draft, i cili ndër të tjera, ka një angazhim shumë të madh për të luftuar korrupsionin. Ne do dënojmë me burg, ata që do guxojnë të parkojnë dysh.
Ne nuk dënojmë ministra, zyrtarë të korruptuar, i mbajmë aty në detyrë. Pas protestës, bëtë kujdesin më të madh për të arrestuar një fëmijë 10-vjeçar,.
Pas protestës, ju futët në burg një invalide. Ky paradoks, midis një korrupsioni që ka përmasa të paimagjinueshme, një vend që marrin peng biznesmenët nëse nuk heqin dorë nga tenderi.Heshtja mund të ekzistojë në vende që ka frikë, por protesta ishte britma kundër frikës.
Vetëm pushtetet që janë të zhytura në korrupsion, arrestojnë fëmijë 10-vjeçar. I dashur ministër, nuk besoj se ka ndonjë udhëzim nga BE, që të dënohet me burg ai që parkon dysh, ai është urdhër i shefit tënd.
© SYRI.net