Ekspertja e ekonomisë, Suzana Guxholli, ka dhënë një alarm të fortë për situatën demografike në vend, duke e cilësuar raportin e fundit të BERZH-it si një shuplakë ndaj politikave qeveritare të 13 viteve të fundit.
Në intervistën për Syri TV me gazetaren Armela Ferko, ajo tha se shifrat e emigracionit dhe plakjes së popullsisë kanë arritur një pikë kritike, duke sinjalizuar një dështim të thellë ekonomik dhe social. Në një analizë të situatës, Guxholli theksoi se vitet e fundit kanë shënuar një kulm negativ sa i përket lëvizjeve demografike.
“Shifrat e lëvizjes, të emigracionit dhe të plakjes së popullsisë shkuan në pikiatë këto vitet e fundit,” deklaroi ajo, duke bërë një kontrast të qartë me periudhën para vitit 2013. Sipas ekspertes, më herët Shqipëria gëzonte tregues pozitivë, duke u dalluar si një nga vendet me popullsinë më të re në Evropë. Emigracioni i asaj kohe konsiderohej normal, i justifikuar nga ndryshimi i sistemit dhe dëshira për përmirësim të kushteve të jetesës pas daljes nga diktatura. Situata aktuale, megjithatë, përshkruhet si dramatike.
Suzana Guxholli: Ky raport është si një shuplakë ndaj politikave të kësaj qeverie në këto 12, 13 vitet e fundit sidomos. Pse themi sidomos? Sepse shifrat e lëvizjes, të emigracionit dhe të plakjes së popullsisë shkuan në pikiatë këto vitet e fundit. Në vitet para 2013-ës, ne kemi pasur tregues pozitiv. Kemi pasur një popullsi, sidomos mbas viteve '90 dhe deri në këtë periudhë që thashë, kemi pasur një popullsi të re, një ndër popullsitë më të reja në Evropë.
Kemi pasur një emigracion normal, se kuptohet, si një vend që ndryshon sistemin, del nga diktatura, kurioziteti dhe dëshira për të përmirësuar menjëherë kushtet e jetesës, e justifikon atë lloj emigracioni. Por që ne do të katandiseshim në këtë pikë që 40% e popullsisë të Shqipërisë e plakur dhe që jemi vendi i dytë për nga intensiteti dhe shpejtësia e kësaj plakjeje të popullsisë. Kjo kuptohet nuk vjen për arsye të rastit. Do thonë ata që justifikojnë këtë situatë demografike që ka dhe vende të tjera që u përmendën dhe nga raporti dhe që janë në literaturë si Japonia apo Korea e Jugut, apo deri në një farë mase Italia e të tjerë e të tjerë. Këto vende kanë arritur në këtë pikë mbas shumë e shumë vitesh, mbas dhjetëra vitesh.
© SYRI.net